Nga Zef PREÇI
UNIONI EKONOMIK EUROAZIATIK (EAEU) SI ALTERNATIVË PËRBALLË BE-SË?
Është një fakt i njohur për botën përreth nesh që Bashkimi Europian ka një konkurrent politiko-ekonomik në fuqizim e sipër. Fjala është për Unionin Ekonomik Euroaziatik (EAEU), një organizëm që në thelb synon jo thjesht të rivalizojë BE-në, por së pari të rikrijojë një lloj Bashkimi Sovjetik ekonomik si dhe të redimensionojë për rrjedhojë edhe rolin gjeopolitik të Rusisë.
EAEU është krijuar më 2015 me nismën e Presidentit Putin mbas përpjekjeve për të riintegruar hapësirën postsovjetike, ndërsa rënien e Bashkimit Sovjetik ai e ka përshkruar si “katastrofa më e madhe gjeopolitike e shekullit”. Më herët, në një artikull në Izvestia, ai pati paraqitur vizionin e tij për një Bashkim Euroaziatik, madje duke u theksuar në mënyrë eksplicite shembullin e Bashkimit Europian, si dhe deklaroi se “Europës iu deshën 40 vjet për të kaluar nga Komuniteti Europian i Qymyrit dhe Çelikut në Bashkimin e plotë Europian. Themelimi i Unionit Doganor dhe Hapësirës së Përbashkët Ekonomike po ecën me një ritëm shumë më të shpejtë sepse mund të mbështetemi në përvojën e BE-së dhe shoqatave të tjera rajonale. Ne shohim pikat e forta dhe të dobëta të tyre”. Është interesante të theksohet se qysh në mbledhjen themeluese të liderëve politikë të vendeve pjesëmarrëse në Bashkimin Euroaziatik të Rusisë, parashikohej edhe bashkimi doganor i shteteve anëtare. Neni 25 përcaktonte, ndër të tjera, edhe sa vijon:
“…1) Do të krijohet një treg i brendshëm për mallrat;
2) Zbatohet Tarifa Doganore e Përbashkët e Unionit Ekonomik Euroaziatik dhe masa të tjera të përbashkëta që rregullojnë tregtinë e jashtme me palët e treta;
3) Një regjim i përbashkët tregtar do të zbatohet për marrëdhëniet me palët e treta;
4) Zbatohen rregulloret e përbashkëta doganore;
5) Qarkullimi i lirë i mallrave midis territoreve të Shteteve Anëtare sigurohet pa përdorimin e deklaratave doganore dhe kontrollit shtetëror (transporti, karantina sanitare, veterinare-sanitare, fitosanitare), përveç siç parashikohet në këtë Traktat”.
ÇFARË ROLI KA SERBIA NË UNIONIN EUROAZIATIK?
Gati dy vjet me parë, ndërsa Procesi i Berlinit krijoi mundësinë që liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor të takoheshin kohë e pakohe dhe te zhvendosnin edhe fokusin e kësaj nisme nga hapësira e lirë ekonomike, në Mini-Shengenin për të ardhur te “Ballkani i Hapur”, Serbia u anëtarësua në EAEU. Duke kundërshtuar paralajmërimet e BE-së se marrëveshje të tilla nuk janë në përputhje me anëtarësimin në BE, Kryeministrja serbe, Ana Bernabic, nënshkroi në fund të tetorit 2019 një marrëveshje të tregtisë së lirë midis Beogradit dhe këtij blloku ekonomik të udhëhequr nga Rusia. Negociatat për të hyrë në një marrëveshje të tillë të unifikuar të tregtisë së lirë që për të pesë vendet anëtare të EAEU kishin filluar qysh më 2016 dhe njëkohësisht me Serbinë, marrëveshja e tregtisë së lirë me Unionin Ekonomik Euroaziatik të udhëhequr nga Rusia, u nënshkrua nga Kryeministrat e Rusisë, Bjellorusisë, Kazakistanit, Kirgistanit dhe Armenisë.
Studime të ndryshme tregojnë se interesat ekonomikë të Serbisë e mundësojnë dhe e bëjnë të volitshme një marrëveshje të tillë. Kështu, sipas ministrit të Tregtisë të Serbisë, Rasim Ljajiç, rreth 83 për qind e shkëmbimit të përgjithshëm të tregtisë së jashtme të këtij vendi me vendet e Unionit Ekonomik Euroaziatik realizohet me Federatën Ruse. Ndërkaq, bashkëpunim ushtarak midis dy vendeve gjatë tre-katër viteve të fundit ka njohur intensifikim si asnjëherë tjetër më parë. Ministri Serb i Inovacionit dhe i Zhvillimit Teknologjik, Nenad Popoviç, me cilësinë e kreut të komitetit ndërqeveritar për bashkëpunimin me Rusinë, deklaroi për agjencinë ruse të lajmeve, TASS, se konsideronte nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje si “një moment historik për Serbinë”, marrëveshje e cila ka hyrë në fuqi më 10 korrik 2021, para vetëm disa javëve më parë. Ai shtoi se do të bëjë çmos që “…ekonomia serbe të marrë pozicionin më të mirë në këtë treg dhe të eksportojë sa më shumë e mundshme në të ardhmen. Në të njëjtën kohë, do të doja të ftoja investitorë nga Rusia dhe EAEU për të investuar në Serbi. Qeveria serbe siguron subvencione të larta për vendet e reja të punës. Ne po zhvillojmë një infrastrukturë të shkëlqyer transporti dhe kemi arsimuar në mënyrë perfekte personeli inxhinierik. Falë kësaj, Serbia ka qenë një udhëheqëse globale në tërheqjen e investimeve të huaja direkte në vitet e fundit”.
Siç dihet, Serbia eksporton kryesisht metale (çelik, bakër), teknologji të lartë, makineri dhe pajisje, produkte bujqësore, produkte ushqimore, produkte petrokimike, energji elektrike, ilaçe, etj.
SI ËSHTË PRITUR NË BE KJO PËRFSHIRJE E SERBISË NË EAEU?
Ndërsa Serbia nënshkruante angazhimin e vet shtetëror për t’u anëtarësuar në këtë bashkim ekonomik alternativ të BE-së nën drejtimin e Rusisë dhe me pjesëmarrjen e Rusisë, Bjellorusisë, Kazakistanit, Kirgistanit dhe Armenisë, BE paralajmëroi se “…do të monitorojë nga afër marrëdhënie të tilla, mbasi Serbia është një kandidate për t’u bashkuar me Bashkimin Europian”.
Argumentet e Serbisë se kjo marrëveshje nuk ishte problematike në lidhje me procesin e integrimit të Serbisë në BE duket se nuk u mirëpriten ne Bruksel. “Kjo nuk është në asnjë mënyrë në kundërshtim me politikën tonë [pro] europiane; unë mendoj se kjo është komplementare me politikën tonë europiane dhe rrugën tonë drejt BE -së. Sepse është në interesin e BE-së që të ketë një Serbi ekonomikisht më të fortë… dhe një marrëveshje e tregtisë së lirë me EAEU do të na sigurojë ato shanse”, deklaroi Kryeministrja serbe në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes së tregtisë së lirë me EAEU, të udhëhequr nga Rusia.
Reagimi i BE-se ndaj kësaj marrëveshjeje të Serbisë ka qenë i matur, por nuk ka kaluar pa vëmendjen e duhur. David McAllister, një parlamentar i BE-së dhe ish-raportues i Parlamentit Europian për Serbinë, deklaroi se marrëveshja e re duhet të ketë “një klauzolë daljeje që do të garantojë që Serbia mund të anulojë marrëveshjen deri në kohën e afrimit në BE”. Ai shtoi për Radion “Europa e Lirë”, edhe se “Serbia duhet të sigurojë përputhshmërinë e të gjitha marrëveshjeve të saj tregtare, investimeve dhe bashkëpunimit ekonomik dhe marrëveshjeve të tjera përkatëse me acquis ligjore të BE-së”.
NË VEND TË NJË KONKLUZIONI MBI PËRFSHIRJEN E SHQIPËRISË NË NISMËN E “BALLKANIT TË HAPUR”
E tash të vijmë te debati ynë publik mbi “Ballkanin e Hapur”. Në vlerësimin tim, pa iu shmangur thelbit të debatit që lidhet me hapjen ekonomike ndaj botës duke filluar me rajonin tonë para së gjithash, mendoj se nevojitet një maturi e madhe e udhëheqësisë politike të vendit. Kështu që disa parime të thjeshta nuk mund të mos mbahen parasysh në këtë proces apo në çfarëdo procesesh të tjera të ngjashme.
Së pari, fokusi themelor i politikave ekonomike të vendit dhe bashkëpunimit me jashtë në lëmin e tregtisë dhe investimeve, duhet të jete përshpejtimi i zhvillimit të ekonomisë sonë kombëtare. Vetëm kështu hidhen hapa të qëndrueshëm drejt “ekonomisë së shkallës”, e cila nga ana e vet duhet të jetë parakusht për hapjen e mëtejshme të ekonomisë sonë. Kjo vlen edhe për kabinetin e ri qeveritar që fillon punë muajin që vjen, ndonëse perceptimi i përgjithshëm është se do të jetë një përsëritje e zbehtë e dy mandateve të mëparshme të z. Rama.
Së dyti, duke lënë mënjanë interesin e ekonomisë së Serbisë për lidhjet e saj të natyrshme me Rusinë dhe vendet satelite të Rusisë, zhvillimi ynë ekonomik mund dhe duhet të jetë i bashkërenduar me ekonominë e Kosovës. D.m.th., në themel të çfarëdo bashkëpunimi rajonal duhet të jetë bashkëpunimi ekonomik shqiptaro-shqiptar. Kushtëzimi i thellimit të këtij bashkëpunimi nga Republika e Kosovës me njohjen nga Serbia duhet trajtuar si një e drejtë legjitime e një vendi sovran dhe lidershipi politik shqiptar në pushtet duhet të heqë dorë nga çfarëdo roli paternalist ndaj kësaj republike. Vënia në zbatim e marrëveshjeve multilaterale të arritura gjatë dy dekadave të fundit duke filluar me CEFTA-n duhet parë si rritje e besimit të ndërsjellë që krijon premisat për një intensifikim të mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal pa komprometuar qëllimin final: anëtarësimin në BE.
Një analizë e hollësishme e ecurisë së derisotme të Procesit të Berlinit të çon lehtësisht në përfundimin se Gjermania dhe BE e sugjerojnë Tregun e Përbashkët Rajonal sipas platformës së miratuar në Samitin e Sofjes BE-Ballkani Perëndimor të vitit të kaluar, të pranuar nga 6 vendet e rajonit. Ndërsa kapërcimet pindarike për të mbërritur te “Ballkani i Hapur” nuk bëjnë gjë tjetër, përveçse largojnë vende të veçanta (siç ka ndodhur) si dhe cenojnë besimin ndërmjet tyre ndaj vete procesit.
Së treti, institucionet shtetërore shqiptare, me durim dhe me argumente ekonomike, juridike, etj., duhet të largohen nga amatorizmi në marrëdhëniet ekonomike rajonale, si dhe nga deklaratizmi bosh që rrjedh nga takimet butaforike rajonale, që thjesht ndihmojnë në përmirësimin e imazhit të Serbisë në arenën ndërkombëtare, por dhe “ngrenë mure” të reja në marrëdhëniet e Shqipërisë me Republikën e Kosovës. Po kështu, edhe duartrokitjet e qeveritarëve shqiptarë ndaj cilësdo deklarate europiane dhe amerikane, që nxit bashkëpunimin ne tërësi midis vendeve të Ballkanit Perëndimor me nxitimin për ta “përkthyer” si mbështetje për idenë gjysmake të “Ballkanit të Hapur” nuk i shërbejnë as bashkëpunimit rajonal dhe as atij shqiptaro-shqiptar, përveçse mund të ndihmojnë për të larguar vëmendjen e publikut nga problemet e mëdha politike, ekonomike, institucionale dhe të demokracisë, me të cilat ndeshet Shqipëria e sotme.
Së fundi, përfshirja e Serbisë në EUEA nuk mund të mos ngrejë pikëpyetje të mëdha mbi ambiciet hegjemoniste të këtij vendi në rajon e më gjerë, mbi paqëndrueshmërinë që mund të krijojë nxitimi drejt “Ballkanit të Hapur” pa dogana, për ndikimet e pashmangshme politike që krijohen me këtë rast etj. Më konkretisht, nëse Serbia nuk iu bashkua sanksioneve të fundit të BE-së ndaj Rusisë, kjo vjen edhe nga qenia vend anëtar i EUEA-së. Fuqia ekonomike e Serbisë nuk duhet injoruar në asnjë rast dhe vetëm udhëheqës shtetërorë të papërgjegjshëm ndërmarrin veprime politike që rrënojnë më tej ekonominë kombëtare dhe fuqinë konkurruese të saj. [Panorama/ISHGJ]