Nga Dritan GOXHAJ, Tiranë
Në vitin e largët 1962 gjenerali amerikan Mac Arthur mbajti një fjalim para kadetëve që po diplomoheshin nga një prej akademive më prestigjoze ushtarake të botës, në West Point.
Në fjalën e tij mbresëlënëse, ai foli për moton e kësaj shkolle e cila në të vërtetë ka qënë motoja e gjith akademive ushtarake të botës anembanë, por edhe moto e shumë ushtrive të botës.
Mac Arthur i bëri elogji një kodi etik për të cilin të gjithë ata që nuk kanë besuar e që nuk besojnë do thonë se janë vetëm fjalë, ose thjesht një slogan.
Çdo cinik, çdo demagog, çdo hipokrit, çdo ngatërrestar dhe çdo person me karakter të dobët e të dyshimtë do të tallet me atë kod.
Ai kod është:
Detyra, Nderi, Atdheu!
Tre fajlë këto që Mac Arthur i cilësoi “ Tre fjalë të shenjta, që diktojnë me nderim se çfarë duhet të jesh, çfarë mund të jesh, çfarë do të jeshë. Ato janë pika e grumbullimit për të ndërtuar guximin, kur të duhet të dështosh guxim; të rifitosh besimin, kur duket se ka pak arsye për besim; të krijosh shpresë, kur shpresa bëhet e dëshpëruar”.
Një kod ky të cilin tashmë prej marsit të këtij viti kjo akademi ndër më të mirat e botës moderne, West Point, e cila ka nxjerrë uhëheqës ushtarakë dhe politik që kanë ndryshuar rrjedhën e botës, ka vendosur që ta heqi, e mos e përdori më si moto të sajën.
Çdokush që sot nuk është cinik, demagog e hipokrit, nuk i duhet ndonjë doktoraturë në filozofi morale për të kuptuar se me çfardo lloj togfjalëshi tjetër të zënvendësohet kjo moto, nuk mund të zëvendësojë këto vlera thelbësore që mbartin këto tre fjalë.
Detyra, Nderi, Atdheu janë elementët kryesorë të ethosit të një luftëtari.
Të trija këto fjalë nuk shkojnë dot po njëra tjetrën.
Dhe që nga ky vit, një nga tre ushtritë më të mëdha e më të fuqishme të botës, ajo amerikane, nuk do prodhojë më as udhëheqës ushtarak e as politik që të kenë si moto këto tri fjalë.
Ku nderi dhe atdheu në veçanti janë vlerat kyçe jo vetëm të ushtrisë, por edhe të një shoqërie të shëndoshë, dhe të familjes.
“Nderi është ai që e detyron një njeri të luftojë në dy mënyra” thotë studiuesi ushtarak Paul Robinson. Pozitivisht, nëpërmjet dëshirës për të treguar virtyt dhe për të fituar nder; negativisht, nëpërmjet dëshirës për të shmangur çnderimin dhe turpin”.
Ndërsa filozofi politik amerikan, Kristofer Lash (Christopher Lasch), shkruan në vitin 1995
“ Elitat po mundohen të tërheqin vëmendjen drejt një trendi të de-nacionalizimit, duke e zëvendësuar atdheun me lidhje tregëtare ndërkombëtare, me para, me magjepsje, me modë dhe me kultura popullore. Ku fillon e pyet veten nëse je më pjesëtar i një vendi apo jo, dhe ku patriotizmi nuk renditet aspak në hierarkinë e virtyteve të tyre”.
Dhe pastaj në mungesë totale të patriotizmit, atëherë do të përqafojnë diversitetin dhe multikuturalizmin, të cilat i propagandojnë edhe ato të vetshpallura elitat tona politike dhe shoqërore edhe këtu te ne në Shqipëri. (Mjafton të dëgjosh kryeministrin, dhe gjithë përfaqësuesit e tjerë të gjithë spektrit politik sesi e sulmojnë patriotizmin dhe përqafojnë multikulturalizmin dhe diversitetin, e në veçanti atë gjinor)
Dhe sot heqja e kësaj moto nga një institucion që pretendohet të krijojë ato elita ushtarake që jo vetëm do të udhëheqin NATO-n në të ardhmen, por që edhe do të mund të marrin pjesë në një luftë të cilës po i frynë çdo ditë, i shërben përforcimit të një nga simptomave më të shquara të çarmatimit moral të këtij perëndimi, e cila është indiferenca në rritje ndaj autoritetit të shtetit kombëtar.
Dhe cinikët, hipokritët e demagogët do thonë se kjo nuk ka lidhje pasi po ndodhë vetëm në ushtri- unë i them që në jetën civile kjo moto është e ndërlidhur me virtytet civile – Patriotizmi, Detyra, Shërbimi- statuti i të cilave sot janë zhvlerësuar qëllimisht nga politika, veçanërisht ajo perendimore.
Dhe kjo bëhet me qëllimin që të ulet dhe të humbas totalisht statuti i virtytit civil në mënyrë që shoqërisë në të cilën jetojmë, t’i humbas sensi i qëllimit, i cili është kryesori që kërkohet për të drejtuar një shoqëri në mënyrë efektive.
Dhe kjo çarmatosje morale nuk është vetëm në Amerikë, por ajo është shtrirë edhe më shumë në Britani dhe në disa vende të tjera të perëndimit, ku bëhet çmos për të evituar shprehjet publike të krenarisë kombëtare mbi pretendimin se mund të preken refugjatët e ardhur në këto vende.
Heqja nga përdorimi i këtyre kodeve ushtarake dhe civile që përbërjnë ethosin e një luftëtari, qoftë në ushtri e qoftë në jetën civile, përbën rrënimin më të madh të autoritetit moral, i cili pasi të rrënohet sjell dekadencën kulturore dhe shoqërore.
Atë dekadencë që ka filluar – mjafton të shohësh festivalin Europian të këngës.
Zhdukja nga fjalori i këtyre fjalëve : Detyra, Nderi, Atdheu, Patriotizmi, Shërbimi – shënojnë dhe nënkuptojnë një ndryshim në sistemin e kuptimit të shoqërisë.
Dhe kjo pastaj krijon mundësinë për të sulmuar edhe bazën e Nderit dhe Atdheut – Familjen.
Këto tre fjalë të këtij kodi antik të luftëtarit janë baza për të ndërtuar karakterin e për t’u bërë mbrojtjës të atdheut.
Me zhdukjen e këtij kodi, perëndimi po çarmatoset moralisht.
Dhe pastaj lind pyetja: si do mund një perëndim i çarmatosur moralisht të luftojë me një armik si Rusia, ku këto tre fjalë vazhdojnë të jenë motoja në të gjitha akademitë e saj ushtarake dhe motoja e operacionit të saj ushtarak në Ukrainë?
PS: Vallë a mund të luftojmë e të fitojmë pa moral?!