Trumpi po riorienton rrënjësisht politikën e jashtme të SHBA-ve. Aleanca e vjetër transatlantike duket se ka marrë fund. Megjithatë, kudo që është e mundur, Evropa duhet të bashkëpunojë me Amerikën.
Nga Dr. Jackson JANES* [IP]
Pas përballjes spektakolare mes Zelenskit dhe Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, Kaja Kallas, shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, ishte shumë e sigurt. “Bota e lirë ka nevojë për një udhëheqës të ri,” tha ajo. I takon Evropës ta marrë këtë rol. Megjithatë, nëse kjo është e realizueshme për një Evropë që vetë po lufton me tensionet e brendshme, mbetet e hapur. Nëse është e vërtetë që Evropa reagon pikërisht kur kriza është e afërt, atëherë mundësia tani është aq e mirë sa është e rrallë.
Tensionet në marrëdhëniet transatlantike duket se po arrijnë një kulm të ri. Burimi kryesor është sjellja e Trumpit në lidhje me luftën e Ukrainës, duke filluar nga njoftimi i tij mburravec se mund t’i jepte fund kësaj lufte në kohën më të shkurtër të mundshme. Ndërsa ai i bëri presion të madh presidentit ukrainas për të rënë dakord për një armëpushim, ai ishte shumë më miqësor me Vladimir Putinin. Ai i mbajti evropianët larg negociatave fillestare.
Megjithatë, një konflikt edhe më themelor po rritet mes SHBA-së dhe Evropës. Donald Trump dëshiron të riformësojë marrëdhëniet globale të vendit të tij bazuar në qasjen e tij transaksionale. Kjo qasje ka pak të bëjë me vlerat e përbashkëta dhe Trumpi nuk dëshiron të pengohet nga organizatat apo traktatet ndërkombëtare. Ai vlerëson marrëdhëniet me jashtë sipas llogarisë së fitimit dhe humbjes për SHBA. Ai udhëhiqet nga bindja se bota dominohet nga një grup aktorësh rajonalë, të udhëhequr nga interesat kombëtare dhe politika e pastër e pushtetit. Ai dëshiron të sigurojë që SHBA janë dhe mbeten një superfuqi në këtë skenë – në rrugën për ta bërë Amerikën “përsëri të madhe”.
Kjo perspektivë nënkupton faktin se duhet të mos i shikosh më Shtetet e Bashkuara si një fuqi evropiane. Ky rol, të cilin SHBA-të e kishin luajtur që nga Lufta e Dytë Botërore, bazohej në premisën se Amerika duhej të përfshihej aktivisht në Evropë për të siguruar ekuilibrin në kontinent në interesin e saj. Ky rol u institucionalizua nëpërmjet themelimit të NATO-s në vitin 1948, Planit Marshall dhe pranisë së përhershme ushtarake të SHBA-së. Aleanca funksionoi si një shumëzues forcash për Shtetet e Bashkuara, me bashkëpunimin me evropianët jo vetëm që u shërbente interesave rajonale të Shteteve të Bashkuara atje, por edhe duke lehtësuar angazhimin amerikan në pjesën tjetër të botës.
Nga këndvështrimi i Trumpit, ky kuadër institucional nuk ofron më një bazë të qëndrueshme për marrëveshjet transatlantike, edhe nëse NATO do të vazhdonte të ekzistonte. Trumpi nuk e sheh marrëdhënien si një pasurim, por përkundrazi e sheh Evropën si një kundërshtar. Ai po e përcjell këtë mesazh duke vendosur tarifa të larta për importet nga Evropa dhe duke sulmuar politikën dixhitale të BE-së, krahas ankesave të kahershme për shpenzimet e pamjaftueshme evropiane të mbrojtjes. [Përktheu: ISHGJ]
- Jackson Janes është një bashkëpunëtor i lartë në fondacionin gjerman Marshall dhe President Emeritus i Institutit Amerikan për Studime Bashkëkohore Gjermane në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, DC.