Teknika e “rrëmbimit emocional” si paralajmërim i Serbisë për skenarët e dhunës
Nga Dr. Arben FETOSHI
Reagimet e koordinuara të Listës Serbe dhe të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë kundër çdo veprimi institucional të Kosovës për eliminimin e strukturave paralele në veri, s’janë më vetëm fushatë dezinformimi e strategjisë së njohur të viktimizimit, por edhe një paralajmërim për “rezistencë civile”, si faza më kërcënuese e luftës së saj hibride.
Çirrjet për “cenimin e fëmijëve”, shpifjet për “ngacmimin e vajzave e grave”, pretendimet për “uzurpim” të objekteve, vajtimi për “sulmet brutale kundër të rinjve” dhe së fundi, denoncimi si “tradhtarë” i serbëve lojalë ndaj shtetit të Kosovës, janë narrativa të rikthyera nga mediat serbe në bazë të modelit rus të “breshërisë së gënjeshtrave” (firehose of falsehood), të cilat tashmë nuk kërkojnë ndihmë nga bashkësia ndërkombëtare, por e akuzojnë atë për “mbështetje” të politikës “represive” ndaj komunitetit serb në Kosovë.
Urrejtja dhe zemërimi si armë
Duke tentuar ta përmbysë të vërtetën e veriut përmes akuzave ndaj policisë, “veglave” të Kurtit apo “tradhtarëve” që kanë hequr dorë nga “nderi dhe interesat e popullit të tyre”, Lista Serbe kalkulon në besueshmëri më të madhe të “denoncimeve”, me qëllim të “kontrollit social” mbi serbët, si parakusht për një mobilizim më radikal kundër Kosovës.
Shpifjet për “ngacmim të vajzave, dhunë ndaj të rinjve dhe pushtim të hapësirave për fëmijët” janë karakteristika të teknikës së “rrëmbimit emocional”, e cila përdoret për të nxitur zemërim, pasiguri dhe frikë, me qëllim që, në rastin konkret, ta demonizojë policinë dhe ta delegjitimojë shtetin e Kosovës, përmes etiketës së “regjimit respresiv”.
Me reagimin e fundit, në të cilin i shpallë “tradhtarë” serbët që janë pjesë e institucioneve të Kosovës, Lista Serbe dëshmoi edhe një herë se nuk i përfaqëson interesat e komunitetit, por është instrument i projektit ekspansionist të Serbisë, që e lufton ekzistencën e shtetit të Kosovës, minon stabilitetin dhe e sfidon praninë ndërkombëtare në Kosovë. Një teknikë e manipulimit që orkestron klimën e mobilizimit radikal, duke “eliminimuar” serbët e integruar në institucionet e Kosovës, para kalimit në një fazë më të avancuar të luftës hibride me pretendimin e “rezistencës civile” në veri.
Pra, një klimë e urrejtjes dhe zemërimit kolektiv përmes propagandës së viktimizimit, që mund t’i keqpërdorë qytetarët serbë për maskimin e veprimeve destruktive kundër rendit dhe ligjit në veri.
Deklarata e fundit e Listës Serbe, e pasuar si zakonisht nga një reagim i Petkoviqit që e afishon “ankesën” në Serbi dhe në botë, paraqet gjithashtu rrezik të drejtpërdrejt për sigurinë e serbëve që kanë zgjedhur integrimin në Kosovë, duke imponuar si ideologji të vetme politikën hegjemoniste përmes ndarjes etnike, me qëllim të sabotimit të shtetit të Kosovës, minimit të demokracisë dhe krijimit të hapësirës për depërtimin rus në Ballkan.
Një fazë e re e luftës hibride
Reagimi i Listës Serbe për palestrën në Leposaviq, ku nënvizohen “tradhtarët” dhe akuzohet bashkësia ndërkombëtare si mbështetëse e Kurtit në “përndjekjen e serbëve”, pasohet nga një deklaratë e Petkoviqit, e cila, duke manipuluar me të dhëna (20 përqind e serbëve janë detyruar të largohen), përmban atributet e njëjta propagandistike me kualifikimin “një hap i ri eskalues” i Kurtit dhe konstatimin se “bashkësia ndërkombëtare po u dërgon serbëve të mbetur mesazhin që të largohen”.
Pra, duke shmangur me qëllim të vërtetën territoriale në veriun e Kosovës dhe pa asnjë fakt për tregimin e “ngacmimeve të vajzave apo cenimit të të drejtave të fëmijëve”, Serbia po paralajmëron nëpërmjet Listës Serbe një skenar të rrezikshëm për ta sfiduar Kosovën dhe bashkësinë ndërkombëtare.
Duke u fshehur pas togfjalëshit “rezistencë civile”, një skenar i tillë i dokumentuar në rastin e Gjeorgjisë (2008) dhe Krimesë (2014) para ndërhyrjeve ushtarake nga Rusia, mund të provojë reagimin “qytetar” me protesta të dhunshme, pengim të zbatimit të ligjit dhe inskenim të përplasjeve ndëretnike, në mënyrë që Serbia ta përdorë si pretekst për ndërhyrje, ose të paktën (nëse kjo është e pamundur për shkak të KFOR-it) të insistojë për ndërmjetësim të ri ndërkombëtar, që do të nënkuptonte rikthimin e Rezolutës 1244 të KS të OKB-së në katër komunat veriore.
Prandaj, fushata e intensifikuar javët e fundit nga Lista Serbe, Petkoviqi dhe zyrtarët e tjerë të Serbisë me “shpifje”, “vajtim” e “akuza” ndaj institucioneve ndërkombëtare, të cilën e kemi demaskuar vazhdimisht në institut, është një qasje më kërcënuese e “agresorit vajtues” që projekton qëllime hegjemoniste përmes manipulimit psikologjik.
Nevoja për një përgjigje reaktive
Kreativiteti monstruoz i Serbisë s’ka fund, format më perfide të manipulimit, si dhe sakralizimi i krimeve për qëllime shoviniste, janë dëshmuar prej kohësh si “frymë kombëtare” e “limbos” së Ballkanit, që vazhdon të përfitojë nga “politika e dy karrigeve”.
Inskenimet e fundit shënojnë një fazë të re mashtruese në kontekstin e vlimeve gjeopolitike, që bartin rrezik serioz për:
– Sfidimin e rendit kushtetues të Kosovës;
– Rrezikimin e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë;
– Rritjen e mosbesimit dhe thellimin e ndarjeve etnike;
– Cenimin e demokracisë dhe vlerave perëndimore.
Prandaj, përballë këtyre rreziqeve, Kosova duhet të reagojë me vendosmëri, profesionalizëm e transparencë, duke e demaskuar Serbinë në të gjitha nivelet (lokal, rajonal e ndërkombëtar), të mbështesë qytetarët serbë që janë pjesë e institucioneve si shembuj të integrimit dhe të intensifikojë diplomacinë për të parandaluar kurthet e strategjisë serbe të destabilizimit. Sepse, një komunitet i cenuar nuk i shpall qytetarët e integruar si “tradhtarë” dhe nuk i keqpërdor fëmijët për propagandë.