Ballkani i Hapur’, nismë e dështuar që në start?!

Nga Shqiprim Pula, PhD
Togëfjalëshi ‘Ballkani i Hapur’ paraqet një nismë rajonale, një mobilizim politik, e cila synon të shpalos angazhimin e vendeve nismëtare dhe nënshkruese si Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, me arsyen e fqinjësisë së mirë dhe nevojës së bashkëpunimit ekonomik e tregtar.
Po a janë të barabartë në aspektin ekonomik shtetet nënshkruese të kësaj iniciative?
A mund të jetë ky plan i Vucicit për forcim ndikimi nga Rusia mbi Ballkanin perëndimor?
A mund të konsiderohet ‘‘Ballkani i Hapur‘‘ një lloj konkurrence e ‘‘Procesi i Berlinit‘‘?
Zëra brenda UE-së ‘’Ballkanin e Hapur’’ e kanë konsideruar si iniciativë me fokus më tepër mbi marrëdhëniet politike të vendeve nënshkruese se sa ecje drejtë rrugës integruese për UE.
Roli i shtetit amë, Shqipërisë, karshi Kosovës, në vazhdimësi është përshkruar si simbolik në formësimin identitar-kushtetues dhe ndërtimin institucional, për shkak edhe të brishtësisë politike si rezultat i tranzicionit të tejzgjatur poshtë drinit të bardhë.
Aktualisht, pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë nismë ‘’Ballkani i Hapur’’ do të gjykohej si dëmtim i rimëkëmbjes kombëtare shqiptare dhe i rishikimit të historisë brenda-shqiptarë. Nagse, pjesë të kësaj nisme, e kemi një shqipëtar aty, në cilësi të kryeministrit, e i cili, para se të ulet në tryeza rajonale do duhej të ulet në tryezën kombëtare.
Sepse padrejtësitë që bëhen nga gabimet politike nuk maten fare.
Madje në forumin Alpbach përfaqësues të UE-së, kësaj iniciative i kanë dhënë vlerësim si e pashëndetshme për rajonin. Për më tepër, nuk e mendoj se kjo nismë lidhet me emër të ndonjërit nga përfaqësuesit politikë të shteteve të rajonit, kjo, fillimisht si ide e mëpastaj si nismë konkrete është e porositur dhe se protagonistët e vërtet nuk janë këta që i shohim në skenë.
Iniciativa mbi “Ballkani i Hapur” tashmë ka pak përkrahës e shumë kundërshtarë!.
Cilado iniciativë qoftë ajo, me shtete si Serbia, me fytyrë të buzëqeshur e veprime tendencioze për t’a minuar shtetësinë e Kosovës, natyrisht që është jo serioze dhe fare pak, e shëndetshme për Ballkanin. Andaj, në ato takime, mund të ketë politika edhe të gabuara dhe zotime të dobëta për jetësim të tyre, pa mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të Unionit Europian.
Disa shtete të rajonit (Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut) nuk e kanë fokus kryesor integrimin në UE, por marrëdhëniet politike mes vete.
Unioni Europian, deri më tash, karrotën e shkopin, për vendet e Ballkanit Perëndimor nuk e ka patur racional. Prandaj dhe, lindin ide, e bëhen iniciativa të tilla, si “Ballkani i Hapur” edhe si rezultat i përpjekjeve tashmë të dështuara të UE-së për një ripajtim të sinqertë fqinjësie ndërmjet vende të rajonit tonë, konkretisht Kosovës e Serbisë. UE-ja i kishte nënvlerësuar aspektet e gjeografisë politike dhe demografisë të rajonit tonë, kështu që, mbeti tek vullneti i shteteve të rajonit t’i rikrijojnë dhe forcojnë marrëdhëniet politike të tyre, tërthorazi duke argumentuar edhe një lloj dështimi të UE-së, karshi Ballkani Perëndimor. Për më tepër, kjo iniciativë (“Ballkani i Hapur”) duhet të jetë një mësim i rëndësishëm për UE-në, për t’a rikthy seriozisht vemendjen tek rajoni jone.
Sot Kosova po kalon nëpër njërën ndër fazat më kritike të zhvillimit të vet, ç’është e vërteta, edhe më parë, por tani specifikisht me idenë e ‘Ballkani i Hapur’ duke patur mbështetës dhe kundërshtarë mbi trended pozitive e negative mbi këtë iniciativë. Eshtë mirë të jemi për ndryshime. Por, ndryshimet duhen paraprakisht analizuar e propozuar mbi shumë çështje, e sikundër edhe motivet e angazhimet për to. Prandaj, konsideroj, se realiteti e e ardhmja historike e shoqërisë jo vetëm se nuk e kërkon, por as nuk e lejon të tashmen të braktis përcaktimin e të ardhmes pro-perëndimore.
Republika jonë, duhet t’i përgjigjet shumë temave e iniciativave që shtrohen në kohëra të ndryshme të zhvillimit, por krahas vlerave që duhen ruajtur të sistemit kushtetues. Ideja, iniciativa mbi ‘Ballkani i Hapur’ do duhej, domosdoshmerisht të merr referencë praktika si kriter substancial si zgjidhje për rajonin e rrjedhimisht për shtetet nënshkruese të kësaj iniciative. Po a janë të barabartë në aspektin ekonomik shtetet nënshkruese të kësaj iniciative? JO, sepse ekonomitë e shteteve nënshkruese as për së afërmi nuk janë të barabarta sepse exportet në 2020 të 6 vendeve të Ballkanit; Shqipëria 2.23 miliardë, Bosnia 5.36 miliardë, Kosova 0.47 miliardë, Mali i Zi 0.34 miliardë, Maqedonia e Veriut 5.58 miliardë dhe Serbia 17.05 miliardë, në përllogaritje del të jetë 5 shtetet së bashku t’i kenë 13.98 miliardë ndërkaq Serbia e vetme 17.05 miliardë. Atëherë, të bashkohesh reth një ideje apo të përbashkohesh reth një nisme, siç e menduar, e para dhe para-së-gjithash, duhet të jesh i barabartë sepse vetëm të barabartit mund bashkarisht të kenë të ardhme.
Natyrisht, e ardhmja, mund të jetë gjithqysh por ide apo iniciativa si ‘Ballkani i Hapur’ nuk duhet vënë në pikëpyetje parimet e barabarësisë. Poashtu, katër parimet substanciale mbi të cilat është ngritur Unioni Europian, nuk gjejnë prekje reale e të sinqertë me shtete hegjemoniste, si Serbia, andaj politikat e fqinjësisë së mirë, dhe jetësimi i katër parimeve të UE-së si kategori juridike bëhen të realizuara plotësishtë dhe barabarsisht vetëm atëherë kur të gjykohet e kaluara dhe kërkohet kërkim-falja, e deri atëherë, cdo ide apo iniciativë, sado bukur e prezentuar, do jetë gjysmake dhe sipërfaqësore nëse do ketë trysni nga qarqe të caktuara mbi qeveritë e vendeve tona. Në kuptim kushtetues e politik, aktualisht nuk mund të ketë veprim-e të duhura juridike mbi iniciativen e tillë, po vetëm veprim-e të porositura dhe të përshtatura nga politika.
Kosova kujdesshem duhet analizuar këtë iniciativë dhe sigurisht duhet të veproj me sens të përgjegjësisë institucionale-shtetëore lidhur me gjendjen në vend dhe rajon, e pse jo të ofroj edhe ndonjë platformë si zgjidhje e opsione të shqyrtimit paralel për të shmangur ‘deja vu’ rajonale.
Deshën apo nuk deshën protagonistët dhe porositësit e kësaj nisme, pa një kuvendim me Kosovën përkatësisht qeverinë e vet, është e gjykuar të dështoj.