Shkruan: Dr Sadri Ramabaja
Hyrje
Përfundimi i Luftës së Ftohtë shënoi edhe fillimin implodimit të socializmit, që do t’i jap fund BRSS, por edhe Federatës së sllavëve të Jugut të Europës — Jugosllavisë. Ndërkaq viti 1989 shënon njëkohësisht edhe fillimin e fundit të liberalizmit klasik.
Me këtë akt, siç shprehet I.Volerstin, zë fill procesi i restaurimit të neokonservatorizmit dhe restaurimi i Europës, rspektivisht rikthimit të saj në skenën e diplomacisë botërore të rikomponuar. Ky proces do të vazhdojë për dy dekada rresht konform interesave gjeopolitike të fuqive të mëdha. Ndërkaq shfaqja e globalizmit monocentrik, ku fjalën kryesore do ta kenë SHBA-të, do të shenjojë hyrjen në epokën e shembjes së rendit ndërkombëtar, siç njihej ai përgjatë gjithë epokës së Luftës së Ftohtë.
Ndërkohë, pas përfundimit të luftërave në truallin e ish Jugosllavisë, shikuar nga ky kontest historik, Ballkani për diçka më shumës e dy dekada, ka përjetuar tranzicion të dyfishtë:
1. Tranzicionin ekonomiko-social dhe
2. Tranzicionin e thellë gjeopolitik.
Pranimi i rendit të ri politik — demokracisë liberale, tashmë në gjithë rajonin, ku në mënyrë më të organizuar e ku nën diktatin e neoliberalizmit ekstrem konservator, ka imponuar transformimin e plotë të pronës dhe i mjeteve të prodhimit. Ky fakt e ka shndërruar Ballkanin në një periferi të pa peshë të ekonomisë së BE-së, ndërkaq në kuptimin gjeoekonomik, ai tashmë ka rrëshqitur në terrenin e rikolonizimit të butë.
Në anën tjetër tranzicioni gjeopolitik i Ballkanit është në përmbyllje e sipër, duke ju rikthyer shumica e shteteve-kombe hemisferës Perendimore të interesit. Aderimi i Rumanisë dhe Bullgarisë në NATO pati reflektime të ndjeshme edhe në intervenimin e kësaj strukture politiko-ushtarake në Kosovë. Ai proces me peshë gjeostrategjike u pasuaa me aderimin e Sllovenisë, Kroacisë dhe së fundmi edhe të Malit të Zi dhe Maqedonisë, duke i bërë kështu Serbisë një “rrethim demokratik” të plotë. Me këtë cikël aderimesh rajoni po shkonte drejt mbylljes së ndikimit rus, duke e kufizuar atë realisht vetëm në Serbi dhe brenda Republika Serbskës (në Bosnjë e Hercegovinë). Ndërkaq pesha që kishte dikur Serbia në ish Jugosllavi, vështirë se mund të rikthehet.
Në këto rrethana të reja, në nivelin ndërkombëtar, Beogradi ka ndjekur një politikë të jashtme dy-vektoriale, shpesh skizofrenike midis palëve pothuajse të ballafaquara sërish me elemente të Luftës së re të Ftohtë mes Perëndimit dhe Rusisë.
Dhe nuk është vetëm Serbia në një situatë kaq të papërcaktuar dhe të pakonsoliduar. Ka vende të tjera kryesisht pas konfliktit në Ballkanin Perëndimor — si Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia dhe Kosova (de facto) — të cilat nuk janë integruar në BE dhe NATO dhe veprojnë në një situatë politike, ekonomike dhe të sigurisë pothuajse përgjithësisht të paqëndrueshme. Cila është perspektiva e politikës së jashtme të këtyre vendeve dhe sa ndikohet nga dinamikat e brendshme politike? Ku janë vendet e Ballkanit Perëndimor në pozicionimin gjeopolitik të aktorëve me ndikim dhe çfarë pasojash mund të ketë tranzicioni i tyre i vështirë për një kohë të gjatë — këto janë pyetjet që kjo analizë përpiqet të përgjigjet.[1]
Politikat e sukseshme lituaneze të energjisë – një leksion për Evropën Juglindore
Promovimi i Rusisë si një “superfuqi energjetike”, sidomos tani në prag të përfundimit të megaprojektit që do ta furnizojë Gjermanin me gas — Nord Stream 2, është shqetësues jo vetëm për Perëndimin. Gjermania, që cilësohet si partneri më i rëndësishëm tregtar, po shndërrohet gjithashtu në partner absolutisht i varur nga furnizimet me energji ruse. Serbia ka kohë që vullnetarisht është plotësisht e varur nga energjia ruse.
Rusia e Putinit është e vetëdijshme për pozicionin e saj të fortë që gëzon në rrafshin ndërombëtar, ndërkaq rikthimi i saj në Ballkan përmes Serbisë, mbetet një prej objektivave të saj strategjike që nuk e fsheh fare. Ky pozicion bazohet jo vetëm në pasurinë e burimeve të vendit. Asnjë shtet tjetër nuk ka kaq shumë lëndë të para. Rusia është prodhuesi më i madh i energjisë në botë; vendi zotëron më shumë se një të tretën e rezervave të gazit natyror në botë, rreth gjashtë përqind të rezervave të naftës në nivel botëror dhe rezervat e dyta më të mëdha të qymyrit. Kjo ngjall frikë gjithandej.
Furnizimi me lëndë të para minerale dhe energjike është tashmë thembra e Akilit e ekonomive në Evropë, veçanërisht për kampionin botëror të eksportit Gjermaninë. [2]
Por, krahas kësaj, edhe investimet gjermane në Rusi janë enorme.
Prandaj konkludimi i ekspertëve të fushës ekonomike se, nuk ka varësi të njëanshme, duket real. Varshmëria rezulton të jetë më shumë reciproke-me avantazhe të gjithanshme. Në këtë plan duke konstatuar me të drejtë se në shumicën e vendeve konsumatore, ekziston një potencial i lartë për mundësi ekonomike, shkencore dhe teknike për rritjen e efikasitetit të energjisë , në kombinim me dijen si resurs specifik, Gjermania dhe vendet tjera perendimore, madje edhe Lituania, pretendojnë ta shnëdrrojnë në një avantazh strategjik në konkurrencën globale.
Politikat e sukseshme lituaneze të energjisë mund të jenë një leksion jo vetëm për Gjermanin, por edhe për Evropën Juglindore.
Terminali LNG i Lituanisë ka qenë në funksion në portin e Klaipeda që nga viti 2014; ai ka shërbyer si strukturë e mirëmenduar për pranimin e gazit të lëngshëm natyror — LNG si “gaz natyror të lëngshëm”. Me këtë investim, një nga të parët e këtij lloji në botë, vendi i vogël me vetëm 2.8 milion banorë ishte në gjendje t’i jepte fund me sukses monopolit të gazit të Moskës në shtetet baltike. Në atë kohë, Ministri i Jashtëm Lituanis, Linas Linkevicius, foli vetëm për një “përparim” për Lituaninë dhe rajonin, pa rrahur gjoks më shumë.
Ndërkohë SHBA-të kanë vepruar ngjashëm në Greqi, duke vënë në veprim terminale të saj LNG, si në Lituani, e që do të jenë në dispozicion të Evropës Juglindore.
Një nga përkrahësit e diversifikimit në sektorin e energjisë është Tomas Janeliunas. Ai sheh avantazhe shumë të qarta. “Për Lituaninë, terminali është një garanci e stabilitetit të çmimeve. Por, gjithashtu ai siguron furnizimin në përgjithësi, sepse vendi nuk është më i varur prej vetëm një furnizuesi, “thotë politologu nga Universiteti i Vilnius-it, një nga ekspertët më të njohur në temën e sigurisë së energjisë.
Aktualisht sot asnjë vend evropian, nuk merr më shumë gaz natyror nga Rusia sesa Gjermania; në vitin 2019 ishte 55.6 miliardë metra kub, më shumë se gjysma e importeve të përgjithshme të gazit të Gjermanisë.
Italia doli e dyta me 20.7 miliardë metra kub. Nord Stream 2 së shpejti do të sjellë deri në 55 miliardë metra kub më shumë në Gjermani — gjë që do të rrisë ndjeshëm varësinë nga Moska. Përkrahësit e projektit të gazsjellësit janë të lumtur të theksojnë se edhe Bashkimi Sovjetik ishte një furnizues i besueshëm i lëndëve të para për Gjermaninë gjatë Luftës së Ftohtë — shqetësimet e Ukrainës ose qeverisë polake, të cilat Nord Stream 2 i klasifikon si një kërcënim për sigurinë e energjisë të të gjithë BE -së, kështu pretendohet të largohen mënjanë.[3]
Këtë gjendje e ka shfrytëzuar Rusia e Putinit duke e zbërthyer atë edhe në doktrinën e saj të re strategjike. Në qendër të kësaj doktrine gjithësesi qëndron nteresi nacional i kodifikuar me nocionin “Bota ruse”, që në thelb ka rikthimin e ndikimit rus jo vetëm në ish republikat e BRSS, ku kishte pakica ruse, por edhe më tej. Rikthimi i saj “i butë” në Ballkan prandaj është një prej objektivave të gjeopolitikës postmoderne ruse.
Këtë fakt Serbia po përpiqet ta shfrytëzo dhe, siç vëren studjuesi J.Bugajski, Serbia, nën sundimin e Presidentit Aleksandar Vuçiç, po përpiqet në mënyrë të dëshpëruar të imitojë Rusinë. Ajo po kërkon të jetë fuqia dominuese në Ballkanin Perëndimor dhe po kopjon ideologjinë “Bota Ruse” të Putin për një “botë serbe,” [4] qoftë kjo edhe më e vogël se ajo ruse. Por problemi për Beogradin është i dyfishtë: axhenda e tij ekspansioniste do të hasë në rezistencën e të gjithë fqinjëve të tij dhe atë të agjencive ndërkombëtare, ndërsa përpjkja për “madhështi” do të bëjë që Serbia të jetë gjithnjë e më e varur nga përllogaritjet e Moskës, konludon Bugajski në një editorial për gazetën DITA të Tiranës. [5]
Varësia ekonomike e Serbisë nga Rusia vazhdon të thellohet, veçanërisht në fushën e energjisë. Në janar 2021, Beogradi nisi një ndërlidhje të re gazi përmes Bullgarisë dhe Turqisë, me një pjesë prej 400 kilometrave të gazsjellëses TurkishStream (Rrjedha turke) për gazin rus. Serbia varet pothuajse tërësisht nga furnizimi i energjisë ruse dhe kjo e shton kontrollin e Rusisë mbi shtetin. Por kjo vaërsi e Serbisë ndaj Rusisë edhe më e thellë është në planin ushtarak.
Moska është e prerë që të mos tolerojë asnjë lëvizje të Serbisë drejt anëtarësimit në NATO, konkludon me ët drejtë Bugajski në analizën e tij në fjalë.
Këtë varësi Putini gjithësesi mund ta shfrytëzojë në qastin më të leverdishëm, duke nxitur konfliktin fillimisht në Bosnjë, por pa përjashtuar edhe mundësinë e një Blic-Krieg-e në veriun e Kosovës, që fare lehtë mund ta përfshijë gjithë Ballkanin.
Ndërkohë Bashkimi Europian për shkak të bllokadës bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut, ka vendosur sërish të mos çelë negociatat për antarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Nuk ishte e mundur të binim dakord për miratimin e korrnizës së negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Shpresojnë që kjo të arrihet nën presidencën e Sllovenisë.”[6], tha sekretarja e Portugalisë për Çështjet Europiane, Ana Paula Zacarias pas takimit të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme më 21 qershor në Luksemburg. Në këtë gjendje pa perspektivë, kur procesi i integrimit të rajonit në BE po shtyhet për në “Kalendrat greke”, dalje në skenën politike me idenë e krijimit të të ashtuquajturit “Ballkani i hapur” rezulton të jetë më shumë një projekt i karakterit gjeopolitik, ku ngatërrohen sferat e interesit të fuqive të jashtme, se sa një zgjidhje e duhur e në kohën e duhur. Emri i tij për ideatorët, duket se është shfryëtzuar si “Letër lakmuesi”, si një mashtrim i llojit të vetë e për motive të dyshimta të atyre që e kanë inicuar.
„Ballkani i hapur – një alternativë që i kundërvihet procesit integruaes në BE
Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina, të cilat, ashtu si Kosova, kanë frikë nga mbizotërimi i Serbisë, nuk tregojnë asnjë interes për Ballknin e hapur. Ndërkohë edhe Bosnjë-Hercegovina gjithashtu është “tërhequr” nga iniciativa, si duket nga presioni që ka nga bashkësia ndërkombëtare. Ekziston shqetësimi në Malin e Zi se një Bashkim Ballkanik, që de fakto do të ishte një “Jugosllavi e re” pa Slloveninë dhe Kroacinë, por me Shqipërinë brenda, mund të krijohet si një alternativë ndaj anëtarësimit në BE dhe se anëtarësimi në BE mund të zëvendësohet nga diçka tjetër. Dhe kjo nuk ishte ajo që ata dëshironin deri më tani në Podgoricë.
Për sa i përket përmbajtjes, “Ballkani i hapur” tani është paisur me prerogativa që de fakto janë më shumë sesa lehtësimi i lëvizjes së njerëzve — përkatësisht krijimin e një zone ekonomike rajonale, njohjen e diplomave, çështjen e lejeve të punës dhe shkëmbimet e studentëve, duke pretenduar madje edhe një treg të brendshëm me të gjithë katër liritë për lëvizjen e mallrave dhe shërbimeve, njerëzit dhe kapitalin. Megjithatë ky projekt edhe vetëm si ide ka rezultuar më shumë të jetë në funksion të ringjalljes së tensioneve politike dhe rritës së nacionalizmi, sidomos atij serb. Rrjedhimisht rezistenca ndaj kësaj ideje ishte më e theksuar në Kosovë dhe Mal të Zi, por ajo pritet të artikulohet edhe më qartë nga qarqet progresive gjithandej brenda Ballkanit Perendimor dhe nga Brukseli e Uashingtoni.
Për këtë ide, fillimisht të pagëzuar si Margaritis Schinas, nënkryetari i Komisionit Evropian, nuk ishte aspak i entuziazmuar, përkundrazi ai atë nuk e shihte në funksion të procesit të integrimit të rajonit në BE.
“Në asnjë mënyrë qëllimi për t’u kthyer në Shengenin tonë të zakonshëm, duke hequr kufizimet aktuale në kufijtë tanë të brendshëm, nuk do të zëvendësohet nga një lloj mini Shengeni rajonal që copëtojnë tregun tonë të vetëm dhe diskriminojnë Shtetet Anëtare jo-pjesëmarrëse. Kjo nuk është e mundur, ” pohoi ai.
Në veçanti, ai theksoi se nuk dëshironte që e ashtuquajtura ‘flluska e udhëtimit Baltik’ të bëhej një tipar afatgjatë, megjithëse ai nuk kundërshtoi veçanërisht heqjen e kufizimeve në udhëtimet e brendshme midis shteteve të BE me nivele të ngjashme epidemiologjike gjatë pandemisë .
Kjo marrëveshje e re midis Shqipërisë dhe Serbisë ndodh pikërisht kur BE po planifikon të rishikojë Zonën Shengen.[7]
Kalimi nga iniciativa e Novi Sadit, që u bë më shumë e njohur me emrin “Mini Shengen”, në “Balkan Open” duhet shikuar edhe si produkt i një lloj “ skepticizmi euro-atlantik”, e si i tillë ai merr një dimension më të strukturuar dhe më të etabluar në mendësinë e politikanëve, të cilët gjatë ditës mendjen e kanë në Bruksel e Washington, kurse natën punojnë në gjetjen e alternativave për t’i zëvendësuar ato.[8]
Në emisionin e njohur të njërit nga tv serbe, RasPravda, St. Protić, historiani dhe ish ambasadori serb në Zvicër dhe SHBA, pohon se bombardimet e NATO-s mbi caqet e armatës serbe dhe mbi qytetet serbe (24 maj 1999–10 qershor 1999), paskan ndodhur meqë Perendimi, më saktë “disa nga fuqitë perendimore, nuk na honepsin dot si lider të Ballkanit.” Ata, thellon më tej analizën e tij ish ambasadori dhe ndërkohë studjuesi St. Protić, e kanë të qartë se “ne serbët, kemi vullnetin dhe dëshirën, fuqinë dhe aftësinë që të krijjmë shtetin nacional dominant në Ballkan, i cili do të dominonte krejt këtë pjesë të kontinentit. Këtë fakt nuk mund ta tolerojë asnjë nga fuqitë e mëdha, e veçmas jo ato fuqi perendimore që në këto 20 vitet e fundit e kishin fjalën kryesore.”[9]
Në këtë linjë është edhe studjuesi i njohur rus i çështjeve ballkanike, Valeri Emeljanov, Drejtor i Qendrës Ruse të Analitikës dhe Informacionit. Ai në një analizë botuar në 31 korrik 2021, tek trajton idenë për Ballkanin e Hapur, duke rreshtuar përfitimet e Serbisë nga kjo nismë, potencon se “Shqipëria për Beogradin është dalje në det, nga e cila u privua me rënien e Jugosllavisë dhe më vonë të Federatës Serbo-Malazeze”.
Tutje ai nënvizon se dy përfituesit kryesorë të nismës do jenë, Serbia dhe Maqedonia.
“Serbia, shteti më i fuqishëm i aleancës së “Ballkanit të Hapur” natyrisht është e interesuar për vërshimin e mallrave të lira dhe të shërbimeve të lira nga vendet fqinjë. Përveç kësaj “Ballkani i Hapur” është rikthim i qartë tek statusi i liderit rajonal, të cilin Serbia dhe serbët tradicionalisht e kanë patur në Ballkanin Perëndimor. Mospjesëmarrja e Kosovës në aleancat e tipit të “mini Shengenit-“Ballkan i hapur”- realisht dhe qartë përcaktohet nga fakti se atë e drejton Serbia” — shkruan Valeri Emeljanov.[10]
Si nacionalisti racional e i matur serb Protić, edhe sivëllai i tij rus Valeri Emeljanov, nuk e fshehin faktin se ky projekt mudn të konsiderohet edhe si kunëdrvënie BE-së, respektivisht filozofisë bazë mbi ët cilën është ngritur ky bashkim sui generis për historinë politike botërore. Prandaj Protić angazhohet për qasje tjetër ndaj Kosovës, për këmbim popullsish mes Serbisë e Kosovës, për aneksimin e gadi gjysmës së Bosnjës (Republika Srbska…) dhe krijimin e Shtetit-komb të Serbisë.
Projekti “Ballkani i hapur” vallë, nuk na qenka pikërisht kjo qasje e Beogradit për krijimin e parakushteve që shpiejnë drejt arritjes së këti objektivi strategjik serb?!
Bashkimi doganor i pamundur
Për një treg unik, përveç katër lirive që parasheh ideja e “mini-Shengenit”, një bashkim doganor do të ishte i domosdoshëm. Ndërkaq realizimi i këtij objektivi rezulton të jetë thjeshtë i pakonceptueshëm, sepse të gjashtë vendet kanë tarifa doganore shumë të ndryshme me vendet e tjera të treta. Serbia, për shembull, ka nënshkruar një marrëveshje të tregtisë së lirë me Rusinë dhe tani gjithashtu një me Bashkimin Euroaziatik.
“Nuk ka gjasa që kufijtë për tregti dhe udhëtime midis vendeve të prekura do të hiqen,” thotë dojeni i ekonomistëve të Evropës Juglindore, Vladimir Gligorov, në lidhje me idenë mini-Shengen për të përditshmen austriake STANDARD. Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor gjithashtu kanë marrëveshje me BE mbi standardet dhe pengesat tregtare. “Nuk ka asnjë mënyrë për të sinkronizuar politikën përtej asaj që është rënë dakord me BE,” përmbledh ai.[11]
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç u shpreh në një rast tjetër se, në rrethanat kur BE nuk ka një strategji të qartë ndaj Ballkanit Perëndimor, nisma rajonale Ballkani i hapur paraqet një mundësi, shpresë dhe detyrim të madh për të tre vendet për të krijuar një të ardhme më të mirë dhe të ndryshme në e tyre.[12]
Ndërkaq në një nga takimet e treshes Vuçiq-Rama-Zajev, presidenti serb Vučić nënvizon se „deri në fund të vitit 2021 duam të krijojmë kushtet, që të kalojmë nga vendi në vend vetëm me kartë identiteti. Këtë me Shqipërinë nuk mund ta bëjmë tani dhe shpresojmë ta arrijmë në takimet e ardhshme. Njëzet e gjashtë orë humbasin kamionët duke pritur në kufij dhe shikoni çfarë do të thoshte për ekonominë heqja e këtyre barrierave“.
Këto deklarata të Vuçiqit duhet vështruar të ndërlidhur me strategjinë serbe për dominim në rajon. Por, për hir të së vërtetës duhet pohuar se rajoni ka nënshkruar marrëveshje paraprake në kuaëdr të nismave tjera, prandaj tashmë ekziston një marrëveshje ekonomike, por që nuk funksionon. Marrëveshja CEFTA nuk funksionin dhe përgjegjëse për këtë është vetë Serbia. Atëherë është logjike të bësh pyetjen, përse nuk punohet për zbatimin e marrëveshjes së CEFTA-s, por futet në lojë Ballknain e hapur’? Konkluzioni është i qartë: përderisa Serbia nuk e njeh Kosovën si subjekt të barabartë në tavolinën e bashkëbisedimeve edhe për projekte të kësaj natyre, përderisa marrëdhëniet politike mes Beogradit dhe Prishtinës të mos zgjidhen, çfarëdo marrëveshje qoftë ajo, ,është vështirë, për të mos thënë e pamundur, të funksionojë, e mos të flasim për këtë lloj “bashkimi doganor”, siç prezantohet “Ballkani i hapur” nga treshja e kapur nga oligokratët e rajonit që si duket janë fuqishëm të mbështetur nga ata rus dhe jo vetëm.
“Ballkani i hapur” pengon procesin integrues në BE
Kjo iniciativë duket e pakonsultuar ose minimalisht — e pakoordinuar me fqinjin tonë kryesor, me Kosovën, e cila bashkë me Bosnjën e Malin e Zi, e kanë bërë të dështojë që në fillim këtë iniciativë. Qeveria franceze, thuhet se ka dijeni për një paketë të plotë të kësaj iniciative, e cila në thelbin e vet zhvendos rajonin nga aksi i integrimit të shpejtë në Bashkimin Europian dhe e dyta, fut në labirinte të errëta pavarësinë e Kosovës.
Për ish-diplomatin, Shaban Murati nisma mund të ketë efekte të tjera gjeopolitike. “Realisht projekti serb është krijimi i një miniblloku të ri ekonomik dhe politik si alternativë apo sfidë ndaj Bashkimit Europian. Presidenti serb e shprehu hapur këtë pas refuzimit të BE-së për hapjen e bisedimeve të pranimit me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut, kur tha se ‘refuzimi i BE-së tregon se sa të drejtë kemi ne që jemi lidhur me Rusinë dhe me Kinën’. Orientimin miniblloqeve ua jep shteti nismëtar ose shteti më i fuqishëm, që në rastin konkret është Serbia. Rusisë i interesojnë vatra të vogla ballkanike të shkëputura nga BE dhe prandaj Moska e përkrah projektin serb të zonës ekonomike ballkaniko-perëndimore”, argumenton Murati.[13]
Murati nënvizon tutje në raport me qëllimet reale të Serbisë që ndërlidhen me Bllkanin e hapur si projekt, duke e cilësuar si „lojë të komplikuar dhe të errët diplomatike dhe të metodës indirekte serbe për të marrë dalje në bregdetin shqiptar të Adriatikut“. Në këtë lojë, sipas Muratit, „Serbia hodhi ne tavolinat diplomatike shashkën që mund të pranonte njohjen e Kosovës në shkëmbim të së drejtës së daljes në bregdetin shqiptar në Adriatik. Është një tezë, që e përmend edhe media serbe “B92” në 20 mars 2020, kur del me njoftimin “Një pikë-dalje në det, ky është kompromisi i ofruar Serbisë”.[14]
Vladimir Gligorov thekson se BE do të donte idenë e “Mini-Shengenit”, sepse “ajo ngadalëson procesin e zgjerimit” dhe meqë BE gjithsesi po promovon bashkëpunimin rajonal për arsye të politikës së sigurisë. Premtimi i Mini-Shengenit është gjithashtu “reklamim i mirë në Evropë” për Vuçiqin dhe Ramën, thotë ai. “Por, kjo nuk paraqet një përmirësim për Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën. Dhe Mali i Zi nuk dëshiron ndonjë ngadalësim të pranimit të tij në BE,” shpjegon ai tutje. Prandaj, Gligorov arrin në përfundimin se asgjë nuk do të dalë nga e gjithë ideja — “përveç shumë bisedave”.[15]
Shumë studjues të kësaj fushe gjithashtu theksojnë se tashmë ka mjaft iniciativa rajonale. Detyrimet për bashkëpunim më intensiv janë rënë dakord prej kohësh brenda kornizës së marrëveshjes ekzistuese rajonale të tregtisë së lirë Cefta dhe procesit të Berlinit. Kjo është arsyeja pse ideja Mini-Shengen “duket si një projekt tjetër i bashkëpunimit rajonal, i cili — kam frikë — së shpejti do të mbështetet nga Nisma e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, procesi i bashkëpunimit të Evropës Juglindore, Cefta dhe kompani të tjera”, thotë eksperti i njohur Florian Bieber i Universitetit të Graz-it në lidhje me pengesat që iniciativa të tilla u është dashur të përjetojnë deri më tani.
Pozicion i privilegjuar i Serbisë
Në fakt, marrëveshja rajonale e tregtisë së lirë Cefta u nënshkrua nga administrata e KB-së Unmik në Kosovë në 2007. Qeveria në Prishtinë më pas theksoi se Kosova do të tërhiqej nga marrëveshja nëse nuk do të përfaqësohej në Cefta si Republikë tashmë e njohur nga mbi 100 shtete sovrane. Në përgjithësi, tregtia brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor tashmë është kryesisht pa taksa doganore brenda kornizës së Cefta-s, por kontrollet kufitare ende kërkohen për të zbatuar rregullat e origjinës. Në një studim të ri interesant nga Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare (WIIW) dhe Fondacioni Bertelsmann, shqyrtohen me përpikëri përpjekjet e mëparshme për të forcuar bashkëpunimin rajonal dhe në këtë mënyrë edhe të stimulojnë rritjen ekonomike.
Përveç Cefta-s, Gjermania dhe BE kanë promovuar zgjerimin e infrastrukturës në rajon që nga viti 2014 duke e trajtuar si pjesë të Procesit të Berlinit. Një total prej katër miliardë eurosh do të investohet në zgjerimin e energjisë dhe rrjeteve të transportit.
Autorët e studimit tregojnë se efekti i marrëveshjeve të mëparshme të tregtisë së lirë në rajon ishte shumë më i vogël për Serbinë sesa ishte rasti për pesë shtetet e tjera si Bosnjë-Hercegovina, Kosovës, Malit të Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Krejt kjo sepse Serbia — e cila është ekonomikisht aq e fortë për sa i përket PBB-së sa të pesë shtetet e tjera së bashku — ka zgjeruar tregtinë e saj me BE, me theks në vitet e fundit. Falë Cefta-s, tregtia ndërrajonale u rrit me mbi 37%. Nëse Serbia do të përjashtohej nga llogaritja, ajo rritje ishte madje 70 %. [16]
Ndryshe nga Evropa Qendrore dhe Lindore përpara se të bashkoheshin në 2004, nuk kishte asnjë lulëzim në Ballkan — përveç ndoshta investimit të Fiat Chrysler në Serbi. “Gjeografia e armiqësisë”, siç e quajnë autorët e studimit tensionet e vazhdueshme politike midis Serbisë dhe Kosovës dhe brenda Bosnjë-Hercegovinës, është vendimtare për mungesën e zhvillimit. Kjo përforcon dobësinë ekonomike të rajonit, ky është argumenti kryesor.
“Serbia është në qendër të gjeografisë së armiqësisë, stimujt e saj për bashkëpunim të plotë rajonal janë të kufizuara,” potencohet në këtë studim. “Serbia ka probleme territoriale me shumicën e vendeve tjera në rajon, megjithëse në shkallë të ndryshme. E gjithë kjo çon në një shpërndarje shumë të njëanshme të pushtetit rajonal. Fqinjët e Serbisë janë dukshëm më të dobët në pothuajse çdo mënyrë, duke përfshirë popullsinë, fuqinë ushtarake dhe burimet e taksave shumë të vështira për të arritur ekuilibrin rajonal, “[17] thotë studimi në fjalë.
Zhvillimi ekonomik i rajonit në çdo rast dëmtohet rëndë nga mosmarrëveshjet territoriale dhe bllokadat kushtetuese. Prandaj — pa ndonjë përparim në këto çështje — edhe iniciativat e bashkëpunimit rajonal të tilla si “Ballknai i hapur” nuk mund të ndryshojnë thelbësisht situatën.
Shih për këtë, autorët e studimit propozojnë qasje më të mirë në buxhetin e BE, pranim në bashkimin doganor të BE dhe një zgjerim të marrëveshjeve të mëparshme me BE. Anëtarësimi në bashkimin doganor të BE do të nënkuptojë se shtetet do të duhej të barazojnë marrëveshjet e tyre doganore me ato të BE. Do të ishte gjithashtu pozitive që barrierat tregtare të hiqeshin. Pra, më shumë Evropë është e nevojshme në Ballkan, jo domosdoshmërisht më shumë ide për bashkëpunim rajonal, në mënyrë që të sigurohet që ekonomitë e varfra të arrijnë hapin me bllokun e prosperuar ekonomik të BE-së.
Zona e re Ballkani i hapur pretendohet të përbëhet nga Serbia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina.
Konkluzione
Në fjalën e tij gjatë konferëncës dyditore ndërkombëtare, Forumi i Prespës për dialog, kryeministri i Kosovës kërkoi që rajoni t’i rikthehet agjendës së integrimit europian.
Në rst se BE shtyn tutje këtë agjendë, ka rrezik që rajoni të rrëshqas sërish në kaos. Sipas studjuesit Boris Varga ekzistojnë katër faktorë kryesorë që ndikojnë në perspektivat e ardhshme të rajonit të Ballkanit Perëndimor:
a) Ndryshimi i mjedisit të politikës së jashtme
b) Problemi i dinamikave të brendshme politike
c) Faktor Rusi
ç) BE -ja dhe paradigma e re integruese [18]
Për shkak të ngërçit në zgjerimin e BE -së, oferta e anëtarësimit në NATO tashti për Kosovën është një lloj zëvendësimi real, por gjithësesi jo i plotë, në procesin integrues euroatlantik. Nëdrkaq anëtarësimi në NATO i Malit të Zi dhe Maqedonisë do të duhej nënkuptuar si distancim nga Rusia. Por, ndër vendet e që në vitin 2018 ishin objekt trajtimi e analize, vetëm në Maqedoni dhe Kosovë ekzistonte një konsensus i brendshëm social dhe politik në lidhje me anëtarësimin në Aleancë. Për Maqedoninë, anëtarësimi në NATO u dëshmua se ishte edhe një faktor shtesë i stabilizimit dhe sigurisë.
Gjatë gjithë procesit të integrimit të Ballkanit Perendimor në BE, për fat të keq, stabilokracia si fenomen qe aplikuar si prioritet nga Brukseli. Ky fakt dëshmon se Brukseli shpesh ka aplikuar standarde të dyfishta në vlerësimin e demokratizimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor që po rezulton tashmë me minimin sistemik të demokracisë. Ballkani i hapur është produkt i atyre garniturave të papërgjegjshme politike, sidomos në Serbi dhe Shqipëri, që për kohë të gjatë, gjithësesi pa meritë, gëzonin mbështetjen e Brukselit zyrar. Në vitet 90-ta të shek. të kaluar edhe Sllobodan Millosheviqi qe konsideruar si një faktor stabiliteti. Përfundimi dihet tashmë.
Me refuzimin e hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedonin e Veriut ndjenjat euroskeptike dhe madje edhe anti-evropiane mund të nxiten më tej në gjithë Ballkanin Perendimor. Këtë fakt ndërkohë po e shfrytëzojnë autoritarët e tipit të Vuçiqit e Ramës si në Serbi edhe në Shqipëri. Nëse braktiset orientimi evropian, elitat politike të orientuara nga këta lider autoritar, mund të kthejnë fare lehtë rajonin në fillimvitet e dekadës së fundit të sheulit të kaluar. Në këtë rast Serbia do të motivojë shkëputjen në Republikën Srpska, edhe përmes organizimit të një referendumi, ndërkaq Kosovën veriore edhe përmes një „blic krig-e“. Ajo logaritë gjithësesi në mbështetjen e Rusisë për këtë objektiv strategjik të saj.
“Lufta për kthimin e Kosovës nën sovranitetin e Serbisë do të jetë afatgjatë dhe e pasigurt. Ajo duhet e mund të bëhet, vetëm përmes një strategjie bashkëpunimi dhe lufte permanente për të zhvilluar një vetëdije politike autonome gjithandej tek popujt e Ballkanit për nevojën për bashkëpunimin e tyre (riafirmimi i fjalëkalimit strategjik “Ballkani për popujt e Ballkanit” dhe “Evropa për evropianët”), duke fituar kështu një lloj shprese për Europën e së ardhmes dhe botës. Duke u bërë një vend i fortë ekonomikisht dhe në rrafshin kulturor, Serbia do të rifitojë reputacionin e saj politik dhe do të sigurojë riintegrimin demokratik në këtë gjeohapësirë.” [Dr Ljubiša Mitrović: 2018]
Prandaj iniciativën, respektivisht projektin tashmë të koduar si Open Balkan duhet kuptuar si një lloj fjalëkalimi strategjik të Serbisë drejt “Botës serbe”.
Më qartë nuk ka se si thuhet se në themel të projektit “Ballkani i hapur” është pikërisht kjo strategji e përpunuar nga institucionet shkencore serbe në shërbim të politikës.
Rritja e fluiditetit gjeopolitik të Serbisë në njërën anë, që karakterizohen me raporte të mira qoftë me Moskën, qoftë me Brukselin, por po aq të afërta edhe me Pekinin, dhe, në anën tjetër, profilimi i saj si shtet autoritar, që nënkupton intensifikimi i politikave të forta shtetërore, i kanë imponuar qeverisë serbe të marrin masa shtesë për të zvogluar rreziqet që lidhen me “ndërveprimet ekonomike ndërmjet shteteve, të cilat kanë përdorur gjithmonë mjete të politikës ekonomike dhe të diplomacisë për të ndjekur qëllimet e tyre gjeopolitike.” [19]
Në kontekstet e analizave gjeopolitike, indikatorët ekonomik zënë një vend të rëndësishëm në vlerësimin e fuqisë së shtetit.
Interesave jetike të Kombit duhet t’i nënshtrohen interesat tjera politike e ekonomike. Politikat e dy republikave tona (Shqipërisë politike dhe Republikës së Kosovës), duke marrë në konsideratë edhe interesin ekonomik të secilës veç e veç e të që të dyjave tok, janë të shtrënguara të balancojnë midis interesave gjeostrategjike të integrimit euroatlantik të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, që janë partneri ynë kryesor gjeostrategjik, dhe interesave të veta jetike. Procesi i Berlinit, duke qenë në përputhje me interesat gjeostrategjike shqiptare, nuk bie ndesh as me interesat ekonomike të akcilës palë ndërshqiptare. Përkundrazi, ato përputhen plotësisht.
Udhëheqja e Tiranës aktualisht është e ndarë mes gjeopolitikës dhe fitimit (nën ndikimin e presionin e oligokratëve), strategjive kryesore gjeopolitike të përballjes së Kosovës me Serbin, dhe nevojave për të siguruar rritje të vazhdueshme ekonomike.
Ajo duhet të gjejë rrugëdalje nga iniciativa e pagëzuar tashmë si Open Ballkan dhe t’i kthehet interesit jetik kombëtar.
Duke pasur parasysh realitetet e reja në botë, para së gjithash në Europën Perendimore dhe atë Juglindore, Shqipëria dhe Kosova duhet të ripërkufizojnë prioritetet e politikës së jashtme tok. Këto prioritete para së gjithash duhet të përqëndrohen e koordinohen në mbrojtje të interesit kombëtar.
Shqipëria politike tashmë është pjeës integrale e aleancës politiko-ushtarake më të madhe në historinë e njerëzimit — në NATO. Kosova aktualisht është nën suzerenitetin e Perendimit (SHBA-ve dhe partnerëve të saj tradicional). Këtë fakt duhet shfrytëzuar në maksimum.
_______________
Fusnotat
1. Boris Varga: https://pescanik.net/zapadni-balkan-geopolitika-nedovrsenih-drzava/
2. https://internationalepolitik.de/de/russlands-energie-europas-achillesferse
4. https://www.slobodnaevropa.org/a/vulin-vu%C4%8Di%C4%87-srpski-svet/31366884.html
5. Dita, 7 gusht 2021
http://www.gazetadita.al/raportet-mes-moskes-dhe-beogradit-janusz-bugajski-vucic-mund-te-nxitet-drejt-nje-konfrontimi-ushtarak-ndaj-fqinjeve-ne-ballkan/
6. https://www.youtube.com/watch?v=zWBdiar6iH0
7. https://www.etiasvisa.com/etias-news/mini-schengen-balkans
8. Shih: Emin Azemi, Fakti, 31 korrik 2021
9. https://www.youtube.com/watch?v=AhHqopkTDSo
10. Shih: “eadaily.ru”, 31 korrik 2021
11. Adelheid Wölfl: https://www.derstandard.at/story/2000121343070/wenig-begeisterung-fuer-mini-schengen-statt-eu-beitritts-auf-dem
12. https://www.glasistre.hr/svijet/vucic-kritizira-eu-kaze-da-je-otvoreni-balkan-povijesna-prilika-za-cijelu-regiju-737408
13. Shaban Murati: https://ishgj.net/gjeopolitika-rajonale/gjeopolitika-postmoderne-serbe-dhe-endrra-per-dalje-ne-adriatik/
14. Po aty
15. Adelheid Wölfl: https://www.derstandard.at/story/2000121343070/wenig-begeisterung-fuer-mini-schengen-statt-eu-beitritts-auf-dem
16. Po aty: https://www.derstandard.at/story/2000121343070/wenig-begeisterung-fuer-mini-schengen-statt-eu-beitritts-auf-dem
17. Po aty: https://www.derstandard.at/story/2000121343070/wenig-begeisterung-fuer-mini-schengen-statt-eu-beitritts-auf-dem
18. Boris Varga: https://pescanik.net/zapadni-balkan-geopolitika-nedovrsenih-drzava/
19. Rovena ALIRAJ, tema e disertacionit me titull: “GJEOPOLITIKA SERBE NË MIJËVJEÇARIN E RI: NDIKIMI I SAJ NË SIGURINË BALLKANIKE DHE HAPËSIRËN SHQIPTARE”
https://tradoc.mil.al/images/DOKTORATURAT/Doktoratura_Rovena_ALIRAJ_.pdf