Kryeministri i Kosovës tashmë është profilizuar si lider i përgjegjshëm dhe i përkushtuar në ndërtimin e një ambienti politik që frymon në përputhje të plotë me idetë e socialdemokracisë moderne. Krejt e kundërta mund të thuhet për liderin serb, Aleksander Vuçiq; ai tashmë ka ndërtuar profilin e tij si autokrat.
Në riorganizimin e ri gjeopolitik, çfarë qëndrimi do të mbajnë Uashingtoni dhe Brukseli: për mbrojtjen e demokracisë dhe Republikës së Kosovës apo për autoritarizmin ekspansionist serb?
Nga Dr Sadri RMABAJA
Përdorimi “i arsyeshëm” i lirisë si filozofi e jetës
Anarkia në kuptimin klasik të fjalës nënkupton egzistencën e një sistemi, ku ç’do lloj hirarkie nuk tolerohet dhe rrjedhimisht luftohet.
Termi anarkizëm rrjedh nga bashkimi i fjalës greke ἀναρχία (anarkia) dhe prapashtesës ισμός ose ισμα (ismos ose izma). Anarkia (ἄναρχος, anarkos), që ka kuptimin “pa sundimtar” – nga parashtesa mohore ἀν (an që d.m.th. “pa”) dhe ἀρχός (arkos, pra “udhëheqës”, “sundimtar”). Nga kjo kuptojmë që anarkizmi nuk ka të bëjë me dhunën dhe kaosin, siç trumpetohet rëndom në diskursin publik, por është një filozofi politike e cila mëton të krijojë një botë pa sundimtarë, pra pa hierarki, dhe një shoqëri plotësisht të barabartë…
Në të drejtën zakonore shqiptare kjo barazi kodifikohet taksativisht, sidomos kur kemi të bëjmë me veprat penale…
Liria e tjetrit është e pacenueshme.
Sot ky koncept nënkupton edhe përkufizimet që bartë kjo e drejtë në vetvete. Ajo, pra LIRIA, na shpërfaqet si vetëkufizim dhe vetëpërmbajtje vullnetare dhe konsideratë për të dobëtit, pakicat dhe të përjashtuarit.
Për pjesë të shtresës së mesme, me arsim të lartë, përdorimi “i arsyeshëm” i lirisë është një filozofi e jetës: liria si një pasqyrë e domosdoshmërisë.
Këtë koncept modern nëse e kombinojmë me virtytet shqiptare që i kanë mbijetuar çdo ideologjie dhe çdo sistemi – përkushtimi, gjakimi për dije, modeli i mësuesit, besnikëria ndaj parimeve – rikthimi në identitet, qoftë edhe në mënyrën e të jetuarit, bëhet pothuajse përcaktues i stilit, një Biedermeier i epokës që do ta ribëjë Shqipërinë.
Arritja e këtij qëllimi kërkon bashkimin e energjive pozitive të Kombit.
Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 për Kuvendin e Republikës së Kosovës, janë edhe një test prove në këtë marshim historik.
Katër vjet që po i lëmë pas dëshmuan qartë rolin që ka Kosova në këtë mision historik. Selitja dhe ruajtja e demokracisë, sundimi i ligjit dhe drejtësia si postulat i demokracisë liberale, tok me zhvillimin dhe prosperimin ekonomik – këto janë pikat qendrore që do t’i japin Qeverisë së VV fitoren e re më 9 shkurt 2025.
Fitorja e thellë e VV-së më 9 shkurt 2025 do të kontribuojë ndjeshëm në thellimin e kthesës historike të Kombit. Atëherë do të fillojë rikthimi në identitet të plotë, qoftë edhe në mënyrën e të jetuarit, do të bëhet pothuajse përcaktues i shekullit të shqiptarëve – një Biedermeier i epokës që do t’i ribëjë shqiptarët dhe Shqipërinë.
Në këtë parafushatë dhe përgjatë fushatës zyrtare nëse nacionalistët progresiv, siç dua t’i cilësoj aktualisht socialdemokratët shqiptar, duhet ta adresojnë qartë zemërimin dhe polarizimin në Kosovë dhe në hapësirën shqiptare, duke potencuar rolin që do të ketë fitorja bindëse e radhës e VV-së për persepktivën e Lirisë dhe zgjerimit të saj. Ata, duke e bërë të qartë për secilin qytetarë se çfarë na ka sjellë në këtë situatë të paqëndrueshme historike: rreth 70 për qind e shqiptarëve besojnë tashmë se lidershipit të opozitës në Kosovë dhe lidershipit politik të Shqipërisë politike, nuk i intereson fare jeta e qytetarëve të thjeshtë shqiptarë, prandaj ata mendojnë se kjo lagje politikanësh nuk mund të ndikojnë ndjeshëm në dinamikat që përcaktojnë jetën e tyre dhe të Repubikës, rrjedhimisht zhvillimi ekonomik dhe fati i veriut të Kosovës është i ndërlidhur pikërisht me rezultatin e këtyre zgjedhjeve.
Ky fakt është sinjal i qartë për ndërhyrje të politikës konform rritës së ekonomisë ndërkohë, duke injektuar në sferën e fuqisë blerëse të qytetarit, që nënkupton rritjen e pagave në sektorë jetik.
Ky hap në sferën e politikave sociale dhe të shpërndarjes të të mirave materiale, duhet të vazhdojë tutje me mbajtjen e shifrave të ulëta të papunësisë, rritjen e qëndrueshme të punësimit krahas rritës ekonomike – këto katër vite të qeverisjes së VV që dëshmojnë sukses të ndjeshëm në këto fusha sipas standardeve të kohës. Megjithatë, inflacioni luan një rol kaq të madh për elektoratin, saqë shumica e njerëzve nuk mendojnë shumë për politikën ekonomike të kryeministrit. Shumë votues e përjetojnë rritjen e çmimeve si një sulm ndaj fuqisë së tyre në gjakimin e ligjshëm për përparim apo për ruajtjen e standardit jetësor që kanë arritur ndërkohë. Prandaj tema e ekonomisë dhe mirëqenies duhet të zë vend të mirë në fushatë, duke shpjeguar qartë perspektivën e afërt të Republikës në këtë rrafsh.
Kush guxoi ta nxjerr Kosovën jashtë Serbisë?
Në politikën e jashtme janë evidente arritjet e qeverisë, por tepër pak të afishuara. Është me shumë rëndësi të potencohet pozicioni i Kosovës, jo thjeshtë vetëm në dialogun me Serbinë, por para së gjithash imazhi që ka ajo sot në rrafshin e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Republika e Kosovës është hera e parë në historinë e saj moderne që kultivon raporte të shëndosha reciprociteti në marrëdhëniet me partnerët tanë, por edhe me fqinjtë, rrjedhimisht edhe me Serbin. Ky raport është ngritur mbi parimin e reciprocitetit, që është gurthemeli i marrëdhënieve moderne ndërshtetërore që nga Kongresi i Vestfalisë. Këto marrëdhënie i nënshtrohen interesit shtetëror, rezonit shtetëror.
Miqtë tanë real, ata që ndihmuan Kosovën gjatë lufës dhe po e mbështesin edhe sot në procesin e shtetëndërtimit dhe funksionalizimit të plotë të Republikës, sidomos në fushën e sigurisë dhe raporteve me Serbinë, janë ata që këto raporte i kanë selitur e kultivuar duke pas në konsideratë edhe interesat e tyre nacionale. Këto interesa, me kalimin e kohës, edhe mund të ndërrojnë pozicion. Historia e marrëdhënieve tona me Britanin e Madhe e shpjegojnë më së miri këtë fenomen, respektivisht këtë oscilim të mundshëm.
Kosova ndërkohë njihet nga 117 shtete, anëtarë të OKB-së. Në procesin e dialogut me Serbinë, të trajtuar gjithësesi keq nga BE-ja, por edhe nga lidershipi politik deri në vitin 2020, Kosova gradualisht është shndërruar në një çështje të brendshme të Serbisë!
Në vokabularin aktual të opozitës sonë dhe të mediave që po i shërbejnë asaj si altoparlant i prishur, ky pozicion irracional dhe antihistorik ka fituar një llojë mbështetje edhe nga qendrat vendimmarrëse!
Ndërkohë “kush guxon ta nxjerr Kosovën jashtë Serbisë, aty ku edhe ia caktoi vendin 17 shkurti 2008, satanizohet, shantazhohet dhe shpallet hiq më pak se antiamerikan” [1] shprehet me të drejtë publicisti i njohur nga Shkupi, Emin Azemi.
Ky lloj antiamerikanizmi inegzistent, që shërben për konsum të brendshëm dhe për mashtrim atipik të opinionit, çuditërisht nuk testohet në Washington, por në Beograd (!)” konkludon me të drejtë publicisti Azemi.[2]
Opinioni ka nevojë urgjente që mediat tona, intelektualët nacionalistë progresiv, të hedhin dritë mbi atë se si u krijua ky diskurs, kush janë ata që inicuan dhe po vazhdojnë ta ushqejnë këtë diskurs?
Ky fenomen duhet të shpjegohet qartë sidomos në këtë periudhë të parafushtës.
Shpjegimet shterruese lidhur me këtë fenomen, do ta ndihmojnë opinionin ta njohë më mirë burimin e këtij diskursi dhe arsyet pse ai ushqehet kaq shumë dhe kaq naivisht edhe nga opozita jonë, por edhe nga një lagje ish komandantësh të UÇK-së, që në rrafshin politik e intelektual janë tejet injorantë.
Tek atëherë opinioni do të mësojë se raportet me Uashingtonin nuk ndërtohen e seliten dot duke i bërë vazhdimisht lëshime Serbisë.
Këto sjellje të opozitës dhe të një lagjeje të medias në Kosovë, tok me ato të lidershipit politik të Shqipërisë politike në raport me Serbinë [duke garuar për pjesëmarrje në Open Ballkan dje, duke e shpallur veriun në nimanslland në prag të aksionit të Serbisë për aneksim të veriut më 23 shtator 2023, duke heshtur kur duhet të flitet dhe të pozcionohet qartë pro intresit nacional, siç është rasti tani kur hapja e Uërs së Ibrit është shndërruar në objekt diskutimi e përplasjeje edhe diplomatike…] e kanë shndërruar Vuçiqin në një lloj faktori të fryrë politik në Ballkan, respektivisht në një xhoker gjeopolitik të lloit të vet.
Kur gjeoekonomia vihet në shërbim të interesave nacionale
Sundimtari i Serbisë përmes këtij “rikthimi” të ndikimit të Serbisë në gjeopolitikën rajonale, e qartë, pretendon ta ulë peshën e dy republikave tona dhe të Kombit shqiptr si tërësi. Sidoqoftë ai mbetet për Ballkanin gjithnjë e më shumë si një rrezik permanent.
Vuçiqi, dyshojnë vëzhgues kredibil, po luan për kohë. Ai shpreson se komuniteti ndërkombëtar, para së gjithash Perednimi, pas rikthimit të gjakuar të Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, edhe prej një lagje autoritarësh tjerë europian, do t’ia falin sjelljen e tj në raport me Putinin dhe përgjithësisht qëndrimin dubioz të Serbisë mes Lindjes dhe Perendimit.
Shtypja që ai ndërkohë i bën opozitës, para së gjithash organizatorëve të protestave që ndërlidhen me Litiumin – organizatat e të drejtave të njeriut flasin për terror shtetëror – ka një objektiv: të zhdukë opozitën dhe ta shtypë çdo farë rezistence [qoftë ajo e organizuar edhe nga Rusia], me idenë se vetëm kështu mund ta hedhë hapin e radhës – të hyjë në histori duke realizuar projektit ambicioz serb – Botës serbe.
Për realizimin e këtij objektivi në rrugë sa më të lehtë, ai ka nevojë për partner tjerë në Kosovë.
Këtu duhet kërkuar arsyet themelore të diskursit të çoroditur të opozitës sonë në këtë fillim të parafushatës dhe akuzat banale të ndonjërit prej liderëve të saj në raport me kryeministrin dhe figurën e tij.
Sipas ekspertëve, kreu i shtetit rus, Vladimir Putin, është i shqetësuar për lëvizjet e reja të lidershipit serb në raport me Perendimin. Zëdhënsia e diplomacisë ruse, Maria Zaharova, kohë më parë deklaroi se “Perednimi po përgaditë destabilizimin e Serbisë” [3] me qëllim për të ndikuar në jetën politike të brendshme në Serbi, duke përfunduar se protestat në Serbi po nxiten nga Perednimi kundër lidershipit aktual serb! Kjo deklaratë erdhi pas arritjes së marrëveshjes që Serbia realizoi me Bashkimin Europian dhe kompanin multinacionale Rio Tinto për eksploatimin e litiumit.
Ndërkohë drejtori i CIA-s, William Burns, bëri një vizitë të papritur në raon, duke filluar me atë në Sarajevë [më 20 gusht], e cila shkaktoi shumë vëmendje publike në Bosnjë dhe Hercegovinë, por edhe më gjerë. Gjatë qëndrimit të tij të shkurtër, Bërns u takua me udhëheqës politikë dhe zyrtarë kryesorë të inteligjencës, duke përfshirë tre anëtarë të Presidencës së BeH, drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së BeH (OSA), Almir Džuva dhe Ministrin e Punëve të Jashtme Elmedin Konakoviç.
Megjithëse detajet e bisedimeve nuk u publikuan zyrtarisht, mediat lokale, duke cituar burime të paidentifikuara, raportojnë se temat e takimeve përfshinin kërcënimet e sigurisë në BëH dhe situatën më të gjerë në vend. Konakoviqi tha se kanë biseduar për tema të rëndësishme si për aderim në të ardhmen e afërt në NATO dhe për integrimet evropiane, duke theksuar se vizita e Burns-it konfirmon seriozitetin me të cilin administrata amerikane merret me situatën në Bosnje dhe Hercegovinë.[4]
Denis Bećirović, një anëtar i Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, vuri në dukje në profilin e tij në Facebook se në bisedën e tij me Burns-in, ai argumentoi rrezikun e paraqitur nga “politika anti-Dayton e udhëheqjes së entitetit të Bosnjë-Hercegovinës RS”, e cila sipas tij kërcënon paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Bosnjë dhe Hercegovinë, por edhe në rajon.[5]
Më tutje, drejtori i CIA-s, William Burns, vazhdoi të mërkurën vizitën në Beograd, ku takoi presidentin serb Aleksandar Vuçiq. Ky i fundit një ditë më pas, më 22 gusht, shkoi në “audiencë” tek “Papa”, alias ambasadori rus në Beograd, Aleksandar Botsan-Kharchenko, me të cilin, siç tha, bisedoi për situatën në Kosovë dhe mundësinë “e hapjes me forcë” të urës mbi lumin Ibër.[6]
Ndërkaq të enjten dhe të premten [më 22 e 23 gusht] drejtori i CIA-s, William Burns, ishte në Prishitnë, me ç’rast takoi fillimisht Presidenten e Republikës, Dr Vjosa Osmanin tok me drejtorin e AKI-së, Petrit Ajeti, ndërkaq të premtën, pati një takim për gadi një orë me kryeminsitrin e Republikës, Albin Kurti.
Le të kujtojmë se kryeministri Kurti gjatë kësaj jave ishte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku me ftesë të Institutit Kombëtar Demokratik, përcolli nga afër Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike.
Kjo vizitë e zyrtarit të lartë amerikan në rajon, pasoi në këtë kohë, kur dështimi i diplomacisë perendimore për ndaljen e ekspansionit serb u bë evident. Dhe, kur dështon diplomacia, dihet, radha ju vie shefave të Intelegjencies; gjeneralët janë instanca e tretë për veprim.
A do t’mund ta ndalë kjo vizitë e drejtorit të CIA-s, William Burns, shpërthimin e luftës së paralajmruar në Bosnjë dhe mundësinë e përhapjes së flakëve të saj edhe në veriun e Kosoëvs në vjeshtën e vonë, mbetet të shihet.
Por një gjë është më se e sigurtë, në rast se do të detyrohen të ndërhyjnë gjeneralët, atëherë harta politike e Ballkanit do të pësojë ndryshime të ndjeshme.
“Xhokeri gjeopolitik” me emrin Vuçiq, si edhe levat e tij në Banjallukë e Podgoricë, duket se përmes kësaj vizite blic, do ta kenë përvetësuar mirë, madje për pak minuta, teorinë e njohjes dhe përceptimit të realitetit, për të cilën Platoni kishte ligjëruar në librin e VII-të të “Republikës” së tij.
Nëse nuk e kanë përvetësuar si duhet, me idenë që atë ta konceptojnë më qartë në vjeshtë, në fushbetejë, atëherë do të ishte e pritshme që përballja mes “xhokerit gjeopolitik” – Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, respektivisht përballja mes dy kombeve tona – atij shqiptar dhe serb, do të marrë një epilog krejt tjetër nga ai i vitit 1999. Vetëm atëherë “xhokeri gjeopolitik” Vuçiq do ta kuptojë se Platforma për krijimin e “Botës serbe” ishte produkt i Kishës Serbe që për kohë të gjatë ka selitur grigjën e saj me iluzine.
Aleksandar Vuçiq si “xhoker gjeopolitik” i Perendimit dhe Lindjes
Riaktualizimi i shfrytëzimit të minierës së litiumit në Serbi ka ringjallur djajtë e të gjitha ngjyrave: ajo ka provokuar zemërim mes banorëve të zonës dhe jo vetëm asaj, aktivistëve mjedisorë dhe qytetarëve të thjeshtë, por ndërkohë po kthehet në një lloj kasus belli në duart e Putinit. Rikthimi I saj si temë politike me konatacione të theksuara gjeostrategjike që shpërfaqë përpjekjet e Perëndimit për të tërhequr Serbinë nga orbitat e Rusisë, ka rindezur gjakrat gjithandej.
Geoffrey R. Pyatt, ndihmës sekretari amerikan i shtetit për burimet energjetike, ditë më parë, shkruan NT “ përshëndeti projektin serb të litiumit në mediat sociale si “një mundësi për të kontribuar në tranzicionin e gjelbër brenda dhe jashtë vendit”. [7]
Protestat, pavarësisht se Intelegjencia ruse kishte dezinformuar kreun serb në raport me nxitësit real të tyre, vet pjesëmarrja e një numri forcash politike të njohura si pro ruse…flasin më shumë pro faktit se ato janë organizuar dhe gëzojnë mbështetjen e Federatës Ruse. Fundja në këtë momentum politik ato janë në shërbim të politikave dhe strategjisë ruse për sigurimin afatgjatë të prezencës ruse në Ballkan. Si të tilla ato kanë për qëllim që ta dobësojnë prezencën amerikane në rajon dhe synojnë për të dobësuar hegjemoninë e SHBA-së në procesin e ndërtimit të një rendi botëror shumëpolar, krejtësisht në përputhje me axhendën gjeopolitike të Putinit.
Serbia duke shfrytëzuar akset autoritare brenda BE-së [Hungari, Sllovaki…] ka arritur të imponojë ndryshimin e diskursit të Brukselit në raport me Kosovën dhe madje, edhe pas aktit agrsiv të 24 shtatorit 2023, të mbajë në fuqi sanksionet e BE-së ndaj Kosovës!
Këto aleanca të karakterit gjeopolitik me vendet, prioritetet e menjëhershme strategjike të të cilave qëndrojnë në kultivimin e raporteve me Rusinë, duke dobësuar Republikën e Kosovës, kanë për objektiv ta dobësojnë edhe prezencën amerikane në rajon.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq është parë nga disa analistë si një lloj “xhokeri gjeopolitik” për rajonin e Ballkanit për shkak të aftësisë së tij për të manovruar midis fuqive të mëdha dhe për të mbajtur balancën midis interesave të Serbisë dhe ndikimeve të jashtme. Më poshtë po sjell disa arsye pse ai konsiderohet i tillë:
- Balancimi midis Lindjes dhe Perëndimit: Vuçiq ka ndjekur një politikë të dyfishtë, duke ruajtur lidhje të ngushta me Rusinë dhe Kinën, ndërsa në të njëjtën kohë synon anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian. Kjo qasje i lejon Serbisë të përfitojë nga të dyja palët, duke forcuar pozicionin e saj strategjik në rajon.
- Dialogu me Kosovën: Si një aktor kryesor në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, Vuçiq është një figurë kyçe për zgjidhjen e konfliktit të gjatë. Aftësia e tij për të negociuar me ndërmjetësit ndërkombëtarë dhe për të mbajtur pozita të forta në tryezën e bisedimeve e bën atë një lojtar të rëndësishëm.
Këtë pozicion ia ka forcuar edhe më shumë qëndrimi i opozitës në Kosovë dhe ai i lidershipit në Tiranë! - Ndikimi në Rajon: Vuçiq ka ndërtuar marrëdhënie të ngushta me liderët e vendeve të tjera në Ballkan, duke përfshirë Bosnjën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut dhe madje edhe me Shqipërinë politike. Ky rrjet ndikimi i jep Serbisë një rol të rëndësishëm në politikën rajonale dhe në stabilitetin, respektivisht destabilizimin e Ballkanit Perëndimor.
- Manipulimi i opinionit publik: Vuçiq është i njohur për përdorimin e fuqisë mediatike dhe propagandës për të ndikuar në opinionin publik brenda dhe jashtë vendit. Ai ka ndërtuar një imazh të tij si një lider i qëndrueshëm dhe stabilizues, duke projektuar një figurë të fortë si në rajon ashtu edhe në skenën ndërkombëtare.
- Manovrimi në krizat ndërkombëtare: Vuçiq ka treguar aftësi për të manovruar në kriza ndërkombëtare, duke shfrytëzuar tensionet globale për të përfituar politikisht. Për shembull, ai ka mbajtur marrëdhënie të mira me Rusinë gjatë luftës në Ukrainë, duke siguruar mbështetje politike dhe ushtarake, por njëkohësisht ka ruajtur marrëdhënie të mira me Perëndimin.
Si rezultat i këtyre faktorëve, Vuçiq është parë si një “xhoker gjeopolitik” që mund të ndikojë ndjeshëm në zhvillimet në Ballkan dhe më gjerë, duke i dhënë Serbisë një rëndësi strategjike për fuqitë e mëdha ndërkombëtare.
Rrjedhimisht shtrohet pyetja legjitime se, a po rirreshtohet diplomacia perendimore: pro mbrojtjes së Republikës së Kosovës, që d.t.th pro Albin Kurtit, apo pro autoritarizmit serb që identifikohet me prsidentin Vuçiq, respektivisht pro “Botës serbe” që nënkupton ekspansionin serb dhe rishikimin e hartës politike të Ballkanit?
Pozicioni delikat dhe kompleks i diplomacisë perendimore
Diplomacia perëndimore edhe para shpërthimit të luftës në Ukrainë ishte e ndarë më dysh në raport me të ardhmen e Bllkanit Perendimor, ndërkaq tani ajo është në një pozitë edhe më delikate dhe komplekse në lidhje me zhvillimet në këtë pjesë të kontinentit të vjetër, veçanërisht në raportin e saj me Kosovën dhe Serbinë. Aktualisht, duket se po ndodh një ndryshim i përzier që ndikohet nga disa faktorë, duke krijuar tension midis mbështetjes për integritetin e Kosovës dhe ruajtjes së stabilitetit në rajon, të cilin Perëndimi shpesh e lidhë me marrëdhëniet e mira me Serbinë.
Kosova dhe Bosnja e Hercegovina janë gjithashtu një fuçi baruti e përhershme që i duhet vetëm shkëndija më e vogël për të shpërthyer.Të gjitha vendet e rajonit po armatosen, pak a shumë në mënyrë transparente, urgjentisht. Serbia është shumë përpara në këtë plan [falë bujarisë dhe interesave gjeopolitike të Rusisë dhe Kinës].
Franca, Gjermania dhe SHBA-të po përgatisin aleatët e tyre ballkanikë: Kroacinë, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për luftë përmes programeve dypalëshe dhe të NATO-s.
Në këtë kuadër, vizita e drejtorit të Agjencisë Qendrore Amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, në rajon dëshmoi se pozicioni i “neutralitetit” të Serbisë, tashmë nuk mjafton. Jo vetëm për fqinjët e saj, por as për vet SHBA-të dhe BE-në.
Ja disa aspekte të këtij rirreshtimi diplomatik:
1. Mbrojtja e Republikës së Kosovës dhe mbështetja për Albin Kurtin
Perendimi [SHBA dhe BE] në realitet që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës [17 shkurt 2008], një lagje shtetesh brenda sferës së Perednimit në mënyrë më të theksuar, kanë qenë mbështetëse të pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës. Megjithatë, në periudha të veçanta, një lagje sosh, kishin lëkundje dhe anonin herë hapur e herë fshehur, pro idesë serbe për ndarjen e Kosovës. Brenda një harku kohor prej 2015-ës e deri më 2020, kur qe arrestuar ish presidenti kosovar Hashim Thaçi, madje gjatë kohës sa po udhëtonte për Uashington, në Shtëpinë e Bardhë, pikërisht për të nënshkruar këtë lloj marrëveshje që tumirte ndarjen e Kosovës, siç pohon edhe ish këshilltari i ish presidentit Donald Trummp, ish-Këshilltari për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Bolton.
Bolton pranon në njëfarë mënyre se ka qenë i informuar për këtë çështje, për të cilën tha se ishte ide e presidentit të Kosovës dhe atij të Serbisë, përkatësisht Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiçit, pavarësisht se ai nuk përmendi emra.[8]
Kohët e fundit ka pasur tensione në raportet mes qeverisë së Albin Kurtit dhe disa faktorëve perëndimorë, për shkak të qasjes së Kurtit në raport me Serbinë dhe dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.
Kurti ka kërkuar një dialog, ku Serbia duhet ta njohë Kosovën si shtet të pavarur para çdo lëshimi, një qëndrim që disa diplomatë perëndimorë e kanë konsideruar si të palëkundur dhe të ndërlikuar për procesin e normalizimit të marrëdhënieve.
Në fakt sabotimi i Marrëveshjes së Brukselit [2023] nga ana e Serbisë, që në esencë ishte nusprodukt i marrëveshjes franko-gjermane, që përjashtonte njohjen reciproke de jure, e bënte njohjen de fakto të pashmangshme. Ishte pikërisht pika e katërt e kësaj marrëveshje, e cila e bëri Serbinë të tërhiqet. Megjithaët Serbia nuk u ndëshkua!
Por, nëse vjeshta sjell një ndryshim të dukshëm në qëndrimin perëndimor për shkak të rritjes së autoritarizmit në Serbi, afërsisë së Vuçiqit me Moskën ose pengesave të tij në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, ai mund të humbasë rolin e tij si ndërmjetësues i preferuar. Toleranca për lojërat e tij diplomatike mund të zvogëlohet nëse këta faktorë bëhen më të qarta dhe më të dëmshëm për interesat perëndimore.
Sidoqoftë, mbështetja për integritetin e Kosovës mbetet një vijë e kuqe për shumicën e vendeve perëndimore, dhe ata vazhdojnë të jenë kundër çdo lloj rishikimi të kufijve apo “ndarjes” së Kosovës, të cilat janë qëndrime që favorizohen nga disa qarqe në Serbi, duke gëzuar një lloj mbështetje veçmas brenda BE-së.
2. Përballja me ekspansionizmin serb dhe autoritarizmin e Vuçiqit
Vuçiq është perceptuar si një lider që po ndjek një qasje autoritare brenda Serbisë, ndërsa në nivel rajonal ka përdorur strategji ekspansioniste [të “Serbisë së Madhe”] për të zgjeruar ndikimin e vendit në zonat me popullsi serbe në Bosnjë, Mal të Zi dhe Kosovë.
Në përgjithësi, Perëndimi ka treguar një qëndrim të përmbajtur ndaj politikave ekspansioniste të Serbisë dhe ka tentuar ta angazhojë Vuçiqin si një partner kyç për stabilitetin në rajon. Për këtë arsye, shpeshherë janë bërë lëshime për të ruajtur dialogun dhe për të shmangur destabilizimin, gjë që ka shkaktuar frustrim te qeveria e Kosovës dhe tek qytetarët e saj.
Vizita e drejtorit të Agjencisë Qendrore Amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, në Sarajevë, Beograd e Prishtinë sinjalizoi se Prëndimi nuk është më i gatshëm të tolerojë strategjinë e Vuçiqit për të mbajtur tensionet në nivele të menaxhueshme për të përfituar diplomatikisht.
Nga njëra anë, Perëndimi në aparancë nuk mbështet ekspansionizmin serb dhe është kundër ndryshimit të kufijve, por nga ana tjetër, është i prirur të ruajë stabilitetin dhe të shmangë konfliktet e hapura, me ç’rast indirekt favorizon Serbinë.
Krijimi i Republikës Serbe si entitet më vete në Bosnjë e Hercegovinë, që de fakto është shtet në shtet, madje i ngritur mbi gërmadhat e gjenocididt serb, ka shtuar apetitin e ekspansionizmit serb që pa mbyllur varrët e luftës në Bosnjë. Ndërkaq tolerimi i aktivitetit subversiv ndaj Malit të Zi, edhe duke qenë ky i fundit pjesë e NATO-s, ka krijuar parakushtet e një pushtimi të butë të kësaj republike të vogël buz Adriatikut, që ndërkohë i krijon një ngushëllim të mirë ekspansionizmit serb edhe për humbjen e Kosovës, që e trajtoj për plot 87 vjet si koloni.
3. Dilema e stabilitetit përkundrejt parimeve demokratike
Një pjesë e dilemës perëndimore është se, ndërsa mbrojnë sovranitetin e Kosovës dhe i kundërvihen autoritarizmit, ata pretendojnë se janë të kujdesshëm për të mos e shtyrë Serbinë drejt një aleance më të fortë me Rusinë dhe Kinën. Si rezultat, Perëndimi tenton të balancojë presionin ndaj Vuçiqit me një pragmatizëm që shpesh merrë ngjyresat e një tolerance të hapur ndaj autoritarizmit të tij.
Kjo strategji krijon një perceptim sikur Perëndimi po e mbështet Vuçiqin në kurriz të vlerave demokratike dhe interesave të Kosovës, duke rrezikuar legjitimitetin e tyre si mbrojtës të demokracisë në Ballkanin Perëndimor.
4. Rezistenca ndaj rishikimit të kufijve
BE dhe SHBA vazhdojnë të jenë kategorikisht kundër çdo ndryshimi të kufijve në Ballkan, një ide që ka qarkulluar në të kaluarën si një zgjidhje e mundshme për çështjen e Kosovës dhe Bosnjës. Ky qëndrim është një mbrojtje indirekte ndaj integritetit të Kosovës dhe një pengesë për ambiciet ekspansioniste të Serbisë.
Ky pozicion duket se ndërkohë ishte vënë në pikëpyetje në mënyrën më serioze pas Kuvendit të Madh serb, të mbajtur më 8 qershor 2024 dhe objektivat që ai kishte aprovuar përmes deklaratës politike, që de fakto tani është Program serb.
Në këtë kontekst të ndërlikuar, duket se diplomacia perëndimore tashmë ka dështuar. Vizita urgjente e drejtorit të Agjencisë Qendrore Amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, ishte në funksion të parandalimit të rrëshqitjes drejt luftës së projektuar nga Serbia dhe të mbështetur nga Putini. Tashmë koha për balancim të interesave të mbrojtjes së integritetit të Kosovës dhe të përballjes me ekspansionizmin serb, duke ruajtur një pragmatizëm, po merrë fund.
Efektet e fitores së pritshme të VV-së
Në këtë kontekst të ndërlikuar, duket se diplomacia perëndimore tashmë ka dështuar. Vizita urgjente e drejtorit të Agjencisë Qendrore Amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, ishte në funksion të parandalimit të rrëshqitjes drejt luftës së projektuar nga Serbia dhe të mbështetur nga Putini. Tashmë koha për balancim të interesave të mbrojtjes së integritetit të Kosovës dhe të përballjes me ekspansionizmin serb, duke ruajtur një pragmatizëm, po merrë fund.
Në këto rrethana, nëse Serbia shtrëngohet të vendnumëroj, respektivisht të mos rindezë luftën brenda vjeshtës së vonë, fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje sërish më 9 shkurt 2025 dhe ndikimi i saj jo vetëm brenda hapësirës shqiptare, do të prodhojë efekte të ndjeshme politike, madje jo vetëm brenda hapësirës shqiptare, por edhe në rajon. Kjo fitore mund të ketë një ndikim të ndjeshëm në dinamikat rajonale dhe në imazhin e Vuçiqit si “xhoker gjeopolitik”.
Disa nga impaktet e kësaj fitoreje do të mund të ishin si vijon:
- Forcimi i pozicionit në dialogun Kosovë-Serbi: Nëse VV fiton me një mandat të fortë, e që gjasat janë për këtë, kjo do të forconte pozicionin e saj në dialogun me Serbinë, duke bërë presion për njohje të plotë të Kosovës dhe integritetit të saj territorial. Një qeveri e udhëhequr nga VV ka qenë më kërkuese ndaj Serbisë, duke e vënë Vuçiqin në pozitë të vështirë për të mbajtur balancën e dialogut dhe për të ruajtur imazhin e tij si një ndërmjetësues fleksibël.
- Forcimi i aleancave pro-perëndimore: Fitorja e VV-së do të përforconte orientimin pro-perëndimor të Kosovës dhe do të forconte mbështetjen nga BE dhe SHBA, duke e dobësuar ndikimin e Vuçiqit në Ballkanin Perëndimor. Kjo mund të sfidojë strategjinë e Vuçiqit për të përdorur rolin e tij si një lider që bashkëpunon me Lindjen dhe Perëndimin për të mbajtur një avantazh diplomatik në rajon.
- Izolimi i Serbisë në nivel rajonal: Nëse një Kosovë e udhëhequr nga VV ndjek politika të kësaj natyre siç ka ndjekur në mandatin që po përmbyllet dhe krijon aleanca më të ngushta me Shqipërinë, me Kroacinë dhe vendet e tjera të rajonit, Serbia mund të ndodhet në një pozitë më të izoluar. Kjo do ta dobësonte pozitën e Vuçiqit dhe mund të kufizojë kapacitetin e tij për të luajtur rolin e një “xhokeri gjeopolitik” që ndikon në zhvillimet rajonale.
- Presion i shtuar ndërkombëtar ndaj Serbisë: Një qeveri e re e fortë në Kosovë do të kërkojë më shumë mbështetje nga bashkësia ndërkombëtare për të shtyrë përpara axhendën e saj në raport me Serbinë. Kjo do të rrisë presionin mbi Vuçiqin që të bëjë lëshime në dialog, gjë që mund të dëmtojë pozicionin e tij strategjik si një lider që shfrytëzon tensionet për të përfituar politikisht.
- Ndikimi në perceptimin publik të Vuçiqit: Fitorja e thellë e VV-së dhe një qasje më agresive ndaj Serbisë mund të minojnë imazhin e Vuçiqit si një lider që kontrollon situatën në rajon. Nëse ai perceptohet si i paaftë për të menaxhuar situatën dhe për të mbrojtur interesat e Serbisë në dialogun me Kosovën, kjo do të dobësojë më tej ndikimin e tij brenda dhe jashtë vendit.
Përfundim
Nëse nisemi nga fakti se që nga përfundimi formal i luftës në Kosovë, respektivisht që me kapitullimin e Serbisë, kur qe shtrënguar të nënshkruante marrëveshjen e Kumanovës [9 qershor 1999] dhe të tërhiqte nga Kosova forcat ushtarake dhe ato të sigurisë, paradigma e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe e luftës si një konflikt ushtarak ndërshtetëror ka ndryshuar tërësisht.
Tentativa e Serbisë për ta aneksuar veriun e Republikës së Kosovës në shtator të vitit 2023, që të dy palëve mund t’ju shërbejë si leksion i lloit të vet: lufta nuk do të thotë se mund e do të bëhet vetëm me strategji dhe taktika e armë konvencionale, veçanërisht jo në ato zona në të cilat Shtetet e Bashkuara të Amerikës marrin pjesë pashmangsëm dhe imponohen.
Fitorja e VV-së më 9 shkurt 2025 gjithësesi do ta sfidonte seriozisht rolin e Vuçiqit si një figurë kyçe gjeopolitike në Ballkan, duke e vënë atë në një pozicion më të dobët për të ruajtur ekuilibrin që pretendon se e ka mbajtur deri më tani.
Edhe pse Vuçiq ka arritur të tallet me diplomacinë perendimore dhe të manipulojë atë, madje edhe pas agresionit në Banjë, këtë vjeshtë mund të përballet me një realitet të ri. Një kombinim i presionit të rritur, tensioneve në terren dhe ndryshimeve strategjike në BE dhe SHBA, mund të shënojë fillimin e fundit të rolit të tij si “xhoker gjeopolitik” në Ballkan.
Fitorja e thellë e VV-së më 9 shkurt 2025 do të kontribuojë ndjeshëm në thellimin e kthesës historike të Kombit. Atëherë do të fillojë rikthimi në identitet të plotë, qoftë edhe në mënyrën e të jetuarit. Ky rikthim në identitet do të bëhet pothuajse përcaktues i shekullit të shqiptarëve – një Biedermeier i epokës që do t’i ribëjë shqiptarët dhe Shqipërinë.
_______________
1. https://www.facebook.com/emin.azemi.7
2. Po aty
3. https://www.youtube.com/watch?v=YhZcJHdhnmA
4. https://www.geopolitika.news/regije/vucic-je-nedavno-pricao-da-ce-ga-zapadne-sile-pokusati-svrgnuti-sad-ga-je-posjetio-sef-cia-e/
5. Po aty
6. https://www.evropaelire.org/a/aleksandar-vuciq-ambasadori-rus-kosova-/33088618.html
7. https://www.nytimes.com/2024/08/18/world/europe/serbia-lithium-mine.html
8. https://www.youtube.com/watch?v=72eTiNCiS9c