Nga Shqiprim PULA
Elita drejtuese e Unionit Evropian ka pranuar logjikën e pushtetit të Beogradit zyrtar si logjikë grabitqari duke ia mundësuar Serbisë si palë negociatore të negocionte atë që është e panegociueshme – rregullimin shtetëror të brendshëm, duke insistuar në “asociacionin serb” në Kosovë, për të amputuar një copëz Serbi brenda territorit të Republikës.
Ne duhet ta vlerësojmë, të tjerët duhet ta kuptojnë se paqja me Serbinë ka kuptim ndryshe nga seç mund të kuptohet nga ata që nuk e njohin Serbinë agresore, dhe se, nëse duam paqe afatgjatë, atëherë gjendja e paqes duhet të risjellë të gjitha pasojat që janë shkaktuar nga lufta gjatë viteve 1998 – 1999 si akt agresor i Serbisë ndaj nesh.
Duhet thënë se i gjithë rajoni ka rënë në një fatalitet, nga një garniturë politike në Serbi që kërcënon sigurinë dhe ekzistencën e shteteve në rajon dhe veçanërisht Republikën e Kosovës. Makthi mbi sigurinë është shndërruar në mënyrë jetese për ne nga kërcënimet dhe veprimet e Serbisë agresore ndaj fqinjëve, me gjithë koncesionet e bëra ndaj saj, edhe nga ne, gjatë procesit të dialogut në Bruksel por edhe nga Unioni Evropian, duke shmangur përgjegjësinë e Serbisë për të bëmat e saj, e gjitha, në emër të “normalizimit të marrëdhënieve”!. Po ashtu, duhet theksuar se vetëm ndërrimi i kësaj garniture politike të çmendur mund t’i shmangë kërcënimet agresore apo luftën.
Çfarë e ka rënduar situatën e sigurisë, politike e atë ekonomike, është qasja krejtësisht e gabuar e Unionit Evropian si lehtësues i procesit të dialogimit, që nuk ka vendosur disa kushte qenësore për Serbinë, p.sh., që të njihen kufijtë territorialë të Republikës së Kosovës sipas përcaktimeve të Kushtetutës së vitit 1974 të ish-Jugosllavisë; që Serbia të mos e vendoste Kosovën si pjesë integrale të kushtetutës së saj aktuale; që Serbia nuk do të mund të hapë negociatat për kapitujt për anëtarësim në UE nëse cenon në cilëndo formë subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës; që të respektojë parimin fundamental të UE-së atë të fqinjësisë së mirë, edhe nëse formalisht nuk e njeh Republikën si njësi të subjektivitetit të Kosovës. Pra, secila nga këto dhe të gjitha bashkë, kanë rëndësinë e padiskutueshme për të garantuar ruajtjen e paqes në rajon. Dhe kjo deri më tash s’ka ndodhur. Thënë ndryshe, ky vizion i munguar nga ana e Unionit Evropian ka qenë favori më i madh që i është bërë Serbisë.
Serbia me disa dhjetëra baza xhandarmërie e ushtrie përreth kufirit të Kosovës përbën rrezik dhe gjendje të jashtëzakonshme. Pikërisht për këtë situatë Republika e Kosovës ndër vite është vënë nën kushtëzime politike për të marrë garanci sigurie parciale për veriun e vendit në veçanti nga akterë ndërkombëtarë të përfshirë në çështjet rajonale të Evropës Juglindore, por, nga ana tjetër, është kërkuar përfshirje më e thellë në dialog. Pas rimarrjes së kontrollit të plotë të territorit verior të Republikës, (pas dy dekadash), në terma konkretë objektivë e kohorë, Prishtina zyrtare, përmes një strategjie shtetërore duhet të forcojë sovranitetin politik institucional dhe ekonomik, njëjtë si në çdo pjesë tjetër të mbarë territorit të Republikës edhe duke blerë shumë armatim.
Arkitektura politike në Evropën Juglindore tregon jo vetëm pabarazinë ndërmjet vendeve në rajon, por edhe tendencën mbi hegjemoninë e Serbisë kundrejt fqinjëve, me pretendime të hapura territoriale kundrejt Kosovës, duke cenuar integritetin territorial të Republikës, siç ishte rasti në Banjë të Zveçanit. Bile Vuçiqi e ka luajtur liderin e çmendur si taktikë për të paraqitur rrezik real, në mënyrë që të përfitojë nga koncesionet e vazhdueshme nga UE-ja. Bazuar nga të dhënat e disa ish-ushtarakëve të karrierës, të pensionuar, thonë se Serbia prodhon armatime të lehta e municione aq sa t’i mbulojë kapacitetet absorbuese të të gjitha vendeve në rajon, shto faktin që Serbia është armatosur me armë nga Rusia, me sistem raketor modern, por edhe me dronët kinezë. Sot Serbia nuk është më vetëm kërcënim i paqes për Kosovën, por nga njohës të sigurisë është konsideruar si kërcënim i paqes për mbarë rajonin.
Në ministerialin e ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s në Bruksel, i mbajtur pak ditë më parë, u tha se duhet patjetër riplanifikim të strategjive mbrojtëse për të garantuar paqen, duke rritur kapacitetet e armatimeve dhe gatishmërive ushtarake.
Buxheti ynë duhet të rritet përtej planifikimeve aktuale me përparësi kundrejt çdo nevoje tjetër shtetërore, që ta bëjmë rritjen prej 3.5% për shpenzime të mbrojtjes, nga rritja e brendshme ekonomike sikurse e kanë bërë vendet e Baltikut. Edhe presidenti francez, Emmanuel Macron, e deklaroi se buxheti i mbrojtjes nga aktualisht prej 1.98% në vitin 2026 do të rritet në 3.85%. Kjo tek ne bëhet e duhet të vendoset nga të gjitha forcat politike në pozitë e opozitë, për shkak të së shkuarës sonë politike dhe gjeopolitikave në Evropë. Madje më e arsyeshme do të ishte të rrisnim borxhin publik e të siguronim territorin e kufijtë sesa të befasohemi me situata agresore.
Ne vazhdojmë të jemi të kërcënuar në integritetin territorial dhe sovranitetin politik mbi territorin nga Serbia e Evropa nga Rusia, na duhet armatim se nuk e kemi të garantuar Republikën, e për ta mbrojtur atë na duhen shumë armë.