Nga Selim IBRAIMI, Uashington
Ndërsa fuqitë globale po ndërmarrin veprime për të siguruar linjat e transporitit të të gjitha llojeve dhe përgatiten për sfidat e shekullit të 21-të, BE-ja dhe fuqitë e tjera evropiane kanë qenë në krye të lojës së tyre, duke propozuar plane për forcimin e ushtrive, me përfshirje të Ballkanit dhe Evropës Lindore. Kjo mund të konsiderohet si lindje e thellësisë strategjike evropiane.
Nga ana tjetër, Rusia, pavarësisht sanksioneve ndërkombëtare, ekonomisë së dobët dhe luftës në Ukrainë, për më shumë se njëzet vite, ka testuar thellësinë e saj strategjike në ish-republikat sovjetike dhe, natyrisht, në sferën e vjetër të Perandorisë Ruse me shtrirje në Ballkan.
“Evropa duhet të jetë e gatshme për çdo kërcënim në çdo nivel të shoqërisë”- tha Kaja Kallas, përfaqësuese për siguri dhe politikë të jashtme të BE-së. “Sot, paraqesim një strategji për të parashikuar më mirë rreziqet, për të rritur bashkëpunimin civilo-ushtarak dhe për të punuar ngushtë me partnerët”. “Mënyra më e mirë për t’u përballur me kërcënimet, është të qëndrojmë përpara tyre “- nënvizoi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte gjatë një vizite në Poloni.
Nga aspekti historik, drejtues politikë dhe ushtarakë e kanë parë Evropën dhe Ballkanin si pjesë të një politike më të madhe për të siguruar kufijtë nga forcat e huaja. Kështu Justiniani i I (482-565) e shihte Ballkanin si “një kufi për t’u siguruar kundër inkursioneve barbare, si ato të sllavëve dhe avarëve, dhe një bazë për projektimin e fuqisë në Evropë dhe më gjërë”. Gjatë dhe pas Luftës së Parë Botërore, Lloyd George ish- kryeministri i Britanisë së Madhe (1916-22) e vlerësonte Ballkanin si një rajon kritik dhe problematik. Nga gjithë konteksti historik dhe nga ngjarjet e sotme, Ballkani ka qenë pjesë e lojërave të shteteve evropiane dhe Rusisë. Kështu për fuqitë evropiane, Ballkani ka qenë në rendin e ditës si nevojë e domosdoshme në dy shekujt e fundit. Gjithashtu, për Rusinë, që nga Luftërat e Krimesë (1853-56) dhe Çështja Lindore, Ballkani dhe vetë Krimea kanë qenë në fokus të përhershëm.
Në këtë drejtim, deklaratat e fundit të zyrtarëve të lartë të shteteve evropiane janë një mbështetje për aletatët dhe miqtë në kohën kur Rusia e konsideron rikthimin e statusit ndërkombëtar të pas Revolucionit të Tetorit. Sipas nevojës së politikës ruse, Ballkani, Evropa dhe rajonet që hyjnë në strategjinë e thellë ruse, nuk mund të përjashtohen nga koncepti rus i rikthimit në skenën ndërkombëtare. Shtetet evropiane që nga 1991 janë munduar që të integrojnë këtë pjesë problematike të Evropës brenda sistemit evropian.
Si për Rusinë dhe për shtetet evropiane, Ballkani dhe Krimea mbeten pjesë të interesit të tyre afatgjatë. Nuk është e rastit se pse shtetet evropiane, Rusia dhe Ukraina po luftojnë për një pozitë më të mirë në atë pjesë të Evropës. Duhet thënë se si rajon paraqitet si çështje e përfunduar për Rusinë, por jo për Ukrainën, BE-në, Britaninë e Madhe etj. Për administratën e presidentit Donald Trump, gjatë dy takimeve të fundit, në Arabinë Saudite, pjesët e pushtuara të territorit të Ukrainës dhe Krimea shihen si pjesë të Rusisë.
Shumë thjesht, Ballkani dhe Krimea përfaqësojnë rajone me rëndësi strategjike për Rusinë dhe Evropën. Rëndësia strategjike, në këtë kontekst, i referohet aftësisë së një shteti për të shfrytëzuar pozitën gjeografike, fuqinë ushtarake dhe ndikimin politik për të projektuar forcën, dhe për të siguruar interesat kombëtare. Le të vazhdojmë t’i shqyrtojmë dy rajonet dhe rëndësinë e tyre për Rusinë dhe shtetet evropiane. Kur flasim për thellësinë strategjike, këtu kemi të bëjmë me interesat politike, ushtarke, burimet dhe poziconin gjeografik të një territori apo një shteti me paraqitje të një rëndësie të veçantë. Koncepti i thellësisë strategjike në gjeopolitikë i referohet kapaciteteve të një shteti për të mbështetur sigurinë dhe ndikimin e tij duke përdorur burimet ekonomike, diplomatike, ushtarake, politike etj. Shpesh ka të bëjë me krijimin e tampon zonave ashtu siç është rasti me pjesët e okupuara nga rusët në Ukrainë, ku Rusia mundohet që këto territore t’i shërbejnë si mburojë.
Në Ballkan, Serbia e përdor Republikën Srpska dhe serbët e Kosovës për të projektuar fuqinë në rajon. Synimi kryesorë është krijimi i tampon zonave në shërbim afatgjatë të Beogradit. Gjithashtu mund të përmendim rastin e përpjekjeve të administratës së presidentit Donald Trump për të integruar Grenlandën si territor të saj me fuqi të butë ose fuqi ushtarake në të ardhmen. Ose disa raste nga historia tregojnë se si Perandoria Osmane e përdori shtrirjen e saj gjeografike në disa kontinente për të menaxhuar kërcënimet në shumë fronte. Rast tjetër mund të veçohet përsëri SHBA-ja e cila e shfrytëzon pozitën gjeografike në mes dy oqeaneve për të projektuar fuqinë. Në terma konkretë, edhe për Rusinë, Krimea shërben si zonë mbrojtëse detare. Po ashtu Donbasi dhe pjesët tjera të pushtuara e kanë këtë qëllim, që të sigurojë pika dominimi rus në këtë hapësirë. Nga ana tjetër, humbja e këtyre pikave strategjike nga Evropa apo Ukraina, kanë shtyrë shtetet evropiane të rimendojnë pika të reja të furnizimit, dhe të sigurimit të zinxhirit ushqimor me ndikim në BE dhe në Ballkan. Ku po aty siç përmendëm më lartë, Serbia po kopjon planin rus të krijimit të tampon zonave me përpjekje për të destabilizuar Kosovën në veri, dhe në Bosnjë e Hercegovinë. Pasi rëndësia strategjike e territoreve është shumë e rëndësishme për të gjitha shtetet pavarësisht fuqisë së tyre, në kohën e sotme për shtetet evropiane, Ballkani mbetet pjesë e rëndësishme e zgjerimt, duke shërbyer si një kufi mbrojtës.
Që nga Mesjeta, Ballkani ka qenë linja e parë ose e fundit e shteteve- varësisht shtrirjes gjeografike. Pozita gjeografike e Ballkanit ka shërbyer si për Rusinë dhe për shtetet evropiane si një zonë ku janë testuar politikat e ndikimit. Paqëndrueshmëria në Ballkan që buron nga faktorë të brendshëm dhe të jashtëm, pavarësisht se luan rol të drejtpërdrejtë për shtetet evropiane në rrugët e transportit deri në Detin e Zi, në realitet është një luftë në mes shteteve evropiane dhe Rusisë për të mbajtur në kontroll këtë pjesë.
Në raportin aktual të forcave, humbja e Krimesë do ta ulë aftësinë e shteteve evropiane për të sfiduar Rusinë. Mirëpo nëse Ballkani, do të integrohet plotësisht, mund të riplotësojë këtë humbje të Evropës në Detin e Zi. Në fund mund të thuhet se në dy shekujt e fundit, Krimea dhe Ballkani janë arena ku Rusia dhe shtetet evropiane luftojnë për prani strategjike.
Për të ndërtuar një ekuilibër të ri midis Rusisë, Britanisë së Madhe, dhe shteteve evropiane, do të duhej që SHBA, apo administrata e presidentit Donald Trump të kishte një qasje më të mirë ndaj evropianëve. Aktualisht gjendja shkon në favor të thellësisë strategjsë ruse duke favorizuar interesat e Rusisë në Detin e Zi, me ndikim afatgjatë në Evropën Qendrore, Ballkan dhe Lindje të Mesme.
Prandaj, ndërtimi i një linje tjetër mbrojtëse si mjet i thellësisë strategjike në Ballkan për shtetet evropiane kundër Rusisë do të jetë i vështirë pa SHBA-në dhe aleancat e mira me shtetet ballkanike. Kjo nuk ekziston tani për tani në kontekstin e rajoneve me rolin e tampon zonave.