A po shpërbëhet NATO?
Republikanët amerikanë janë gjithnjë e më skeptikë për mbështetjen e Ukrainës. Pas zgjedhjeve presidenciale, Evropa mund ta gjejë veten e vetme.
Dr Phillips Payson O’Brien*, Boston
Europa dhe Shtetet e Bashkuara janë gati të marrin rrugë të ndryshme në marrëdhëniet ndërkombëtare pas dekadash konsensusi. NATO ka qenë konstanta më e rëndësishme e arkitekturës globale të sigurisë që nga viti 1949. Aleanca, e krijuar fillimisht midis Shteteve të Bashkuara, Kanadasë dhe dhjetë vendeve të Evropës Perëndimore, fitoi Luftën e Ftohtë dhe më pas u zgjerua për të përfshirë pjesën më të madhe të Evropës. Është aleanca më e suksesshme e mbrojtjes në historinë moderne botërore. Megjithatë, ajo mund të shkërmoçet në vitin 2025.
Kjo do të jetë për shkak të hendekut të thellë që po hapet midis krahut populist të Partisë Republikane në SHBA – i cili udhëhiqet nga Donald Trump, por aktualisht është shumica e qartë partiake – dhe interesave ekzistenciale të sigurisë në pjesë të mëdha të Evropës. Shkaku i menjëhershëm për rënien e NATO-s mund të jetë lufta në Ukrainë. Nëse kampi dominues në njërën nga dy partitë kryesore politike amerikane nuk e sheh pse një vend me orientim demokratik duhet të ndihmohet për të zmbrapsur pushtimin rus, kjo sugjeron që qendra e spektrit politik është zhvendosur dhe SHBA-të nuk janë një partner i besueshëm I Europës. Evropianët duhet të armatosen në përputhje me rrethanat.
Javët e fundit është bërë e qartë se qëndrimi pro-rus dhe anti-NATO i Trump-it në politikën republikane nuk ishte një interludë e shkurtër. Përkundrazi, dyshimi për përfshirjen e SHBA-së në mbështetjen ushtarake për Ukrainën tani është i rrënjosur thellë në zemrën populiste të partisë. Në debatin presidencial republikan, Ron DeSantis dhe Vivek Ramaswamy – dy kandidatët që i bëjnë thirrje veçanërisht bazës së re Trumpiste – së fundmi folën kundër rritjes së ndihmës për Ukrainën. DeSantis dukej mjaft i kujdesshëm: Ai premtoi ta bënte mbështetjen e mëtejshme të varur nga një angazhim më i madh nga Evropa dhe deklaroi se më mirë do të dërgonte ushtarë në kufirin SHBA-Meksikë.
Toni i Ramaswamy ishte më i mprehtë: ai e quajti situatën aktuale “katastrofike” dhe bëri thirrje për ndërprerjen e plotë dhe të menjëhershme të ndihmës amerikane për Ukrainën. Ramaswamy më vonë shkoi edhe më tej, duke deklaruar në thelb se Ukraina mund të shpërbëhej dhe pjesë të mëdha të vendit mund t’i jepeshin Vladimir Putinit. Megjithëse Trump nuk mori pjesë në debat, ai kishte minimizuar tashmë interesin e SHBA-së për një fitore të Ukrainës. Ai duket se favorizon lëshimet territoriale nga Ukraina për Rusin. Trump, DeSantis dhe Ramaswamy janë duke u ballafaquar secili me të njëjtët votues, të cilët, sipas sondazheve, përbëjnë rreth tre të katërtat e elektoratit republikan.
Fondacioni Heritage, një institut i njohur konservator që ka pasur shumë ndikim në qarqet politike të Partisë së Vjetër të Madhe që nga vitet e Reganit, është gjithashtu një matës i rëndësishëm i disponimit. Përpara pushtimit rus në shkallë të plotë në shkurt 2022, Fondacioni Heritage mbajti një linjë të ashpër kundër Rusisë dhe madje lëshoi një thirrje për anëtarësimin e Ukrainës në NATO. Së fundmi, zyrtarët e fondacionit kanë bërë thirrje që ndihma të ndërpritet derisa administrata Biden të dalë me një plan për t’i dhënë fund luftës – një gjë e pamundur nëse Rusia nuk bie dakord. Disa demagogë të krahut të djathtë janë edhe më hapur në anën e Putinit. Në gusht, në Budapest, drejtuesi i talk show Tucker Carlson shpjegoi qëndrimin negativ ndaj Rusisë në SHBA me paragjykime anti-kristiane.
Pretendime të tilla janë për të qeshur, jo vetëm sepse në asnjë shoqëri tjetër në botë nuk ka fe më pak se në Rusi. Refuzimi në rritje i ndihmës ushtarake për Ukrainën nga e djathta amerikane po e vë në pikëpyetje të madhe të ardhmen e NATO-s. Ndërkohë vendet evropiane po ecin në drejtim të kundërt. Ndërsa provat e mizorive ruse në Ukrainë grumbullohen dhe Rusia është e gatshme të kryejë pothuajse çdo krim për të pushtuar territorin (dhe njerëzit) e vendit të saj fqinj, shumë shtete evropiane (veçanërisht fqinjët e Rusisë në perëndim) e shohin të ardhmen e tyre në rrezik të menjëhershëm nga lufta. Nëse Putini do të mbante pjesë të mëdha të Ukrainës, kjo nuk do të rezultonte në paqe, por më tepër në një lloj lufte të përhershme në të cilën një Rusi revanshiste do të kishte provuar se mund t’jua grabisë tokën fqinjëve të saj.
Edhe nëse Joe Biden fiton rizgjedhjen, një shumicë republikane në Dhomën e Përfaqësuesve, Senat ose të dyja dhomat mund të dobësojë ndjeshëm mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën. Dhe nëse Trump ose një nga imituesit e tij bëhet president, Evropa ka të ngjarë të përballet me një administratë të re amerikane që do të ndërpresë të gjithë ndihmën ushtarake për Ukrainën. Me një hap të tillë, vetë SHBA-ja do të pengonte lirinë dhe stabilitetin në Evropë në terma afatgjatë. Aleanca Atlantike do të shembet dhe shtetet evropiane nuk janë të përgatitura për këtë.
Në fakt, Evropa është fshehur kryesisht pas SHBA-së për çështjet e sigurisë për dekada. Kjo ishte e dobishme për amerikanët, sepse i lejoi ata të ruanin rolin e tyre udhëheqës në aleancën më të rëndësishme strategjike në botë. Shtetet evropiane, nga ana tjetër, ishin në gjendje të shpenzonin më pak para për mbrojtjen e tyre sesa do të ishte e nevojshme. Si rezultat i kësaj mospërputhjeje, Europa në vetvete nuk përputhet me gamën ose shtrirjen e aftësive ushtarake të SHBA-së.
Ndihma ushtarake për Ukrainën ilustron dallimin mes dy palëve. Gjatë vitit të kaluar, liderët evropianë kanë kërkuar më me forcë se Uashingtoni për dërgimin e pajisjeve të fuqishme dhe moderne në Kiev, por nuk kanë qenë në gjendje të ofrojnë mjaftueshëm për shkak të mbështetjes së tyre në sistemet evropiane. Britania dhe Franca kanë ofruar raketa veprimi me rreze të gjatë – të njohura si Storm Shadow në Britani dhe SCALP në Francë – që i zhvilluan së bashku, por të dy vendet kanë shumë më pak pajisje ushtarake për të kursyer sesa Shtetet e Bashkuara. Shumica e ndihmës ushtarake erdhi nga Shtetet e Bashkuara, megjithëse administrata Biden hezitoi të transferonte materiale më moderne si tanket Abrams (të cilat nuk janë shfaqur ende në fushat e betejës së Ukrainës), avionët luftarakë F-16 (të cilët nuk do të jenë dislokuar deri në vitin 2024 dhe sistemin e raketave me rreze të shkurtër ATACMS (për të cilin qeveria vazhdon të gjejë argumente të dobëta për mosdorëzimin).
Ndërsa pozicioni pro-rus dhe anti-ukrainas forcohet në Partinë Republikane, liderët evropianë duhet të përgatiten të ofrojnë vetë shumicën e ndihmës ushtarake për të ndihmuar Ukrainën të fitojë. Kjo nuk është një detyrë e lehtë, pasi Evropës do t’i duhet të zgjerojë kapacitetin e saj të prodhimit për municione dhe materiale të tjera të rëndësishme ushtarake, si dhe për sisteme moderne si raketat me rreze të gjatë.
Nëse Shtetet e Bashkuara thjesht braktisin Ukrainën brenda një viti e gjysmë, nuk ka asnjë mënyrë që Evropa të zëvendësojë mungesën e ndihmës. Qeveritë evropiane do të duhet të gjejnë mënyra për të zbutur tërheqjen e SHBA. Kjo do të kërkonte ndjeshmëri dhe aftësi – dhe përgatitjet do të duhej të fillonin së shpejti. Udhëheqësit ushtarakë në Evropë duhet të pyesin në heshtje homologët e tyre ukrainas se çfarë kanë nevojë dhe çfarë mund të ofrojnë evropianët nëse ndihma nga Shtetet e Bashkuara nuk realizohet. Ata gjithashtu do të duhet të rrisin prodhimin e tyre në përputhje me rrethanat. Si pjesë e një planifikimi të tillë, përgjegjësit duhet të mendojnë gjithashtu se si mund ta mbrojnë Evropën të vetëm kundër një sulmi rus.
Për vite të tëra, planifikuesit ushtarakë evropianë kanë diskutuar nëse shtetet individuale evropiane duhet të specializojnë më mirë ushtrinë e tyre në mënyrë që të maksimizojnë sigurinë e përgjithshme: në vend që çdo shtet të operacionalizojë me ushtrinë e tij të vogël, marinën dhe forcën ajrore, secili vend mund të përqendrohet në rolin që i përshtatet më së miri në përputhje me kushtet lokale, popullsin dhe lokacionin industrial, dhe në zonat e mbetura mbështeten në shtetet e tjera me kapacitetet e tyre plotësuese. Nëse Evropa do të punonte së bashku për të përshpejtuar prodhimin e armëve për Ukrainën, kjo pyetje do të rikthehej gjithashtu në tryezë.
Nëse evropianët nuk arrijnë të ndërmarrin një planifikim të tillë gjithëpërfshirës ushtarak, mund të rezultojë në një krizë të brendshme diplomatike. Vendet e Evropës Lindore (si Polonia dhe Rumania) dhe Evropa Veriore (si shtetet baltike dhe skandinave) kanë nevojë të dëshpëruar për një fitore kundër Rusisë. Nëse Evropa nuk fillon së shpejti planifikimin uniform dhe bashkëpunues të prodhimit ushtarak, vendet në Perëndim dhe Jug që ndihen më pak të kërcënuara nga një luftë agresioni rus, mund të ndjekin shembullin e një administrate të re amerikane, të ndalojnë ndihmën e tyre për Ukrainën dhe të arrijnë një marrëveshje me Rusin. Kjo, në rastin më të mirë, do të rezultonte në hidhërim dhe mosbesim, dhe në rastin më të keq, me një ndërprerje të përhershme të bashkëpunimit evropian.
Mbetet të shpresojmë që këta skenarë të mos realizohen. Zgjedhja e një presidenti të SHBA-ve që do të ishte miqësor ndaj NATO-s dhe Ukrainës në vitin 2024, mund t’i lejojë Ukrainës të arrijë një fitore ushtarake dhe të arrijë një marrëveshje paqeje (e cila përfshin gjithashtu anëtarësimin e Ukrainës në NATO). Kjo do të garantonte sigurinë në Evropë. Por kjo shpresë nuk i çliron krerët e shteteve dhe qeverive evropiane nga detyrimi për t’u përgatitur për mundësinë tjetër, përkatësisht që një qeveri amerikane të shtyjë NATO-n me shpinë për muri dhe të kërkojë afërsi me Putinin, pavarësisht nga krimet gjenocidale të Rusisë kundër një vendi evropian. Nëse evropianët nuk fillojnë së shpejti të përgatiten për skenarin më të keq, ata do të fajësojnë veten vetëm atëherë nëse më e keqja pasohet nga një e keqe tjetër.
[IPG; Përktheu nga gjermanishtja: ISHGJ] © The Atlantic
Shënim: Phillips Payson O’Brien është profesor i Studimeve Strategjike në Universitetin e St. Andrews në Skoci.