Nga Dr. Hysamedin Feraj dhe Dr. Elvis Hoxha
Nisur nga konteksti i luftës së ndërmarrë nga Rusia në Ukrainë dhe nga rivaliteti mes fuqive të tilla si Shtetet e Bashkuar ose Kina, koncepti i sovranitetit nuk ka qenë kurrë më aktual për Bashkimin Evropian. Dhe është pikërisht ky sovranitet evropian ai që gjendet përballë lidhjes që Serbia ka ushqyer me Rusinë, në dëm të Kosovës. Hysamedin Feraj dhe Elvis Hoxha, filozofë dhe themelues të Institutit Politik të Studimeve Humane (IPSH) në Tiranë, analizojnë dinamikat dhe i kujtojnë Europës të llogarisë mirë masën e agresioneve të prodhuara nga regjimi serb i Vuçiçit në Kosovë.
Hyrje
Fillimi i shekullit XXI përmbysi shumëçka nga fundi i shekullit XX dhe riktheu shumëçka nga mesi i tij. Besimi i fundit të shekullit XX në rendin demokratik u përmbys në mosbesim ndaj demokracisë; besimi në fitore përballë totalitarizmit u përmbys në frikë përballë autokracisë; eficienca e demokracisë u përmbys në eficiencë të autokracisë; festimi i fitores demokratike përballë totalitarizmit u përmbys në dramë të braktisjes së demokracisë, “lufta e ftohtë” e dikurshme është kthyer sot në “luftë të nxehtë”; fundi i historisë është kthyer në përsëritje të painformuar të saj. Për rrjedhojë, sot kemi një demokraci që ka humbur besimin te vetja; një demokraci të frikësuar nga tjetri i ndryshëm; një demokraci që me të dy këto veti ka trimëruar tjetrin e ndryshëm, autokratin e sotëm që ka zëvendësuar totalitarin e djeshëm.
Këtë gjendje bote e ka parë qartë presidenti francez, z. Emmanuel Macron, kur sulmin rus kundër Ukrainës e vlerësoi si rrezik për sovranitetin e shteteve dhe për vetë qytetërimin europian1.
Tejkalimi rus i Brezhnjevit
Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës ka tronditur rendin botëror të bazuar në sovranitetin krahasimisht të barabartë të shteteve. Ky sistem ka siguruar periudha më të gjata stabiliteti në Europë, duke mundësuar zhvillimin e fushave dhe praktikave të tjera, në vend të drejtimit kah teknika dhe industria e luftës. Mbas agresionit të fundit rus ndjenja e rrezikimit të sovranitetit dhe pavarësisë së shteteve është e pranishme jo vetëm në periferitë e Europës, si në shtetet Baltikë, por gjithashtu mes shteteve të fuqishëm të Europës, siç e dëshmon së fundi shqetësimi i drejtë i presidentit të Francës, z. Emmanuel Macron. Është e pritshme që periferia të njohë rrezikun më qartë se shtetet e vendosur në qendrën e kontinentit evropian, qoftë edhe vetëm sepse e ka më afër atë. Por, në praktikë, është më me rëndësi kur njohja që ka periferia kuptohet nga qendra.
Shqetësimi i presidentit të Francës, ashtu si i atij të Polonisë apo atyre të shteteve baltikë, është i drejtë. Agresioni rus ndaj Ukrainës ishte i paprovokuar dhe mbetet gjithmonë i palegjitimuar, madje edhe në lidhje me ndonjë prej faktorëve që teoricienët e shtetit përdorin në mbështetje të tezës së tyre se në vend të sovranitetit të mëtuar për “absolut” shtetet mund të kenë vetëm “sovranitet të kufizuar”. Pra agresioni i fundit rus, ashtu si ata para tij në Gjeorgji dhe Krime, nuk është i legjitimuar as nga ligji hyjnor, as nga ligji moral e humanitar, as nga ligji ndërkombëtar, madje as nga ruajtja e pushtetit, pra nga ideja se ky agresion do të kishte si qëllim të Kremlinit forcimin e pushtetit dhe sundimit të tij mbi popullsinë e vet të pakënaqur. E vetmja doktrinë që e shpjegon agresionin e presidentit Putin – pa e legjitimuar gjithsesi – është ajo e paraardhësit jo fort të largët të tij, Leonid Brezhnjev, për “sovranitetin e kufizuar” të shteteve të “kampit të vet”. “Kampi socialist” i “disiplinonte” këta të fundit dhe i kthente ata në satelitë të Bashkimit Sovjetik, gjegjësisht të Rusisë. Mirëpo ai njihte sovranitetin e plotë të shteteve me regjim jo socialist. Ngjarjet e dekadave të fundit, që zënë fill me Gjeorgjinë e Krimenë dhe vijojnë me Ukrainën, janë dëshmi se Rusia e ka bindur veten për më shumë: të gjithë shtetet e Europës duhet të jenë satelitë të saj. Kjo bindje ruse, që gjen mishërimin e vet në presidentin Putin, u afishua nëpër rrugët e qyteteve kryesorë të Rusisë. Është e vështirë të mohohet se ky deklarim nuk shpall shenjën e pjesëmarrjes së një pjese të popullit rus në direktivën: “Nuk ka kufij për Rusinë2”!
Mirëkuptimi “demokratik” i Brezhnjevit!
Republika e Kosovës ndodhet përballë praktikave të përditshme të agresionit serb kundër sovranitetit të saj, agresion me synime që duket se ngjajnë me ata që nxjerr në plan të parë Rusia në luftën e saj në Ukrainë. Pa u kthyer prapa në më shumë se dy dekadat pas luftës së 1998-1999, gjatë të cilave Serbia mori peng veriun e Kosovës për të krijuar një situatë ndarjeje de facto, qeveria aktuale, në pushtet që prej marsit 2021, u desh të pësojë rezistencën e Serbisë që pengon integrimin e popullsisë së veriut me shumicë serbe në një pjesë të Kosovës – shtet i pavarur dhe me të drejtën me ushtru sovranitetin e vet që prej deklarimit të pavarësisë në 17 shkurt 2008. Kështu, gjatë këtij mandati, mund të përmendim për shembull, krizat e shkaktuara nga refuzimi i zbatimit të ligjeve të Kosovës, si në rastin e zëvendësimit të targave të paligjshme të qytetarëve serbë të Kosovës, po ashtu edhe në ndërprerjen e përdorimit prej këtyre të fundit të dinarit serb, valutë jozyrtare brenda Kosovës. Në të dy këta raste bëhet fjalë për cenimin e vetë konceptit të sovranitetit, për agresionin ndaj këtij koncepti3. Të dy shembujt prekin integritetin e ushtrimit të ligjit të Kosovës dhe nxjerrin në pah ndërhyrjen e shtetit të Serbisë.
Janë edhe më të rëndë aktet e agresionit fizik të kryer gjatë vitit 20234 kur :
- më 29 maj, minoriteti serb manifestonte dhunshëm (duke shkaktuar tridhjetë të lënduar mes ushtarëve të NATO-s) kundër vendosjes së kryetarëve shqiptarë të komunave, të dalë nga zgjedhjet e parakohshme, të shtyra në kohë dhe më pas të bojkotuara prej serbëve kosovarë;
- më 14 qershor, patrulla me tre policë të Kosovës rrëmbehet në afërsi të kufirit dhe më pas mbahet në Serbi për më shumë se një javë;
- më 24 shtator, një komando e armatosur rëndë nga Serbia vrau në pritë një oficer policie të Kosovës para se ajo të strehohej në manastirin ortodoks të Banjskës e të shihte dështimin e sulmit të vet, ndërsa planet e zbuluar më vonë qëndronin në rivendosjen e vazhdimit të kontrollit të veriut si në shërbim të Serbisë ashtu dhe të krimit të organizuar5.
Sigurisht që Serbia nuk i konsideron tërë këta akte si cenim të sovranitetit sepse nuk e njeh Kosovën si shtet sovran. Por është po aq e sigurtë se sa më shumë që ajo ndjehet e mbështetur apo e kuptuar nga demokracitë që e kanë njohur Kosovën (të cilat sot duket se janë të shqetësuara për sovranitetin e tyre), aq më shumë dobësohet vetë ideja e sovranitetit. Këtë e dëshmon fakti se sa më shumë që sjellja agresive e Serbisë së presidentit Aleksandar Vuçiç ka fituar njëfarë mirëkuptimi kundër sovranitetit të shteteve të tjerë të rajonit, aq më shumë është rritur ajo sjellje.
Kjo përbën një përsëritje të asaj çka ndodhur në fill të shpërbërjes së Jugosllavisë, në fund të viteve 1980, kur Kosova ishte e para që e pagoi. Porse tani nuk është më vetëm Kosova, por janë po ashtu të gjithë shtetet e këtij rajoni periferik që po ngrenë zërin dhe po dëshmojnë me forcë agresionin serb kundër sovranitetit të tyre. Pra, në Ballkanin Perëndimor, nuk preket vetëm Kosova, por gjithashtu veri-perëndimi me Bosnje-Hercegovinën dhe Malin e Zi e deri në jug-lindje, me Maqedoninë e Veriut. Për më tepër, këta dy të fundit janë anëtarë të NATO-s dhe të renditur qartë, ashtu si Kosova, përkrah demokracive kundër agresionit rus ndaj sovranitetit të Ukrainës.
Vetë shtetet e konsideruar si periferikë për qendrën e gravitetit, pra për shtetet themelues të Bashkimit Evropian, duke qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me Rusinë, meqë janë kufitarë ose më të afërt gjeografikisht me të, zotërojnë një dije dhe përvojë specifike. Sa më shumë mirëkuptim shfaqin shtetet e qendrës lidhur me sulmin ndaj sovranitetit të tyre nga Rusia, aq më shumë rritet ky sulm – e pamë me Gjeorgjinë dhe Krimenë – aq sa sovraniteti i shteteve nis e ndjehet i kërcënuar deri në perëndim të kontinentit europian.
Si rezultat, masat shtrënguese ndaj Kosovës pas vendosjes së kryetarëve shqiptarë të komunave në veri6, masa në fuqi edhe sot, megjithë aktet e agresionit territorial të përmendur më sipër dhe të pandëshkuar, bëjnë që periferive t’u duket sikur demokracitë kanë rikthyer në këtë shekull brezhnjevizmin që këshillon “sovranitetin e kufizuar” për shtetet e “kampit të vet”. Ironike dy herë! Putini e ka zgjeruar këtë direktivë për shtetet e kampit të kundërt.
Rusia, Serbia: agresione me tipare analoge?
Pavarësisht sa i shpeshtë dhe sa i përditshëm, agresioni i Serbisë kundër Kosovës tregon një qasje të ngjashme me atë të Rusisë kundër Ukrainës, në atë se është sa i paprovokuar aq dhe i palegjitimuar. Presidenti Putin përpiqet më kot të vendosë analogji mes Kosovës dhe Krimesë apo pjesësh të tjera territoriale të Ukrainës. Ai rreket më kot sepse, ndryshe nga Rusia kundër Ukrainës, nuk ka analogji të mundshme me një Shqipëri që do të kishte hyrë në territorin e Kosovës, me një sulm që do të kishte për synim Serbinë. Përkundrazi, në origjinë të shpërbërjes së Jugosllavisë ishte Serbia me ndërmarrjen e agresioneve ushtarakë kundër të gjitha republikave të tjera, nisur nga skaji më verior me Slloveninë, para se të vazhdonte më në jug përmes Kroacisë, Bosnjës e Hercegovinës deri në Kosovë. Megjithatë është për të ardhur keq që brenda kancelarive europiane janë të rrallë zërat që ngrihen për të denoncuar tiparet e ngjashme mes agresioneve të kryer nga Rusia dhe Serbia.
I vetmi “legjitimitet” që Serbia i ka dhënë vazhdimisht vetes për të ndërmarrë agresionet e saj bazohet në argumentet etno-racistë, domethënë ndjenja e superioritetit ndaj popujve të tjerë, ndjenjë që politika e Beogradit e ka nxitur shpesh në popullin serb7. Në mënyrë të ngjashme me devizën e përmendur të Putinit mbi kufij “që nuk mbarojnë askund”, racizmi shprehej në Serbi në devizën e Millosheviçit: “ku gjendet një varr serb, është Serbi8”, dhe më pas në devizën e ministrit të propagandës së tij – sot president i Serbisë – Aleksandër Vuçiq: “për një serb të vrarë do të vrasim 100 muslimanë9”.
Ashtu si agresioni rus kundër Ukrainës, agresioni serb kundër sovranitetit të Kosovës nuk ka asnjë prej epërsive që do të mund ta kufizonin teorikisht ligjin pozitiv të Kosovës (sovranitetin). Pra, edhe pse mund të ketë arsye për mbajtjen me çdo kusht të të njëjtit tip pushteti brenda Serbisë, qeveria aktuale e saj nuk ka as epërsinë e ligjit hyjnor, as të ligjit moral, humanitar dhe ndërkombëtar. Ashtu si në rastin e Putinit, mungesa e respekti ndaj së drejtës e bën të kotë përpjekjen e Vuçiqit me vendos analogji për të denigruar ndërhyrjen e NATO-s në vitet 1990 kundër regjimit serb, regjim i segregimit sundues asokohe në Kosovë, si dhe i krimeve në masë dhe gjenocidit të kryer në Ballkan. Në kuadrin e bombardimeve ajrorë të saj në Kosovë, veprimi i NATO-s bazohej në epërsinë e ligjit moral e humanitar, dhe gjithashtu mbi epërsinë e të drejtës ndërkombëtare kundër gjenocidit, qoftë edhe kur shteti gjenocidal i quan viktimat shtetas të vetët. Kjo ndërhyrje u bë e mundur vetëm sepse në Bosnje e Herzegovinë bashkësia ndërkombëtare u dëshmua e pafuqishme përballë një Serbie që kishte ngritur në atë kohë të ngjashmit e “kampeve të shfarosjes” dhe kishte organizuar “spastrimin etnik” të territoreve që i pretendonte si të vetët10.
Në fakt, Serbia nuk tregon asnjë shenjë serioze të respektit për të drejtën më të vogël. Për shembull, më 23 maj 2024, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuar adoptoi një rezolutë për ta kthyer 11 korrikun në ditën ndërkombëtare të përkujtimit të genocidit të kryer në Srebrenicë në 1995-n, përkundër fushatës diplomatike intensive nga ana e Serbisë për ta penguar adoptimin (duke shtuar edhe mbështetjen e Hungarisë së presidentit Viktor Orbán)11. Ky qëndrim i shtetit serb, trashëgimtar i drejtpërdrejtë i regjimit kriminel të Slobodan Milosheviqit, duke nisur që me presidentin Vuçiq, siç u tha më lart, është vetëm vazhdim i atij negacionizmi shtetëror që kriminelët e luftës i bën heronj, si presidentin e mëparshëm serb Millosheviq, gjeneralin Ratko Mlladiq, i dënuar përfundimisht në qershor 2021 me dënim të përjetshëm nga Gjyqi penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, ose Vojislav Sheshelin, fillimisht i dënuar e më pas i liruar. Partia e këtij të fundit u bashkua me atë të presidentit aktual zyrtarisht gjatë zgjedhjeve komunale, dhe jo-zyrtarisht gjatë atyre legjislative në dhjetor 202312.
Sovraniteti i Perëndimit mbrohet në Kosovë
Tani që shtetet më të fuqishme në Europë dhe brenda BE-së ndjehen të shqetësuar për sovranitetin e vet për shkak të agresionit rus, shpresojmë të kuptojnë më në fund se si ndjehet popullsia në Kosovës përballë agresionit të përditshëm të Serbisë. Shpresojmë që disa shtete anëtarë të heqin dorë prej mungesës së qëndrimit, ose madje mirëkuptimit ndaj Serbisë.
Republika e Kosovës e kuptoi menjëherë agresionin e Rusisë dhe filozofinë prapa tij, prandaj dhe iu bashkua menjëherë e pa lëkundje aleatëve perëndimorë, jo vetëm për denoncimin deklarativ të agresionit rus – siç e bëri edhe Serbia – por në të gjitha masat e sanksionet ndaj politikës agresive ruse dhe ndihmave për Ukrainën – diçka që nuk e bëri Serbia e Vuçiqit, e cila tashmë ka një qeveri të përbërë me ekstremistë pro-rusë dhe me ministra të vendosur në “listën e zezë” të SHBA-së13.
Njësoj siç iu bashkua Kosova sanksioneve të demokracive kundër agresionit rus, po ashtu pritet që aleatët demokratë, krahas Ukrainës, të mbështesin sovranitetin e Kosovës kundër çdo forme agresioni serb. Vetëm kështu ata mund të vendosen bashkërisht kundër një racizmi të ndërtuar mbi mite e të propaganduar nga qeveri dhe ministra si e ardhmja e botës, saktë atë që presidenti Macron e konsideron fundi i qytetërimit të Europës.
Të gjithë vendet demokratikë i kanë kërkuar Kosovës vendosjen e sundimit të ligjit si kusht i afrimit me to, dhe veçanërisht me BE-në. Mirëpo, kur sundimi i ligjit po shtrihej barabar brenda gjithë territorit të Kosovës, vendet demokratike morën masa kundër shtrirjes së sundimit të barabartë të ligjit dhe në gjithë territorin, siç ndodhi me rastin e cituar më lart të kryetarëve të komunave. Çdo përpjekje e vendosjes së rendit demokratik dhe publik të ushtrimit të ligjshëm të sovranitetit të Kosovës në pjesën veriore të territorit të saj (dhe kjo nis me çështjen e targave të automjeteve) u interpretua si provokim dhe rrezikim i stabilitetit. Po ndodh e njëjta gjë me rihapjen e urës së Mitrovicës.
Ironikisht argumenti i dhënë nga demokracitë perëndimore ishte analog me atë që ka përdorur Putini me vite kundër NATO-s. Anëtarësimi në NATO (dhe në BE) i vendeve sovrane, por në kufi me Rusinë, interpretohej nga Putini si provokim ndaj Rusisë dhe përshkallëzim i konfliktit kundër saj. Në analogji me këtë, shtrirja e sundimit të ligjit brenda territorit të Kosovës, përfshirë edhe territoret pranë kufirit me Serbinë, u perceptua nga Quinti dhe Bashkimi Evropian si provokim i rrezikshëm për Beogradin dhe përshkallëzim i konfliktit me Serbinë.
Nisur nga ky perceptim që i kundërvihet interesave të Kosovës sovrane, demokracitë evropiane që kanë njohur pavarësinë e saj, e gjykuan Kosovën si përgjegjëse për akte të pakoordinuara dhe për destabilizim, duke vendosur me një cektësi turbullese masa ndëshkimore ndaj saj. Këto masa sot ndëshkojnë jo vetëm procesin e integrimit në BE, por gjithashtu projektet e zhvillimit europian dhe të dyanshëm, ndërkohë që demokracitë nuk dinë më si t’i heqin këto masa pa unanimitetin e shteteve anëtarë. Kështuqë, përsa kohë që qeveria nuk ka asnjë vështirësi me viju politikat e shtrirjes së pranisë së shtetit (të shtetit të së drejtës dhe të shërbimit publik) në veri të Kosovës14 – njoftimi dhe përgatitja e rihapjes së urës së Mitrovicës është shembulli më i fundit – shtetet anëtarë që kanë njohur sovranitetin e Kosovës ndjejnë se kanë rënë në kurthin e burokracisë së rëndë komunitare!
Del në pah përfundimisht se në pyetje nuk është cilësia e zbatimit të ligjit dhe demokracisë në Kosovë, as pse ligji zbatohet edhe mbi pakicën serbe – aq më tepër që shumica e pakicës serbe nuk jeton në veri, dhe shumica e komunave me shumicë serbe nuk gjenden në veri por në pjesën tjetër të territorit të Kosovës. I vetmi dallim me pjesët e tjera është se ajo pjesë ndodhet në kufi me Serbinë. Dikur shqetësim për demokracitë ishte fakti se “sundimi i ligjit nuk është efektiv në gjithë Kosovën, veçanërisht në veri”15. Ndërsa tani që po bëhet efektiv edhe në veri, në përputhje me parimet demokratikë dhe të së drejtës të promovuar nga shtetet perëndimorë e të kërkuar për anëtarësim në BE dhe NATO, po të njëjtët shtete radhiten me Serbinë dhe Rusinë në trysninë që ka për qëllim kufizimin e përdorimit të sovranitetit të Kosovës.
Do të ishte mirë të rikujtonim se demokracia ka fituar përballë autokracive sa herë që ka besuar se sovraniteti i shtetit dhe sundimi i ligjit demokratik nuk bien ndesh mes tyre. Prandaj ende nuk shohim në horizont ndonjë arsye me besu të kundërtën, pra se “sovraniteti i kufizuar” i një shteti të dobët demokratik do të qetësonte presionin autokratik të një shteti më të fortë. Aq më pak ekzistojnë aryse që të na sigurojnë fitoren e demokracisë e të paqes në rrafsh ndërkombëtar kundrejt shteti autokratik, pasi demokracia dhe paqja janë tanimë të reduktuara në mbijetesë. Prandaj, ashtu si dikur, edhe sot në veri të Kosovës, me vullnetin për të pohuar sovranitetin dhe luftën ndaj krimit të organizuar që mbretëroi aty për dy dekada, me vullnetin për shtrirjen e shtetit të së drejtës, qeveria e Kosovës ka për synim të vendosë në fund të procesit një rend demokratik afatgjatë.
Prandaj, edhe pse është herët të nxirret ndonjë përfundim i qëndrueshëm, studimi i parë që UNDP-ja ka bërë lidhur me opinionin e qytetarëve serbë, mbas shtrirjes së sundimit të ligjit në veri, dëfton se ata ndihen të sigurtë16. Sigurisht, krahasuar me cilësinë e demokracisë në vendet skandinave, mbetet shumë punë për t’u kryer në Kosovë. Megjithatë, në krahasim me Serbinë (madje edhe me vendet e tjerë të Ballkanit perëndimor) Kosova listohet shumë më lart në klasifikimet ndërkombëtarë të referencës: ndërkohë që prirja e zhvillimit të Kosovës vlerësohet kah demokracia, ajo e Serbisë vlerësohet kah autokracia17.
Duhet nënvizuar po ashtu se shoqëria civile serbe nuk ngurroi të mobilizohet kundër dhunës sistemike gjatë vitit 2023, apo edhe në javët e fundit kundër katastrofës ekologjike ku mund të shpjerë projekti i minierës së litiumit (projekt i mbështetur nga kancelari gjerman18). Por ishte dëshpëruese për opozitën qytetare serbe që nuk e ndjeu mbështetjen e shpresuar nga ana e demokracive perëndimore përballë autoritarizmit të Vuçiçit. Protestat e opozitës “Serbia kundër dhunës”, të filluara në Maj 2023 dhe të organizuara gjatë tre muajve, edhe pse u shtrinë në tërë qytetet kryesorë të Serbisë, u gjendën para një indiference evropiane pothuaj të përgjithshme, ashtu siç mbetën pa efekt ato që u organizuan sërish në dhjetor të po të njëjtit vit kundër manipulimit të votave në zgjedhjet parlamentare19.
Përkundrazi, menjëherë mbas formimit nga partia e Vuçiçit të qeverisë, komisioneri i BE-së për punët e jashtme dhe sigurinë, Josep Borrell, deklaroi se “mezi pret të punojë me qeverinë e Serbisë”20, përbërjen dhe natyrën e së cilës e thamë cila është: postet e lartë i mbajnë elementët më radikalë pro-rusë, mbështetës të presidentit Vladimir Putin, përfshirë të famshmin Aleksandër Vulin, edhe pse vetë SHBA-ja e ka renditur në listën e zezë të saj.
Në këtë kontekst politik duket se është e rrezikshme për opinionin publik serb të mbështesë sovranitetin e Kosovës dhe demokratizimin e saj. I fundit që e provoi, në shkurt të këtij viti, është politikani pro-perëndimor Nikola Sandulović, i cili u rrah deri në humbjen e vetëdijes sepse “guxoi të kërkoj falje për krimet në Kosovë” dhe të vendosë lule në varrin e një vajze shtatëvjeçare të vrarë nga forcat e armatosura serbe gjatë luftës së vitit 199921.
Në këtë kontekst, fqinjët e Serbisë mund të shqetësohen ligjshëm për qëndrueshmërinë e vendimit të Francës për shitje të avionëve të luftës (Rafale) Serbisë, si dhe të dyshojnë poashtu për argumentin e dhënë nga presidenti i Republikës, Emmanuel Macron, që vlerëson se kjo kontratë mundëson “radhitjen” e Serbisë me Bashkimin Europian. Ndërkaq, sa pyetej lidhur me sanksionet që Serbia nuk i zbaton ndaj Rusisë, presidenti francez përgjigjej në Beograd, më 29 gusht, se “nuk kemi për të dhënë leksione. Serbia nuk është në BE. Pra ajo është sovrane në politikën e saj të sanksioneve dhe kjo është gjë e mirë22”. Mund fare mirë të mendohet reciprokisht se Kosova është në të drejtën e saj të kërkojë respektimin e sovranitetit të ushtruar në të gjithë territorin e vet.
Pavarësisht kësaj, dhe me gjithë shpërfilljen e sovranitetit nga demokracitë që e kanë njohur Kosovën si vend sovran, ne jemi të vendosur të qëndrojmë fort në krah të qytetërimit europian, vlerave europiane, vlerave demokratike, respektimit të të drejtave të njeriut, të shteteve e të barazisë së popujve. Sipas nesh, refuzimi i sovranitetit të Kosovës nga Serbia autokratike sigurisht që mund të vonojë përplotësimin e aspiratave demokratike të shtetit tonë, por nuk mund të ndalë procesin. Duke qenë të vendosur në periferi të demokracive dhe duke qenë fqinj i një vendi autokratik si Serbia, Kosova, po aq sa Ukraina, i njeh mirë pasojat e agresioneve të pësuar mbi sovranitetin. Këto pasoja duhet të shihen si në pasqyrë prej shteteve të tjerë europianë që njohin dhe u tremben agresioneve kundër sovraniteteve të vet.
Prandaj jemi të bindur se të bashkuar mund t’i bëjmë ballë këtij rreziku ruso-serb që rrënon sovranitetin e shteteve dhe qytetërimit europian. Nuk do të jetë hera e parë që qytetërimi europian do të rilindë edhe më i fortë mbas agresioneve të tillë, por historia na mëson se është më mirë të parandalohet fronti agresiv ruso-serb. Ne e kuptojmë mirë se sjellja e diplomacive perëndimore mbështetet në besimin – e kotë sipas nesh – se duke mirëkuptuar Serbinë autokratike kjo do të shtyhet drejt aleancës me Europën demokratike më shumë se me Rusinë diktatoriale. Fatkeqësisht detyrohemi të konstatojmë se Serbia gjithmonë është gjendur më afër Europës, kur Europa kultivonte afërsinë me Rusinë. Por më mirë është me qenë të bindur se Serbia do të jetë gjithnjë në krah të Rusisë dhe do të lidhet me botën europiane demokratike vetëm nëse Rusia bëhet demokratike, hipotezë shumë e largët sot për sot.
Për fund, është më e mundur të besohet se Hegeli kishte të drejtë kur pohonte se historia na mëson që nuk mësojmë prej saj, sepse duket qartë se është mungesa e të mësuarit prej historisë ajo që e bën të mundur përsëritjen e saj, më shpesh si tragjedi sesa si komedi.
———————————————————————————————
* Artikulli është botuar në frengjisht, në “Jean Jaures”, më datë 05.09.2024 dhe mund ta gjeni këtu:
https://www.jean-jaures.org/publication/ce-que-nous-enseigne-le-conflit-au-kosovo-avec-la-serbie-sur-notre-souverainete/
____________________________________________________________
- Jean-Baptiste Chastand, “En vendant des avions Rafale à la Serbie, Emmanuel Macron espère éloigner Belgrade de Moscou”, Le Monde, 13 gusht 2024. ↩︎ Çka del veçanërisht nga fjala në L’Europe, më 24 prill 2024, në Sorbonne ku ai propozon të «ndërtohet një Europë… më sovrane së cilës mos t’i detyrohet prej të tjerëve fati, vlerat e saj, mënyrat e saj të jetesës», apo konferenca e shtypit me presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier, në Berlin në maj 2024, gjatë së cilës ai shpjegon se, përballë armiqve brenda dhe jashtë, «[…] jetojmë një çast të Europës sonë… që është ekzistencial sepse e besoj me të vërtetë, Europa mund të vdesë». ↩︎
2. Duke iu referuar kësaj fraze të Vladimir Poutineit të shprehur si nën tonin e shakasë dhe të përçuar nga shumë medie ndërkombëtare, më 24 nëntor 2016, kur, gjatë një ceremonie të Shoqërisë ruse të gjeografisë së transmetuar në televizion, ai deklaroi lidhur me kufijtë se ata «nuk mbarojnë askund». Lidhur me këtë «aderim», mund t’i referohemi edhe ndjenjës së optimizmit që sundon në popullsinë ruse sipas një analize të botuar prej kolektivit Coruscant : « Life Has Become Better, Life Has Become Happier: Why are Russians More Optimistic Than Before The War », nga Sergueï Shelin, e rimarrë në Les Grands Dossiers de diplomatie, n° 81, gusht-shtator 2024, me titullin «A janë rusët më optimistë se para luftës?». ↩︎
3. Në të dy rastet, bëhet fjalë përkatësisht për zbatimin, aktualisht efektiv pas shumë tensionesh, e marrëveshjes mes Serbisë dhe Kosovës për targat e makinave të pakicës serbe në kornizat e dialogut nën ndërmjetësimin europian, dhe për kërkimin e zgjidhjes për zbatimin e një direktive të Bankës Qendrore të Kosovës lidhur me ilegalitetin e përdorimit të monedhës së përdorur në Serbi, dinarit serb. Direktiva e bën euron të vetmen monedhë legale në përdorim, çështje tjetër që përbën sot burim kërcitjesh me komunitetin serb dhe komunitetin ndërkombëtar. ↩︎
4. Shih për këtë «Des heurts dans le nord du Kosovo font plusieurs dizaines de blessés », RFI, 29 maj 2023 ; « Pic de tensions après l’arrestations de policiers kosovars par Belgrade », L’Express prej AFP, 14 qershor 2023 ; Jean-Baptiste Chastand, « Au Kosovo, quatre morts dans l’attaque d’un commando serbe », Le Monde, 25 shtator 2023. ↩︎
5. Komandoja udhëhiqej nga biznesmeni Milan Radoiçiç, i njohur për veprimtarinë e tij ilegale në Serbi, Kosovë dhe Mal të Zi. Ai është i afërt me pushtetin në Beograd, për të cilin ka ushtruar për vite të tërë kontrollin mbi popullsinë serbe në veri. Qeveria e Kosovës ka kryer prej asaj dite konfiskimin e të gjitha pasurive të tij në vend, si dhe ka kërkuar më kot ekstradimin e tij ndërsa ky jeton i lirë në Serbi. ↩︎
6. Pas përballjeve në nëntor 2022 mes policisë së Kosovës dhe popullsisë serbe në veri të vendit, dhe pas dorëheqjes masive të Serbëve prej institucioneve lokalë nën presionin e partisë Lista serbe, e drejtuar nga Beogradi,u organizuan zgjedhjet komunale më 23 prill 2023 në katër komuna të veriut. Të bojkotuara prej partisë kryesore serbe, LS, votimi përfundoi me zgjedhjen e kryëtarëve shqiptarë, me pjesëmarrje rreth 3,5%. Hyrja me forcë në ndërtesë e një prej kryetarëve prodhoi dhunë, dhe forcat e NATO-s ndërhynë në mbështetje të policisë së Kosovës, duke shkaktuar rreth 80 të lënduar prej të cilëve nja tridhjetë në radhët e NATO-s. Që prej asaj dite «masa ndëshkimore» që ngrijnë financimet europianë u ndërmorën kundrejt Prishtinës sepse veproi pa koordinimin me partnerët ndërkombëtarë. Shih reagimin e BE-së: Jorge Liboreiro, « L’UE appelle la Serbie et le Kosovo à être « plus raisonnables » et à engager des négociations », Euronews, 19 qershor 2023, por edhe cette résolution du Parlement européen më 19 tetor 2023 që « sheh me keqardhje masat negative të marra kundër Kosovës nga Këshilli» (neni 21). ↩︎
7. Përveç asaj çka vijon në tekst, le të kujtojmë memorandumin e historianit Vaso Çubriloviç, më 7 mars 1937, mbi «zgjidhjen e vetme» të mendueshme sipas tij dhe Akademisë së shkencave, ajo e spastrimit të shqiptarëve të Kosovës jugosllave, duke u justifikuar se në atë kohë Gjermania po vepronte njësoj me çifutët dhe se Rusia po shtynte me miliona banorë drejt shpërnguljes. Memorandum i ribotuar nga antropologu dhe gjuhëtari kanadez Robert Elsie (1950-2017), specialist i letërsisë dhe folklorit shqiptar: 1937 | Vaso Cubrilovic: The Expulsion of the Albanians.
Ridëgjo podcastin me katër episode në France Culture : Slobodan Milošević, le nettoyeur des Balkans, 2023. ↩︎
8. Ibid. ↩︎
9. Cituar në fjalim: Vučić : Si vous tuez un Serbe, nous tuerons cens musulmans ! , 20 korrik 1995, pak pas gjenocidit të Srebrenicës (11-16 korrik 1995). ↩︎
10. Pas dështimit të misionit të vëzhgimit të organizatës për siguri dhe bashkëpunim në Evropë [OSBE] në Kosovë1998 ↩︎
11. Jean-Baptiste Chastand, “La commemoration du génocide de Srebenica: la communauté internationale passe en force sur fond de polarisation”, Le Monde, 24 maj 2024. ↩︎
12. Milica Cubrilo, “En Serbie, le retour en grâce du criminel de guerre Vojislav Seselj”, Le Figaro, 15 dhjetor 2022. ↩︎
13. “U.S. ‘Disappointed’ proposed Serbian Government Includes Blacklisted Individuals”, RFE/RL’s Balkan Service, 1 maj 2024. ↩︎
14. Shih njoftimin e fundit të gushtit mbi mbylljen e në veri të Kosovës së pesë institucioneve të tjerë paralelë të lidhur me Serbinë: “the Government of Kosovo confirmed the Closure of Five parellel Serbian Institution in the North”, Sarajevo Times, 31 gusht 2024. ↩︎
15. Shih për shembull komunikimin e Komisionit te Këshilli dhe Parlamenti Evropianë, “Enlargement Strategy and Main Challenges 2009-2010”, COM(2009)533 final. ↩︎
16. UNDP, Public Pulse Brief # 25, 28 shkurt 2024, https://www.undp.org/kosovo/press-releases/undp-publishes-public-pulse-brief-25 ↩︎
17. Shih https://atlas.bti-project.org/1*2024*CV:CTC:SELRKS*CAT*RKS*REG:TAB; po ashtu, HRW Report, countries, 2021, 2022, 2023, 2024; Freedom House – Freedom in the World, 2022, 2023, ku Serbia përfshihet në vendet me rënien më të madhe të demokracisë f. 3 dhe 7. ↩︎
18. Jean-Baptiste Chastand, “L’Allemagne mise sur la Serbie pour approvisionner son industrie automobile en lithium”, Le Monde, 19 korrik 2024. ↩︎
19. “Élections en Serbie: de nouvelles manifestations de l’opposition contre la fraude électorale présummée”, Le Monde me AP dhe AFP, 24 dhjetor 2023; Komunikatw shtypi e Parlamentit Europian, 8 shkurt 2024. ↩︎
20. Tweet i Josep Borrell, ose Radio Slobodna Evropa, 3 maj 2024. ↩︎
21. Shih https://www.theguardian.com/world/2024/feb/04/serbian-opposition-leader-secret-service-ordeal-nikola-sandulovic-kosovo-crimes-balkans ↩︎
22. Jean-Baptiste Chastand, “En vendant des avions Rafale à la Serbie, Emmanuel Macron espère éloigner Belgrade de Moscou”, Le Monde, 13 gusht 2024.