Nga Dr. Gurakuç Kuçi
Abstrakt
Ballkani Perëndimor po transformohet në një nga frontet kryesor të përplasjes midis fuqive globale, ku strategjitë hibride të Rusisë dhe Serbisë sfidojnë direkt stabilitetin dhe sovranitetin e vendeve të rajonit. Ky punim analizon dimensionet komplekse të kësaj lufte hibride, duke u përqendruar në sulmet e fundit në Banjskë dhe Zveçan, që shënojnë një përshkallëzim të qëllimshëm për të destabilizuar Kosovën. Përmes përdorimit të manipulimeve demografike, sabotimit të infrastrukturës kritike dhe provokimit të tensioneve etnike, Rusia dhe Serbia po përdorin Ballkanin si një fushëbetejë për të promovuar projektet e tyre strategjike si “Srpski Svet” dhe “Ruski Mir.”
Duke e krahasuar këtë qasje me rastet në Gjeorgji dhe Ukrainë, punimi evidenton përdorimin e mjeteve hibride, nga narrativat propagandistike te ndërhyrjet e drejtpërdrejta, si një model për të minuar strukturat demokratike dhe për të rritur ndikimin në rajon.
Fjalë kyçe: Mali i Zi, Kosova, terrorizmi, lufta hibride, Ukraina, Rusia, Serbia, NATO
BALLKANI PERËNDIMOR NË KRYQËZIM: NJË FRONT I VJETËR LUFTE NË KOMPOZICIONET E REJA GJEOPOLITIKE
Lufta hibride ka bërë një tranzicion nga të qenit thjesht një shqetësim teorik në një strategji të shumanshme dhe të përhapur që ndikon rrënjësisht në strukturën e shoqërive moderne. Ajo ka kapërcyer kufijtë e propagandës dhe dezinformimit, duke i transformuar këto mjete në armë të fuqishme për të ndikuar në proceset demokratike dhe vendimmarrjen qeveritare. Në këtë kontekst, Ballkani Perëndimor përfaqëson një laborator dinamik ku manifestohen në mënyrë të qartë strategjitë hibride, të cilat jo vetëm që sfidojnë stabilitetin e rajonit, por edhe rikonfigurojnë peizazhin e tij politik dhe shoqëror.
Fenomeni i “Srpski Svet” (Bota Serbe) dhe “Ruski Mir” (Bota Ruse) përbëjnë dy nga strategjitë më të dukshme që operojnë në këtë hapësirë. Të ndërtuara mbi synimet e multipolarizimit global, këto projekte janë pjesë integrale e strategjisë euroaziatike të Rusisë, e cila kërkon të sfidojë dominimin perëndimor dhe të zgjerojë ndikimin e saj në rajon. Multipolarizimi ka evoluar nga një ide e thjeshtë teorike në një realitet të karakterizuar nga veprime konkrete dhe ndërhyrëse, siç ilustrohet nga iniciativat e ndërmarra nga vendet e BRICS, të cilat qartazi synojnë të riformësojnë balancën globale të pushtetit.
Një shembull domethënës i kësaj dinamike është përmbysja e strukturave pro-perëndimore në Mal të Zi, një proces që ka qenë produkt i ndërhyrjes së drejtpërdrejtë nga Rusia dhe Serbia. Pas këtyre zhvillimeve, strategjia e radhës duket të jetë krijimi i një kuadri ligjor që do të lejojë qytetarët serbë të Malit të Zi të marrin automatikisht shtetësinë serbe. Ky hap vjen në vijim të një narrative më të gjerë të ndikimit demografik dhe politik, të cilën e mbështesin të dhënat e fundit të censusit. Rezultatet e tij tregojnë një rritje të numrit të qytetarëve që identifikohen si serbë, duke krijuar kështu një bazë demografike që favorizon ambiciet strategjike të Beogradit dhe Moskës.
Kjo ndërthurje e ndikimit të fshehtë, demografisë së manipuluar dhe ndërhyrjeve politike përbën një sfidë serioze jo vetëm për vendet e rajonit, por edhe për arkitekturën më të gjerë të sigurisë euroatlantike. Në këtë kontekst, lufta hibride në Ballkanin Perëndimor paraqitet si një model i qartë i strategjive komplekse hibride, të cilat kërkojnë një analizë të thelluar dhe një përgjigje të koordinuar nga aktorët ndërkombëtarë.
Ligji për dyshtetësinë në Mal të Zi: taktikë për zgjerimin e “botës serbe”
Në maj të vitit 2024, Instituti për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS” publikoi një studim shkencor që analizon strategjinë gjeopolitike të Rusisë dhe Serbisë kundër Malit të Zi, duke u fokusuar në luftën hibride si një mjet për të ndikuar në demografinë dhe strukturën politike të vendit. Ky studim ndriçon mënyrën sesi Rusia dhe Serbia po përdorin inxhinieringun etnik dhe ndikimin politik për të fuqizuar identitetin serb dhe për të konsoliduar konceptin e “botës serbe”. Një nga mjetet kryesore të kësaj strategjie është kërkesa për futjen e dyshtetësisë për qytetarët serbë të Malit të Zi.
Aktualisht, Mali i Zi ka një qëndrim strikt ndaj dyshtetësisë. Sipas legjislacionit në fuqi, një qytetar i huaj që kërkon shtetësinë malazeze duhet të dorëzojë shtetësinë e tij të mëparshme. Kjo dispozitë ligjore përbën një pengesë për implementimin e propozimeve të partive pro-serbe dhe pro-ruse, të cilat kërkojnë që qytetarët malazezë me origjinë serbe të kenë të drejtën për të pasur shtetësi të dyfishtë, përfshirë atë të Serbisë.
Këto përpjekje vijnë si pjesë e një strategjie më të gjerë për të ndryshuar balancën demografike dhe politike në Mal të Zi, duke forcuar ndjeshëm lidhjet mes komunitetit serb dhe Serbisë. Ky skenar krijon një bazë të favorshme për manipulimin politik dhe rritjen e ndikimit të Beogradit në Mal të Zi.
Statistikat demografike dëshmojnë ndryshime të thella në përbërjen etnike të Malit të Zi gjatë dekadave të fundit. Në censusin e fundit, 41.12% e popullsisë u deklarua si malazeze, ndërsa 33% si serbe—një rritje prej 4% krahasuar me censusin e vitit 2011. Ky ndryshim është veçanërisht domethënës kur krahasohet me të dhënat historike:
- 1948: 1.8% serbë
- 1971: 7.5% serbë
- 1991: 9.3% serbë
- 2003: 32% serbë
- 2011: 28.7% serbë
Figura 1: Popullsia Serbe gjatë periudhave 2024: 33% serbë
Këto shifra tregojnë një rritje disproporcionale të komunitetit serb, sidomos pas shkatërrimit të Jugosllavisë. Ky trend ka implikime të rëndësishme, duke sugjeruar një strategji të mirëmenduar për të ndryshuar përbërjen etnike dhe për të përmbysur dominimin politik të malazezëve.
Rezultatet e censusit të fundit dhe tendencat e rritjes së komunitetit serb përbëjnë një tregues të qartë të asaj që mund të cilësohet si inxhiniering etnik. Qëllimi kryesor është krijimi i një baze demografike që do të mundësonte realizimin e objektivave të mëdha strategjike:
- Referendumi për bashkimin me Serbinë: Një skenar i mundshëm ku Serbia përdor shumicën demografike për të organizuar një referendum për bashkim me Malin e Zi.
- Ndarja e një pjese të territorit me referendum: Skenari tjetër është kur një pjesë e Malit të Zi e dominuar nga shumica serbe dhe shumica pro-serbe dhe pro-ruse organizon referendum për ndarje.
- Ndryshimi i rrethanave gjeopolitike: Në rast të tensioneve ndërkombëtare, një invazion i Serbisë ndaj Malit të Zi mund të justifikohet mbi bazën e “mbrojtjes” së komunitetit serb.
- Zgjerimi i identitetit serb: Përmes kulturës, fesë dhe politikave, promovohet një identitet serb i fuqizuar në Mal të Zi.
Kjo strategji nuk është thjesht një çështje demografike apo ligjore, ajo më tepër paraqet një kërcënim serioz për sovranitetin e Malit të Zi. Me rritjen e ndikimit serb në strukturën etnike dhe politike të vendit, rrezikohet stabiliteti i brendshëm dhe integriteti territorial i Malit të Zi. Në veçanti, ndërhyrjet hibride të Serbisë dhe Rusisë përmes disinformimit, presionit diplomatik dhe nxitjes së ndarjeve etnike synojnë të minojnë strukturat demokratike të vendit.
Përpjekjet e inxhinieringut etnik dhe social në Mal të Zi nuk do te ndalen ngase ky vend përbën komponentën substanciale të kompletimit të ëndrrës për “boten serbe” dhe përbën rrugën aktuale më të lehtë të Rusisë për dalje në det në ujëra të ngrohta.
Lufta hibride dhe strategjitë gjeopolitike të Rusisë dhe Serbisë
Në një kontekst më të gjerë, Serbia dhe Rusia kanë përfituar nga pasiguria gjeopolitike globale për të rritur ndikimin e tyre në Ballkan. Me ardhjen e Donald Trump në pushtet, Serbia e pret si një pavarësi më e madhe veprimi në Ballkanin Perëndimor ndërkohë që Perëndimi është i preokupuar me konflikte dhe sfida të tjera, si Lindja e Mesme, lufta në Ukrainë dhe konkurrenca me Kinën. Këto përparësi taktike u kanë mundësuar Serbisë dhe Rusisë të rrisin përfshirjen e tyre në Ballkan, duke e shndërruar rajonin në një zonë poroze ndaj ndikimeve të luftës hibride.
Figura 2: Lufta hibride dhe strategjitë gjeopolitike të Rusisë dhe Serbisë
Nga një këndvështrim strategjik, Rusia dhe partnerët e saj në BRICS punojnë për një botë multipolare që sfidon hegjemoninë e Perëndimit. Nëse plani i multipolarizimit arrin sukses, ai mund të “detyrojë” Perëndimin të tërhiqet nga disa zona, potencialisht duke përfshirë Ballkanin. Ky vakum potencial do të krijonte kushte të favorshme për Rusinë dhe Serbinë që të shtyjnë përpara interesat e tyre në “Rimlandin Ballkanik”, një hapësirë strategjike me rëndësi për kontrollin e lidhjeve midis Lindjes dhe Perëndimit.
Strategjia e Aleksandër Duginit për një Evropë të lirë nga influenca amerikane përbën një bazë ideologjike për qasjen ruse. Kjo ide ka gjetur mbështetje edhe në narrativat e Presidentit Putin, i cili ka theksuar në mënyrë të përsëritur se Evropa do të arrijë një pikë kur nuk do të jetë më “vasale” e SHBA-së. Nëse ndasitë midis Evropës dhe SHBA-së thellohen, madje edhe në një masë të vogël, kjo mund të krijojë hapësirë për Putinin që të avancojë strategjitë e tij. Për më tepër, një tërheqje graduale e interesit amerikan nga kontinenti do të përforconte pozitat e Serbisë, duke e lejuar atë të shtyjë përpara interesat e saj në rajon.
Në këtë kontekst, Ballkani mbetet një pikë nevralgjike në hartën e përplasjeve globale. Lufta hibride që zhvillohet në këtë rajon nuk përfaqëson vetëm një përpjekje për të ruajtur ndikimin lokal, por një pjesë të një strategjie globale për të sfiduar Perëndimin.
Mësime nga Gjeorgjia dhe Ukraina: paralele me strategjitë hibride në Ballkan
Lufta hibride më nuk është në termat e “kërcënimit” por në terma real dhe të prekshëm. Një shembull krahasues i Ballkanit Perëndimor është edhe lufta hibride e Rusisë në Gjeorgji dhe Ukrainë, dy raste ku taktikat hibride kanë sjellë destabilizim të rëndë dhe ndërhyrje territoriale. Në Gjeorgji, ndërhyrjet hibride filluan me mbështetjen e separatistëve në Osetinë e Jugut dhe Abkhazi, duke u përshkallëzuar në konfliktin e vitit 2008. Rusia përdori një kombinim të dezinformimit, presionit diplomatik dhe ndërhyrjeve ushtarake për të dobësuar sovranitetin e Gjeorgjisë dhe për të mbajtur nën kontroll këtë vend strategjik në Kaukaz.
Në Ukrainë, fillimi i konfliktit hibrid u shënua nga aneksimi i Krimesë në vitin 2014 dhe mbështetja për separatistët në rajonin e Donbasit. Lufta hibride në Ukrainë përfshiu një gamë të gjerë mjetesh, si sulmet kibernetike kundër infrastrukturës kritike, fushata masive dezinformimi dhe shfrytëzimi i pakënaqësive lokale për të krijuar përçarje sociale dhe politike. Rusia ndërtoi një narrativë që promovonte mbrojtjen e popullsisë ruse dhe rusishtfolëse, një strategji që ngjan me përpjekjet për të fuqizuar komunitetet serbe në Mal të Zi dhe në Kosovë.
Këto shembuj ofrojnë një model për të kuptuar se si ndërhyrjet hibride në Ballkan mund të avancohen nga Serbia dhe Rusia. Në të dyja rastet, në Gjeorgji dhe Ukrainë, elementët kyç kanë qenë:
- Përdorimi i demografisë si mjet politik: Në të dy vendet, Rusia ka shfrytëzuar komunitetet rusishtfolëse si bazë për legjitimimin e ndërhyrjeve.
- Narrativa kulturore dhe historike: Promovimi i “unitetit historik dhe kulturor” ka qenë një justifikim për të ndikuar në sovranitetin e këtyre vendeve.
- Kombinimi i mjeteve hibride dhe tradicionale: Nga dezinformimi dhe sulmet kibernetike te ndërhyrjet ushtarake të drejtpërdrejta.
Në këtë kontekst, paralelja me Ballkanin është evidente. Nëse skenarët në Gjeorgji dhe Ukrainë shërbejnë si precedentë, rreziqet për Malin e Zi, Kosovën dhe Bosnje e Hercegovinën janë të mëdha, veçanërisht nëse komunitetet lokale shfrytëzohen si mjet për të krijuar përçarje dhe destabilizim. Mësimi kryesor nga këto raste është se një reagim i vonuar nga Perëndimi vetëm sa përforcon këto strategji hibride dhe i hap rrugë përshkallëzimit të mëtejshëm.
Lufta Hibride ruso-serbe kundër Kosovës përmes manipulimit zgjedhor dhe sulmit terrorist
Përpjekjet hibride të Rusisë dhe Serbisë për të destabilizuar Kosovën kanë marrë forma gjithnjë e më komplekse, duke përfshirë manipulimin zgjedhor, përdorimin e dhunës për të krijuar pasiguri dhe për të dërguar planet për ndarjen e Kosovës përpara. Këto strategji përfaqësojnë një përpjekje të qartë për të minuar sovranitetin e Kosovës dhe për të krijuar hapësirë për ndërhyrje politike dhe sociale në dëm të stabilitetit rajonal. Rasti i manipulimit zgjedhor përmes Listës Serbe dhe dy sulmet terroriste, në Banjskë dhe Zveçan janë shembuj të qartë të këtyre përpjekjeve.
Lufta hibride ruso-serbe në Kosovë nëpërmjet manipulimit të zgjedhjeve elektorale
Në zgjedhjet parlamentare të Kosovës të mbajtura më 14 shkurt 2021, Lista Serbe siguroi 10 ulëset e rezervuara për komunitetin serb, duke forcuar rolin e saj si një instrument politik i drejtuar nga Beogradi. Por strategjia e saj shkoi përtej këtyre 10 ulëseve, duke synuar të manipulojë sistemin zgjedhor për të kapur ulëse të tjera të rezervuara për komunitetet joshumicë si boshnjakët, romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët. Përmes transferimit të votave nga komuniteti serb drejt kandidatëve të lidhur me Listën Serbe, kjo parti kërkoi të arrinte deri në 17 ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Ky manipulim zgjedhor përbën një formë të luftës hibride institucionale, ku instrumentet demokratike përdoren për të minuar demokracinë vetë. Nëse kjo strategji do të realizohej, ajo do t’i jepte Serbisë një ndikim të paprecedentë në vendimmarrjen parlamentare dhe qeveritare të Kosovës, duke krijuar mundësi për të bllokuar vendime kritike ose për të përforcuar pozitat e strukturave paralele serbe në veri dhe gjithandej Kosovës në zonat e banuara me shumicë serbe.
Kjo qasje përputhet me taktikat që Rusia dhe Serbia kanë përdorur edhe në vende të tjera të Ballkanit, si në Mal të Zi dhe Bosnje-Hercegovinë, ku partitë pro-serbe kanë manipuluar proceset politike për të dobësuar institucionet kombëtare dhe për të rritur ndikimin e Beogradit dhe Moskës.
Sulmi terrorist në Banjskë: një provokim me përmasa hibride
Figura 3: Lufta Hibride ruso-serbe kundër Kosovës përmes manipulimit zgjedhor dhe sulmit terrorist
Sulmi terrorist në Banjskë, ku një grup i armatosur serbësh me në krye Millan Radoiçiqin sulmoi policinë e Kosovës më 24 shtator 2023, përfaqëson një tjetër përshkallëzim të përpjekjeve hibride të Serbisë. Ky sulm terrorist, i cili la pas viktima dhe tensione të thella, ishte një përpjekje e qartë për të destabilizuar Kosovën dhe për të krijuar një justifikim për ndërhyrje të mëtejshme.
Sulmi u karakterizua nga elementë të shumtë të luftës hibride:
- Organizimi i grupeve të armatosura nga struktura paralele serbe: Këto grupe janë pjesë e një strategjie më të gjerë për të ruajtur ndikimin e Serbisë në veri të Kosovës, pavarësisht përpjekjeve të autoriteteve kosovare dhe ndërkombëtare për t’i çmontuar.
- Mbështetja e heshtur e Moskës: Rusia, përmes propagandës dhe kanaleve të saj diplomatike, e përdori këtë incident për të paraqitur një narrativë që fajësonte institucionet kosovare për “shtypjen” e pakicës serbe, duke ndihmuar në ndarjen e opinionit ndërkombëtar.
- Krijimi i tensioneve etnike: Sulmi synonte të provokonte një reagim të dhunshëm nga autoritetet kosovare, duke nxitur përçarje midis komuniteteve dhe duke e bërë më të vështirë ruajtjen e rendit dhe sigurisë në veri që do të dërgonin në ndarjen e Kosovës.
Sulmi në Banjskë rikujton taktikat e përdorura nga Rusia në Ukrainë dhe Gjeorgji, ku grupe të armatosura lokale u përdorën për të krijuar destabilizim, duke hapur rrugën për ndërhyrje të mëtejshme politike dhe diplomatike.
Sulmi në Zveçan: Strategjia hibride sipas modelit rus
Sulmi i fundit në Zveçan, që goditi kanalin e Ibër Lepencit – burim kyç për furnizimin me ujë të pijshëm dhe për prodhimin e energjisë elektrike të Korporatës Energjetike të Kosovës – shënoi një tjetër hap në strategjinë hibride të Serbisë ndaj Kosovës, gjithnjë me një strategji hibride adaptuese. Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme në Bundestagun e Gjermanisë, Micheal Roth, këtë akt e quajti si metodë terroriste ruse kundër një vendi sovran në zemër të Evropës. Ky sulm, i ngjashëm me sulmet mbi infrastrukturat energjetike në Ukrainë dhe dëmtimet e kabllove nënujore në Detin Baltik, përfaqëson një përpjekje për të përdorur kaosin energjetik dhe presionin psikologjik si mjete për destabilizim.
Ndryshe nga sulmi në Banjskë, i cili u përqendrua te përpjekjet për ndarje territoriale dhe krijimin e një baze për tendenca separatiste, sulmi në Zveçan synonte dobësimin e infrastrukturave jetike të Kosovës. Kjo përpjekje kishte për qëllim që nëpërmjet kaosit të sigurisë shumënivelëshe, të krijonte një mjedis të favorshëm për veprime të mëtejshme nga grupet e armatosura serbe, një pjesë aktive brenda Kosovës dhe një pjesë tjetër e pozicionuar në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sulmi nënvizon përdorimin e mjeteve të luftës hibride, ku përmes ndërthurjes së kaosit psikologjik, energjetik, ekonomik dhe kërcënimeve të sigurisë, Serbia vazhdon të minojë sovranitetin dhe stabilitetin e Kosovës.
Pastaj, duke u futur Kosova në një kaos me një veri të dalë nga kontrolli, krizë energjetike, mungesë e ujit të pijshëm, të krijonte edhe një krizë të rëndë politike, sociale dhe ekonomike që do të dërgonte drejt një polarizimi të skajshëm dhe dështimi të shtetit të Kosovës.
Kjo ngjarje përforcon modelin e mirënjohur të konflikteve hibride të përdorura nga Rusia në Gjeorgji dhe Ukrainë, ku infrastruktura kritike shërben si objektiv për të gjeneruar destabilizim dhe për të arritur përfitime strategjike. Në këtë kuptim, sulmi në Zveçan nuk duhet parë si një incident i izoluar, por si pjesë e një strategjie të qëllimshme që kërkon përshkallëzimin e tensioneve në rajon dhe rikthimin e ndikimit serb në veriun e Kosovës.
Rezistenca e SHBA-së kundër trekëndëshit ruso-serb në Ballkanin Perëndimor
Në Ballkanin Perëndimor trekëndëshi strategjik i Serbisë është Republika Srpska, Mali i Zi dhe Kosova. Përderisa tek Republika Srpska veprimet i ka më të lehta, tek Mali i Zi veprimet duhet t’i bëjë në formë hibride duke shfrytëzuar mekanizmat politik, juridik, ekonomik dhe ushtarak që riformësojnë kompozicionin deri në vënien jashtë loje të NATO-së. Për sa i përket Kosovës, shumica e opsioneve të mëparshme janë bllokuar që pas dështimit të sulmit terrorist në Banjskë. Në këtë situatë, opsioni më i mundshëm për Serbinë duket të jetë përshkallëzimi i luftës hibride, duke nxitur kaos dhe duke pritur mundësinë e një konflikti global. Në këtë skenar, shpresohet që, në emër të shmangies së një tragjedie më të madhe, fuqitë perëndimore të detyrohen të pranojnë ndarjen e Kosovës.
Figura 4: Rezistenca e SHBA-së kundër trekëndëshit ruso-serb në Ballkanin Perëndimor
Në këtë kontekst, një citim i bërë nga ish-presidenti amerikan Donald Trump në 2018 për Malin e Zi merr një kuptim më të thellë: “Mali i Zi është një vend i vogël me njerëz shumë të fuqishëm dhe agresivë. Ata mund të bëhen agresivë dhe urime, ju jeni në Luftën e Tretë Botërore”. Ky vlerësim, që tërthorazi përfshin edhe Shqipërinë si pjesë të këtij ekuacioni, reflekton një perceptim të brishtësisë së rajonit dhe potencialin e tij për eskalim në konflikt global.
Paralelja me Luftën e Parë Botërore, e cila filloi kur Rusia i doli në ndihmë Serbisë kundër Austro-Hungarisë, ngre një pyetje interesante: A mund të fillojë Lufta e Tretë Botërore nëse SHBA-ja vendos të mbështesë Malin e Zi kundër një aleance ruso-serbe? Ky skenar thekson rëndësinë e Nenit 5 të Kartës së NATO-s, i cili parashikon mbrojtjen e përbashkët të aleatëve në rast të një sulmi të armatosur. Natyrisht, neni 5 funksionon vetëm nëse vendet agresore (veçanërisht Rusia) besojnë se SHBA-të janë vërtet serioze për të. Nëse Rusia mendon se zoti Trump nuk do të hyjë në luftë për të mbrojtur anëtarët më të vegjël të NATO-s, atëherë shanset për konflikt rriten.
Nëse rezistenca ndaj ndikimeve ruso-serbe dështon, Ballkani Perëndimor mund të shndërrohet në një arenë të re të ndarjes midis Lindjes dhe Perëndimit. Në vend që kjo ndarje të ndodhë si në Gjermaninë e Luftës së Ftohtë, një “perde e re e hekurt” mund të vendoset në Ballkan, duke thelluar polarizimin dhe duke ndryshuar arkitekturën e sigurisë në rajon. Për të shmangur këtë, aktorët perëndimorë duhet të jenë të vendosur në parandalimin e përshkallëzimit dhe në mbështetjen e qëndrueshmërisë rajonale përmes një qasjeje të koordinuar dhe të balancuar.
Konkluzione
Ballkani Perëndimor mbetet një pikë kyçe në dinamikat gjeopolitike ndërkombëtare, ku tensionet e trashëguara historikisht kombinohen me kërcënimet moderne të luftës hibride. Lufta hibride, si një strategji e sofistikuar dhe shumëdimensionale, ka tejkaluar kornizat e zakonshme të konflikteve të mëparshme, duke u bërë një mjet për të ndikuar në strukturat politike dhe sociale të rajonit. Serbia dhe Rusia përdorin këto taktika për të realizuar agjendat e tyre në rajon, duke sfiduar drejtpërdrejt sovranitetin dhe stabilitetin e vendeve si Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina.
Një ndër strategjitë më të dukshme të këtij fenomeni është implementimi i projektit “Srpski Svet”, i cili synon krijimin e një baze demografike dhe politike që mbështet interesat e Beogradit dhe Moskës. Kjo arrihet përmes inxhinieringut demografik, manipulimeve zgjedhore dhe narrativave historike e kulturore që promovojnë identitetin serb dhe lidhjet e tij me Rusinë. Në mënyrë të ngjashme, taktikat hibride të përdorura në Gjeorgji dhe Ukrainë ofrojnë një model të qartë për të kuptuar potencialin e përshkallëzimit të tensioneve në Ballkan, duke përfshi përdorimin e demografisë, narrativave ideologjike dhe mjeteve hibride.
Gjithashtu, është e qartë se këto përpjekje nuk janë të kufizuara vetëm në aspekte demografike apo juridike. Përkundrazi, ato përfaqësojnë një kërcënim shumëdimensional që rrezikon arkitekturën e sigurisë rajonale dhe integrimin euroatlantik të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Manipulimi i proceseve demokratike dhe krijimi i tensioneve etnike përmes mjeteve hibride thekson domosdoshmërinë për një reagim të shpejtë dhe të koordinuar nga aktorët perëndimorë.
Përvoja nga konfliktet hibride në Gjeorgji dhe Ukrainë tregon se një reagim i vonuar vetëm sa përforcon strategjitë e agresorëve dhe krijon hapësirë për destabilizim të mëtejshëm. Në këtë drejtim, angazhimi i vazhdueshëm i NATO-s dhe Bashkimit Evropian në mbështetje të stabilitetit të Ballkanit është jetik për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.
Përfundimisht, lufta hibride në Ballkan nuk duhet të trajtohet si një çështje e izoluar. Ajo është pjesë e një strategjie më të gjerë globale për të sfiduar perëndimin dhe për të krijuar një rend të ri ndërkombëtar multipolar. Prandaj, përgjigja ndaj këtyre sfidave duhet të jetë po aq strategjike dhe e gjithanshme, duke përfshirë forcimin e kapaciteteve demokratike dhe sigurisë në vendet e rrezikuara, si dhe adresimin e burimeve të ndikimit hibrid.
Referenca:
Why people are worried about Trump’s Montenegro comments. (2018, July 19). CBS News. https://www.cbsnews.com/news/why-people-are-worried-about-trumps-montenegro-comments/
Factbase Videos. (2018, July 18). Interview: Tucker Carlson interviews Donald Trump in Helsinki – July 17, 2018 [Video]. YouTube. Retrieved December 11, 2024, from https://www.youtube.com/watch?v=f56hrAmD8zs
Kuçi, G. (2024). GEOPOLITICAL RISKS AND RECONFIGURATIONS: SERBIA AND THE CHALLENGE TO MONTENEGRO’S STABILITY. Octopus., 2. https://doi.org/10.69921/91pd1m30
More favorable U.S. attitude toward Serbs and Srpska. (2024, November 11). SRNA. https://www.srna.rs/en/novost/1251329/more-favorable-u.s.-attitude-toward-serbs-and-srpska
Power to 1 million homes cut in Ukraine after latest ‘massive’ Russian aerial attack. (2024, November 28). PBS News. Retrieved December 11, 2024, from https://www.pbs.org/newshour/world/power-to-1-million-homes-cut-in-ukraine-after-latest-massive-russian-aerial-attack
R., B. (2024, October 14). DFC: By adopting the law on dual citizenship, Montenegro would fully become part of the “Serbian world.” vijesti.me. https://en.vijesti.me/news-b/politika/728289/dfc%2C-by-adopting-the-law-on-dual-citizenship%2C-Montenegro-would-fully-become-part-of-the-Serbian-world
Roth, M. (2024, November 30). X.com. X (Formerly Twitter). Retrieved December 11, 2024, from https://x.com/MiRo_SPD/status/1862796362112262393
Seibt, S. (2024, November 21). Hybrid warfare? China sabotaging Baltic Sea cables would be ‘super surprising’, experts say. France24. https://www.france24.com/en/europe/20241121-hybrid-warfare-china-sabotaging-baltic-sea-cables-would-be-super-surprising-experts-say
Uka, A. (2024, November 30). Policia për shpërthimin në Ibër-Lepenc: Sulm i qëllimshëm, akt kriminal terrorist. Kallxo. https://kallxo.com/lajm/policia-per-shperthimin-ne-iber-lepenc-sulm-i-qellimshem-akt-kriminal-terrorist/
______________________
Shënim:
Dr. Gurakuç Kuçi është hulumtues i lartë në Institutin për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS”
dhe bashkëpunëtor i jashtëm i Institutit Shqiptar për Gjeopolitikë