Trump-i u rikthye fuqishëm dhe po e ndryshon rrënjësisht botën. Në vend të rendit botëror të bazuar në rregulla, po instalon rendin e bazuar në fuqi. Këtë kapërcim duhet ta lexojnë më mirë vendet e vogla, sidomos ato në Ballkan, të cilat shpesh hyjnë në filmin e sovranitetit të pakontestueshëm, të cilin nuk e kanë as shtete që kanë armë bërthamore.
Shkruan: Xhelal Neziri
Donald Trump, presidenti amerikan që ka nisur mandatin e tij të dytë, ka shkaktuar tërmet politik dhe tregtar në SHBA dhe botë që muaji i parë në detyrë. Doktrina e tij shqetëson NATO-n dhe BE-në, të cilët përbëjnë pjesën më të madhe të Perëndimit, ndërkohë që është me shumë të panjohura edhe për Lindjen dhe Jugun Global. Me një fjalë, bota është në ankth dhe pritje të veprimeve të radhës së Trumpit.
Për ta kuptuar më mirë se çfarë synon ai, ideologjisë konservatore apo të djathtë, duhet parë edhe aspekti i teorive politike që përfaqëson ai në marrëdhëniet ndërkombëtare. Nëse aspekti ideologjik është i rëndësishëm për të parashikuar politikat dhe reformat brenda SHBA-ve, aspekti i teorisë politike mund të na ndihmojë të kuptojmë qasjen e tij në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Për dallim nga ish-presidenti demokrat Joe Biden, Trumpi i përket shkollës realiste në politikën e jashtme. Kjo politikë reflektohet edhe te dirigjenti i diplomacisë amerikane, Marco Rubio, por edhe te sekretarët tjerë shtetërorë.
Çfarë është realizmi në marrëdhëniet ndërkombëtare?
Historiani i Greqisë antike, Thukididi, që konsiderohet si themelues i kësaj shkolle, e ka parë botën si një skenë anarkike, ku “i forti bën atë që duhet ta bëjë, kurse i dobëti pranon (vuan) atë që duhet pranuar (vuajtur)”. Bota, sipas realistëve, është një xhungël e madhe ku nuk ka ligje dhe ku shtete të ndryshme janë në konkurrencë (luftë) të përhershme për më shumë ndikim. Në optikën e tyre organizatat ndërkombëtare, unionet apo aleancat nuk duhet të kenë një rol që do të zëvendësonte atë të shteteve. Është pikërisht fuqia e shteteve që përcakton vendin e tyre në rendin botëror, e jo vlerat apo parimet që promovohen nga ato organizata, union dhe aleanca.
Në fakt, realizmi, si teori politike, i ka karakterizuar marrëdhëniet ndërkombëtare gjatë 150 viteve të fundit. Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore, si dhe Lufta e Ftohtë, nuk arritën të krijojnë një mjedis në të cilin institucionet ndërkombëtare do të luanin një rol të madh në ruajtjen e paqes dhe shtetet do të udhëhiqeshin nga i ashtuquajturi moral ndërkombëtar.
Realizmi dhe liberalizmi mbeten teoritë kryesore politike në marrëdhëniet ndërkombëtare. Përkrahësit e realizmit besojnë se një botë anarkike vetëm shteti mund të mbrojë qytetarët e tij. Sipas tyre, shtetet janë në konflikt të vazhdueshëm me njëri-tjetrin për të mbrojtur interesat e tyre kombëtare, kështu që ato duhet të jenë faktori i vetëm në këto marrëdhënie. Vlerat, parimet ose arsyeja, – besojnë ata – nuk duhet të jenë pengesë për arritjen e këtyre qëllimeve të shtetit. Siguria e shtetit është qëllimi kryesor i realistëve dhe, për ta arritur atë, është e nevojshme të sigurohet një ekuilibër i fuqisë midis shteteve. Shtetet, sipas ithtarëve të kësaj teorie, nuk duhet të jenë të varur nga njëri-tjetri pasi janë në një situatë të vazhdueshme të konfliktit dhe armiqësisë së mundshme. Institucionet ndërkombëtare ose organizatat mbikombëtare nuk duhet të përcaktojnë ose zëvendësojnë interesat kombëtare të secilit shtet individualisht.
Pjesë e kësaj tabloje është sigurisht Ballkani, një rajon që shpesh është sinonim i nacionalizmit, urrejtjes dhe luftërave midis vendeve që jetojnë atje. Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe fillimit të shpërbërjes së Jugosllavisë në 1990, realizmi u bë qasja e vetme në marrëdhëniet midis kombeve, dhe më pas midis shteteve të reja të krijuara.
Liberalistët, nga ana tjetër, thonë se shtetet janë aktorë të rëndësishëm në marrëdhëniet ndërkombëtare, por nuk janë të vetmit. Në këtë kontekst, aktorë nga shoqëria politike, civile dhe ekonomike, si organizatat joqeveritare, dhomat e tregtisë, shoqatat e qytetarëve, etj., gjithashtu mund të luajnë një rol të rëndësishëm. Në vend të anarkisë, liberalët i shikojnë marrëdhëniet ndërkombëtare në mënyrë më optimiste, duke theksuar rendin dhe harmoninë e mundshme të bazuar në vlerat morale ndërkombëtare. Kjo është arsyeja pse ata vendosin vlerat, parimet dhe arsyen para interesave të ngushta shtetërore. Ndryshe nga realistët, liberalët shohin një mundësi të madhe për të arritur dhe ruajtur paqen brenda institucioneve ndërkombëtare, si FMN, OBSH, OKB, BE apo NATO. Në këtë kontekst, Bashkimi Evropian (BE) është projekti dhe rezultati më i rëndësishëm i qasjes liberaliste, i cili për herë të parë në historinë e kontinentit siguroi paqe dhe bashkëpunim midis kombeve evropiane në 60 vitet e fundit. Kjo paqe dhe besim reciprok ka kontribuar në krijimin e një tregu të vetëm me mundësi të panumërta për ekonominë, duke e bërë BE-në një nga ekonomitë më të forta në botë.
Realistët preferojnë konkurrencën, ndërsa liberalët preferojnë bashkëpunimin. Ndërsa të parët mendojnë se ndikimi mund të arrihet vetëm përmes përdorimit të “fuqisë së fortë”, siç është ndërhyrja ushtarake, këto të fundit bëjnë thirrje për përdorimin e “fuqisë së butë”, dmth. ndikimi përmes kanaleve diplomatike, duke ofruar fonde, tregje, përvoja, investime dhe përfitime të tjera për vendet. Liberalët kushtëzojnë bashkëpunimin me vendet e tjera me vlerat demokratike, respektimin e të drejtave të njeriut, dinjitetit dhe lirive. Ata besojnë se nëse shtetet ndajnë të njëjtat vlera demokratike, ata nuk kanë shumë gjasa të hyjnë në një konflikt të drejtpërdrejtë me njëri-tjetrin. Dhe anasjelltas – demokracitë janë të prirura për luftëra me forma autoritare, diktatoriale dhe forma të tjera të regjimeve jodemokratike. Për realistët, nuk ka rëndësi nëse shteti me të cilin ata bashkëpunojnë i kultivon këto vlera, mjafton që ai bashkëpunim të jetë në interes të shtetit dhe sigurisë së tij. Eksportimi i demokracisë, vlerave ose moralit ndërkombëtar në vendet e treta, sipas tyre, është humbje kohe dhe burimesh. Shembuj janë rastet e Irakut dhe Afganistanit, ku Shtetet e Bashkuara nuk kanë arritur të krijojnë një sistem demokratik për funksionimin e atyre vendeve.
Trump-i u rikthye fuqishëm dhe po e ndryshon rrënjësisht botën. Në vend të rendit botëror të bazuar në rregulla, po instalon rendin e bazuar në fuqi. Këtë kapërcim duhet ta lexojnë më mirë vendet e vogla, sidomos ato në Ballkan, të cilat shpesh hyjnë në filmin e sovranitetit të pakontestueshëm, të cilin nuk e kanë as shtete që kanë armë bërthamore. Kjo paralajmëron një diplomaci më agresive amerikane në rajon, e cila do synojë të prodhojë zgjidhje të shpejta të problemeve, pa humbje kohë në ndjekjen e protokolleve diplomatike apo të parimeve apo vlerave demokratike. Kontesti Prishtinë-Beograd, Shkup-Sofje apo problemi mosfunksionimit të Bosnjë e Hercegovinës nuk do të mbahen në “status quo”, por do të trajtohen sipas doktrinës së Trump-it, e cila parasheh përdorimin e “fuqisë për paqe”. Në këtë qasje nuk ka më shumë rëndësi ai që ka të drejtë, por ai që është më i fortë.