Koncepti perëndimor i të drejtave universale rrënjët i ka në kufizimet e pushteteve mbretërore prej proceseve kushtetuese në fund të mesjetës. Por, po aq i ka rrënjët edhe te përpjekja napoleonike, që synoi krijimin e një perandorie mbareuropiane edhe me ndihmën e popujve të cilëve u premtonte zgjerimin e të drejtave dhe avancimin e tyre prej vlugut në qytetari.
Arbër ZAIMI, politolog
Poeti romak, Ovidi, u syrgjynos në brigjet e Detit të Zi. Arsyeja e saktë e internimit nuk dihet, Ovidi vetë përmend se qenë dy arsye: një poezi e një gabim, por nuk zgjatet më tej e nuk na tregon as cila qe poezia e as cili qe gabimi që e degdisi poetin aq larg kryeqytetit të botës antike, Romës. Shtatëmbëdhjetë shekuj më vonë në po të njëjtat brigje të Detit të Zi përfundon syrgjyn Ibrahim Nezimi nga Berati, një ndër poetët më të mirë të shqipes së asaj kohe, shkruar me alfabet arab. Nezimi nuk shkroi ndonjë “Tristia” si ajo e Ovidit, por nga vjershat e tij dimë se lutej të lejohej të kthehej në vatan, se nuk e duronte dot largësinë e imponuar. E lejuan të kthehet e ai u falënderua shumë, por lejimi qe veç i përkohshëm. Kallami i poetit shponte aty ku s´duhet, kështu që s´e lanë të vdiste në Beratin e bardhë, por e hodhën në hapsanat e zeza të Stambollit, ku edhe vdiq pa patur pranë ndokënd të ndriçuar, aq sa për t´ia mbledhur poezitë e mbrame.
Roma në kohën e Ovidit ishte perandori e fortë e vitale, ashtu si edhe perandoria e Osmanëve në kohën e Nezimit. Të dyja perandoritë me siguri e mendonin veten, në mendjet e byrokratëve të lartë e të pushtetarëve, si të pavdekshme. Mirëpo, ne sot e dimë se pak shekuj më pas të dyja perandoritë ranë, me rënien e Romës hyri në periudhë të errët perëndimi europian, e 15 shekuj më vonë dekadenca dhe zhbërja e pushtetit osman, që kufirin verior e pati në Ukrainë e atë jugorin në Detin e Kuq, perëndimorin në Ballkan e lindorin në Persi, la pas disa vorbulla dhune e gjaku. U deshën 8-9 shekuj që Europa Perëndimore të dilte prej asaj errësire ku e la shkatërrimi i superfuqisë, me lëvizjen kulturore e politike që u quajt jo më kot rinascimento – renaiscance pra Rilindje. Urojmë me gjithë shpirt që të mos u duhet gjithaq kohë e gjatë vendeve e rajoneve post-otomane për të gjetur brenda vetvetes energjitë për organizim qytetëror.
Rënia e perandorive është punë e gjatë shumë për t´u studiuar e për t´u shpjeguar, por vdekja e tyre është fakt historik i pashmangshëm sado që byrokratët naivë shpresojnë në përjetësinë, ndërsa ringjallja e tyre e pamundur pavarësisht nostalgjikëve. Por, studimi i historisë, në mos për gjë tjetër, mund të na shërbejë për të diagnostifikuar sadokudo aktualitetin, mbase dhe për të nxjerrë ndonjë mësim për të mos lejuar përsëritjen e barbarive të njëjta. Ka studiues që pajtohen në disa karakteristika që shfaqin perandoritë që kanë hyrë në teposhtëzën e dekadencës. Veçojmë si me rëndësi për analizën politike këto tre karakteristika:
I. Byrokratizimi i politikës, pra zhveshja e publikut prej politikës njëkohësisht zbrazja e politikës prej publikes dhe përqendrimi i pushtetit politik te aparati burokratik (teknokratët). Zhveshja e njeriut të thjeshtë nga politika, në kuptimin e humbjes së shpresës që angazhimi i tij individual, madje edhe angazhimi kolektiv i popullit të një qyteti, të një krahine apo edhe të një shteti të tërë, mund të ketë ndonjë pasojë reale. Kjo mbjell dëshpërim, apati, eskapizëm.
II. Oligarkizimi i ekonomisë, përqendrimi i pasurisë në fare pak duar latifundistësh, çifligarësh, monopolistësh, pra privimi i publikut prej qasjes në të mirat që prodhon vetë përmes punës a përmes konsumit, njëkohësisht largimi i fokusit të ekonomisë prej së mirës së përbashkët dhe kthimi i saj kah vetja (idios), duke u bërë kështu ekonomi idiotike. Kujtojmë se edhe për themeluesin e liberalizmit ekonomik, filozofin Adam Smith, ishte e nevojshme të theksohej se arsyetimi i tij si shkak fillestar, po edhe si objektiv madhor kishte pikërisht mëtimin e së mirës së përbashkët, gjë me të cilën filozofët e sotmë të tregut të lirë, tallen. Sidoqoftë, stërpasurimi i fare pak njerëzve do të thotë stërvarfërim i shumicës ekstreme, e cila mandej mbetet pre e lehtë për lloj-lloj filantropësh a premtimesh populiste.
III. Klerikalizimi e ritualizimi i besimit, pra reduktimi i komunitetit fetar në komunitet të bashkuar prej riteve identifikuese, por jo fort në solidaritet e mision, njëkohësisht monopolizimi i diskursit religjioz prej byrokratëve dhe zyrtarëve klerikalë, të cilët kufizohen etikisht e teologjikisht prej raportit të ndërvarur me fuqitë shtetërore dhe ekonomike, ndaj nuk përmbushin dot nevojat shpirtërore e aq më pak intelektuale të besimtarëve, të cilët për pasojë mbeten pre e lehtë për manipulantë karizmatikë që shpikin fe e sekte të reja.
Këto tre shkretime e zgavrojnë së brendshmi çdo perandori që përjeton fazën e plakjes. Kur publiku brenda perandorisë zvetënohet në këtë mënyrë, dyndja e barbarëve është e pashmangshme. Barbaria e vërtetë është pikërisht ky asgjësim i publikut dhe mbifuqizim i të paktëve, e kjo barbari hedh rrënjë shumë përpara se të ndodhin dyndjet.
Bota sotme e shënuar nga perëndimorizmi mund të përkufizohet si e rrënjosur në Rilindjen Europiane të sipërpërmendur. Një suksesion procesesh politike e kulturore e kanë përkufizuar atë, uniformimi i fesë dhe liberalizimi i të drejtës së besimit e shekullarizimi (reforma e kundërreforma), uniformimi i ligjeve, centralizimi i shtetit dhe konstitucionalizimi e shpërndarja e të drejtave, kolonializmi e antikolonializmi, krijimi i perandorive mbikombëtare e i shteteve kombëtare. Një dialektikë e cila për sa kohë që ka krijuar vazhdimisht veten dhe të kundërtën e saj, veç është zgjeruar. Për sa kohë që kontradiktat mbeteshin të gjalla e pa zgjidhje, perandoria perëndimore ishte në rritje. Ama legjenda e vjetër e Edipit tregon se Sfinksi shkatërrohet pikërisht kur problemi i tij gjen zgjidhje, kur kontradikta pushon së ekzistuari, kur paradoksi zbërthehet.
Të mbrujtur nga kultura e arsimi perëndimor, shpesh dëgjojmë të thuhet në publik se ka të drejta ky apo kjo, ata apo ato, grupe kulturore e shtresa të ndryshme shoqërore, njerëz me kondicione, nevoja e mënyra jetese të caktuara, madje së fundi thuhet edhe për kafshët që gëzojnë të drejta.
Shpesh pohohet, me besim naiv, se arsyeja pse një njeri a komunitet gëzon të drejtat, është thjesht pse ekziston. Nëse filozofi themelor për iluminizmin e modernizmin perëndimor, Rene Descartes-i, thoshte „vramendem pra jam“ ndërsa filozofi kryesor ekzistencialist, Jean Paul Sartre-i thoshte „ekzistenca i paraprin të qenit“, shumëkushi që mbase as nuk ia di emrin Descartes-it dhe Sartre-it e as nuk lodhet për ta vrarë mendjen si ata, pohon me po aq krenari „ekzistoj pra kam të drejta“. Paska të drejta ngaqë ka lindur me to e ato i takojnë dhe kafshëve, sepse janë të gjalla e kanë ndjesi edhe ato.
Lihet të kuptohet se të drejtat na qenkan të lindura, natyrore, mjaft të jesh njeri ose, në rastin e kafshëve, mjafton të kesh jetë, për t’i gëzuar.
Por, në natyrë nuk lind asnjë e drejtë ose privilegj ndaj jetës e ndaj qenieve të gjalla. Natyra është paqëllimshëm e dhunshme, qoftë përmes një bishe që ha një barngrënës, qoftë përmes një virusi që rrëzon në tokë luanin, qoftë përmes një meteoriti që zhduk dinosaurët. Edhe jeta primitive e moderne e njeriut ka qenë po aq e ekspozuar sa ndaj dhunës indiferente të natyrës, aq edhe ndaj dhunës diferente të luftës për mbijetesë e për dominim.
Të drejtat janë pra shpikje, jo diçka që vjen “në paketë” bashkë me jetën. Dhe, nuk janë shpikje e njeriut, por e shoqërisë, e komunitetit, e bashkësisë. Janë proces historik. Të drejtat i jep e i heq sovrani, me ligj ose arbitrarisht. Sovrani mund t’i japë të drejta gjithë popullit ose vetëm një gjinie, një race, një shtrese shoqërore. Mund t’ia heqë të drejtat dikujt që është lypës a emigrant, mund t’ia japë një kali (siç bëri dikur perandori famëkeq romak, Kaligula) ose një qeni, siç bën ndonjë miliarder modern që ia trashëgon kafshës së dashur pasurinë e tij më të madhe se GDP-ja e ndonjë shteti të mesëm. Sovrani, nëse ia thotë mendja e ia lejojnë rrethanat, mund t’ia japë të drejtat edhe sendeve, një shtylle totemike, një cope letre apo një korporate, siç mund t’ia japë edhe mjedisit, qiellit apo globit. Pra, çështja e të drejtave nuk ka të bëjë me si ke lindur e kush je, por çështja e të drejtave ka të bëjë me relacionin tënd ndaj sovranit. Që të kesh të drejta, e kohët e fundit edhe që të ruash të drejtat që ke pasur më parë, duhet ose të jesh a të bëhesh sovran siç premton ideali demokratik (populli sovran, apo shteti i qytetarit) ose të bindësh sovranin për të t’i dhënë ato.
Koncepti perëndimor i të drejtave universale rrënjët i ka në kufizimet e pushteteve mbretërore prej proceseve kushtetuese në fund të mesjetës. Por, po aq i ka rrënjët edhe te përpjekja napoleonike, që synoi krijimin e një perandorie mbareuropiane edhe me ndihmën e popujve të cilëve u premtonte zgjerimin e të drejtave dhe avancimin e tyre prej vlugut në qytetari. Mirëpo, në kohën e sotme kontradikta duket se ka marrë fund, mbretërit nuk ndihen më të detyruar për të kufizuar fuqitë e veta me “bill of rights”, perandorët nuk ndihen më të detyruar që, për të siguruar përkrahjen e popujve, të thirren në të drejta universale. E vetmja thirrje e zbehtë është ajo identitare, të bardhët kundër atyre me ngjyrë, të krishterët kundër myslimanëve. Puna është se identitarizmi është tipikisht antiuniversalist dhe kur dominotë nisin të rrëzohen, të krishterët veriorë shpejt çohen kundër jugorëve, protestantët e evangjelistët kundër katolikëve, katolikët kundër ortodoksëve, të bardhët veriorë kundër të bardhëve jugorë, të bardhët perëndimorë kundër të bardhëve lindorë, e kështu me radhë. Ka më shumë identitete se njerëz në këtë botë, dhe militarizimi i identiteteve është ide mjerane, përveçse idiote.
Në vitin 2017 doli një film jo fort i bujshëm nga regjisori austriak në zë Michael Haneke. Titulli ishte “Happy End”, një film i mprehtë që trashëgon diçka nga “Sharmi diskret” i Buñuelit e diçka nga “Bukuria e Madhe” e Sorrentinos. Filmi është një melodramë e tre gjeneratave të një familjeje franceze miliarderësh depresivë. Teksa tre brezat e pasanikëve mblidhen për të festuar një ditëlindje të një plaku dement, në sfond shohim dramën e të varfërve, shërbëtorëve e kamarierëve, emigrantëve të mbyllur në kampet e reja të përqendrimit, punëtorëve të paregjistruar që vdesin nëpër kantiere e që shkojnë gjakhupë. Kotësia dhe asgjëja përmbyt jetët e të pasurve që seniliteti i josh drejt vetëvrasjes, ndërsa askush nuk i sheh të tjerët, të huajt, emigrantët dhe punëtorët që janë e njëjta gjë.
Personazhet e planit të parë në filmin e Haneke-së, pra të pasurit, pa asnjë synim tjetër, përveç vetvetes, të paaftë të duan, idhnakë të paaftë të komunikojnë, qoftë edhe me njëri tjetrin, përveçse përmes thashethemit ziliqar e shpifës, smirës, përçmimit, cinizmit, mund të jenë fare mirë një përfaqësim simbolik i prijësve e teknokratëve të perandorisë së sotme perëndimore, të painteresuar më për shpërndarjen universale të të drejtave, të painteresuar më për emancipimin e të shtypurve. Ata i kanë dhënë fund kontradiktës themelore që i mban gjallë. Janë vetëdorëzuar tek një egocentrizëm senil.
Por, cilët janë ata punëtorë mërgimtarë që mbeten të tretur në sfond e që nuk i sheh askush? Cilët janë ata që së fundmi po paraqiten si një problem i madh, si rrezikues të identiteteve, si shkaktarë trazirash? Ata që lihen të vdesin në të njëjtat dete ku udhëtojnë jahtet që kushtojnë qindra milionë euro, ata që arrestohen duke kapërcyer kufijtë ku mallrat e kapitali kapërcen pa problem.
Mërgata është dhimbje. Të ikur prej përndjekjes politike e diskriminimit nga pushtuesi e diktatura. Sot e kësaj dite të ikur prej shtrëngimit ekonomik dhe varfërisë. Të ikur prej despotëve që përjetësojnë pushtetin jo duke rritur mirëqenien e të varfërve, por duke përzënë të varfërit nga vendi. Shpesh të trajtuar me racizëm prej pjesës reaksionare të vendeve ku shkojnë, të etiketuar si “kriminelë e të prapambetur” duke u bazuar mbi përgjithësime të ngritura prej mediatizimit sensacionalist të disa rasteve. Jo rrallë të trajtuar keq e me vetëracizëm prej pjesës idiote të vendit prej nga ikën.
Mes mërgimtarëve gjenden edhe Ovidët e Nezimët e kohës sonë. Mes tyre mund të gjenden patjetër edhe Cezarët e Atilat e kohës së re. Mes tyre edhe filozofët që do ta rimbushin me universalizëm e me etikë botën tonë, që aktualisht është shkretuar, jo prej dyndjeve të emigrantëve, por prej lakmisë së atyre që po sharrojnë degën ku vetë qëndrojnë, atyre që me stërpasurimin e vet e stërvarfërimin e masave po i bëjnë gropën jo vetëm vetes, por edhe sistemit që i lindi.