Nga Dr. Selim IBRAIMI
Vdekja e Titos më 4 maj 1980 solli shpresë dhe dëshpërim për kombet dhe kombësitë në Jugosllavi. Pasojat ishin të pa precedentë për kombet që në fillim të viteve të 90-ta të shekullit të kaluar u përballën me një luftë të përgjakshme. Para shembejs së federatës, jeta zhvillohej normalisht me kushtet të themi të një shteti të Evropës Perëndimore. Puna, edukimi, balanca jetësore dhe bashkëjetesa përbënin shtyllat e socializmit jugosllav. Harmonia në mes popujve shihej nga këndi i realizmit socialist dhe ndërtimit mbi bazat e një shoqërie të barabartë, por në fakt në bredi ishte e pabarabartë për disa.
Vitet e 80-ta konsideroheshin si test për Jugosllavinë nëse do të qëndronte e bashkuar pas vdekjes së Titos. Dihej se një rajon që përballej me një sërë trashëgimish nga e kaluara në ekonomi, fe, traditë dhe politikë bashkëkohore, përçarja ishte e pashmangshme. Nga perspektiva mesjetare, kur gjeopolitika bazohej kryesisht në kushte të tjera, trashëgimia e atëhershme e bashkimit mesjetar mund të themi se pasqyron vazhdimin e trajektores së kësaj dekade të bashkimit të forcave që shtetet potenciale si Shqipëria dhe Mali i Zi të bëhen anëtare të BE-së në 2030.
Hapja e kapitujve me Shqipërinë dhe Malin e Zi nga BE-ja, sinjalizon një Ballkan të ri por me rrezik që pjesa tjetër e pa integruar e rajonit të mos ketë rol qendror në këtë trajektore. Dikur ky kënd i përbërë prej republikave jugosllave, deri pas vitit 1980 nuk kishin ndonjë dallim në ekonomi dhe zhvillim. Ekzistonte një harmoni dhe një paqje relative e cila vërehej kudo e sidomos në vendet publike dhe në udhëtimet e zakonshme me tren apo me autobus. Në atë kohë, udhëtimi në këtë trekëndësh, për në Ulqin, Mali i Zi, nga Shkupi apo nga viset tjera me autobus zgjaste me orë të tëra. Ekonomia e centralizuar dhe kufijtë e hapur me Evropën Perëndimore i dhanë rajonit njëfarë hyrjeje në tregun evropian dhe, sigurisht shpresë për ndryshim pas vitit 1991. Rajoni jugor, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi, në atë kohë kishin të njëjtin nivel për shkak të mungesës së investimeve dhe politikave socialiste.
Përpjekjet e Ante Markoviqit (1924-2011) për të shpëtuar Jugosllavinë nuk dhanë rezultat. Në atë kohë, në vitet e 90-ta, ishte shumë e qartë se forca kryesore lëvizëse ishin shtetet e BE-së, të cilat ishin forca më e madhe financiare-diplomatike për ta nxjerrë rajonin nga kaosi. Nga atëherë e deri më sot, rajoni ka bërë përparim të konsiderueshëm, si p.sh. Shqipëria dhe Kosova. Në këtë kontekst, për të pasur një pamje të qartë, ndonjëherë, udhëtimet janë mënyra më e mirë për të lënë një përshtypje të parë.
Javën e kaluar, udhëtova në trekëndëshin ekonomik me rritje të shpejë. Një udhëtim i shkurtër në Mal të Zi, duke kaluar nëpër Kosovë dhe Shqipëri. Shqipëria kishte bërë përparim të madh, dhe me siguri mund të themi se është shndërruar në lider të rajonit të Ballkanit në infrastrukturë, turizëm, investime dhe më shumë. Riviera shqiptare është aseti më i madh që zyrtarët po promovojnë që tani. Për shkak të politikave të ndryshme që qeveritë kanë imponuar, si për shembull, Kosova dhe Shqipëria në këtë drejtim treguan rezultate të ndryshme, ndërsa Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, në përgjithësi, mbeten në të njëjtat kushte të zhvillimit që dikur Shqipëria dhe Kosova kishin filluar.
Faktorët janë të ndryshëm se pse Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut nuk mund të krahasohen me Shqipërinë dhe Kosovën. Dhe ka të bëjë me dilemën kryesore nëse qeveritë dhe popujt do të mund t’i tejkalojnë plagët historike për një të ardhme të përbashkët. Ose arsyet qëndrojnë thellë në vitet e ’80-ta për reforma dhe dështim në dekadat e ardhshme. Aktualisht, katër shtetet që mund të themi përbëjnë një “Benelux ballkanik”, kanë ecur në drejtime të pavarura dhe kanë dallime të mëdha në shpejtësinë e reformave apo të ngecjes drejt BE-së dhe shtetit ligjor. Vitet e 80-ta të shekullit të kaluar mund të themi se e përgatitën skenën për një Ballkan tjetër me pamje moderne. Por kjo nuk ndodhi në tërësi për arsye të luftërave që shpërthyen në hapësirën jugosllave. Zhvillimet dhe rrethanat më vonë e favorizuan Shqipërinë që pothuajse është në prag të BE-së.
Në përputhje me zhvillimet, udhëtimi drejt Shqipërisë sot nuk është si dikur. Frika e dikurshme nga bunkerët e kohës së regjimit të Enver Hoxhës, tregojnë gjithashtu për mungesën e shfaqjeve të zymta për Shqipërinë. I njëjti zhvillim për habi vërehej në Kosovë e cila edhe pse shkatërruar nga luftërat jugosllave dhe nga lufta e viteve 1998-99, infrastuktura, ekonomia dhe degët tjera të industrisë së lehtë kishin marrë një zhvilllim tjetër. Qytetet e Kosovës kishin ndryshuar, megjithatë papunësia mbetet në nivele të larta. Bllokimi i brendshëm politik dhe marrëdhëniet me Serbinë janë një shqetësim tjetër për qeverinë e Kosovës, gjë që mund ta pengojë vendin të përshpejtojë reformat dhe të bëhet pjesë e NATO-s dhe BE-së. Eshtë e pamohueshme që dëshira për të bërë më shumë vërehej në Kosovë dhe në Shqipëri. Në Ulqin debati për shitjen e Plazhit të Madh, Emirateve të Bashkuara vazhdonte të mbante gjallë drojën se ky qytet i lashtësisë, mund të humbasë nga marrëveshja e arritur me Emiratet e Bashkuara. Kosova me bllokadën institucionale sikur ishte e kënaqur me gjendjen e arritur, duke mos lënë anësh Maqedoninë e Veriut ku si duket nacionalizmi dhe recidivizmi kanë triumfuar si me fqinjët dhe brenda vendit. E ardhmja shpresëdhënse por e ndërlikuar për Ballkanin do të mbetet në mes historisë, guximit për ndryshime dhe tendencave për shfrytëzim të historisë për projekete të mëdha.
Ndërtesat mesjetare si Kalaja e Rozafës, e Ulqinit, ato osmane në Prizren dhe objektet përreth, përqafojnë ambiciet moderne dhe planet e kujdesshme për një të ardhme më të ndritshme në mes popujve të këtij trekëndshi mjaft të rëndësishëm strategjik. Në këtë dekadë, shtetet duhet ta dëshmojnë me vepra konkrete duke u integruar në tregun e përbashkët së pari ballkanik e më vonë më gjërë, por gjithnjë të kujdesshëm nga ripërsëritja e ngjarjeve historike. Sidoqoftë, udhëtimi i fundit më shumë i ngjante hyrjes në një kapsullë të viteve të 80-ta me kujtimet e atëhershme të soclializmit dhe planet aktuale të qeverive ballkanike për tu reformuar dhe hyrë në BE ose fundja për tu bërë shtete normale. Rrugicat veneciane të Ulqinit, kishat, urat, xhamitë e kohës së Perandorisë Osmane në Prizren, dhe infrastruktura moderne e Shqipërisë post-komuniste, jepnin më shumë informacion për gjeopolitikën e ndërlikuar të Ballkanit, dinamikat ekonomike, sociale, politike dhe natyrisht plagët historike që popujt e rajonit kishin kaluar gjatë shekujve.