A duhet dhe a mundet Shqipëria të adoptojë euron në mënyrëtë njëanshme?
PROF. Evarist STOJA PROF. Arben MALAJ
Lloji i monedhës kombëtare dhe i kursit të këmbimit nuk mund të konsiderohet “shkopi magjik” që zgjidh të gjitha krizat qe shfaqen dhe rishfaqen here pas here. Në debatin e mbajtjes së lekut apo adoptimin e euros, në mënyrë të njëanshme si monedhë kombëtare në Shqipëri, duhet të merret parasysh se sistemet e kursit të këmbimit nuk janë zgjidhje e njëjtë për të gjitha vendet, por kushtëzohen kryesisht nga: shkalla e hapjes së ekonomisë; nga shkalla e zhvillimit ekonomik dhe nga stabiliteti politik.
Trilema e politikave monetare, zgjedhja e dy qëllimeve për t’u dhënë përparësi, do të varet nga rrethanat specifike të vendit dhe nga preferencat e politik-bërësve të tij. Kjo është një nga arsyet kryesore përse eksportuesit shqiptarë kanë të drejtë t’u kërkojnë politik-bërësve fleksibilitet në përdorimin e kursit luhatës të këmbimit. Kohët e fundit ka pasur një rritje të angazhimit publik dhe mes kolegëve rreth politikave monetare, fiskale dhe reformave strukturore për zbutjen e goditjeve nga mbivlerësimi i monedhës kombëtare.
Diskutohet për pasojat negative që eksportuesit po ndjejnë (disa deri në mbijetesë), për shkak të mbivlerësimit të lartë të monedhës kombëtare. Teorikisht, njihen tre sisteme të kursit të këmbimit: (i) kursi fiks i fortë; (ii) kurs fiks i butë dhe (iii) kurs luhatës. Sipas Raportit Vjetor 2022 të FMN-së, rreth 37% e vendeve kanë një regjim kursi fiks të këmbimit, ndërsa rreth 63% kanë një regjim kursi këmbimi fleksibël. Debati i hapur është në se kursi luhatës duhet të jetë 100 përqind i lirë apo Banka Qëndrore duhet të ndërhyjë. Rastet dhe madhësia e ndërhyrjeve kërkojnë studime të kujdesshme. Debate lidhur me monedhën kombëtare dhe kursin e këmbimit, “ndizen” veçanërisht në fazat apo krizat kritike që kalojnë vende të ndryshme. Rasti më i afërt, jo vetëm gjeografikisht, ishte Greqia.
Në kulmin e krizës 2009-2010 u ndezën debate të vështira nëse Greqia për të fituar më shumë fleksibilitet në politikën e saj monetare duhet të kthente dhrahminë si monedhë kombëtare? Në këtë opsion Greqia do të largohej nga eurozona. Në këtë që goditi fort Eurozonën rezultoi se tre vendet që u toleruan të anëtarësoheshin në BE dhe Eurozonë pa përmbushur kriteret ekonomike Greqia, Spanja dhe Portugalia rezultuan më të prekurat.
Gazetarët ekspertë të ekonomisë, i cilësuan këto vende “të sëmurat” e përhershme të BE dhe Eurozonës. Ështe e qartë se euro nuk ishte “shkopi magjik” për të shpëtuar Greqinë nga kriza e rëndë. Ishte e nevojshme të ndërmerreshin reforma të thella strukturore për të rritur produktivitetin dhe aftësinë konkurruese të ekonomisë para hyrjes në Eurozonë.
Në Greqi debatin e fituan mbështetësit e idesë se kthimi tek dhrahmia, do të thellonte krizën bazuar kjo edhe për borxhet e rënda dhe të pakthyera ndaj kreditorëve të saj. Lidhur me sistemin e kurseve të këmbimit politik-bërësit përballen me trilemën Mundell-Fleming, e cila argumenton se një vend mund të zgjedhë njëkohësisht vetëm dy nga tre alternativa të politikës monetare, kursin e këmbimit, lëvizshmërinë e lirë të kapitalit dhe pavarësinë e politikës monetare. Politikat publike, ekonomike, monetare, fiskale dhe reformat strukturore duhet të lehtësojnë kostot e paqartësive dhe të pasigurive. Ndikimi i pritshmërive në zhvillimin ekonomik, social dhe politik është rritur edhe më shumë në epokën e rrjeteve sociale.
Kur presidenti i BQE-së, Prof. Mario Draghi, po raportonte në parlamentin evropian për politikat monetare kundër krizës financiare 2009-2010, një eurodeputet e kritikoi se shuma e madhe e fondeve të injektuara nga BQE në ekonominë e vendeve të eurozonës nuk kishte dhënë efektet e duhura. Prof.Draghi qartësoi se ekonomia sot më shumë se kurrë ndikohet nga pritshmëritë, të cilat përmirësohen apo përkeqësohen jo pak edhe nga politikanët.Situata kritike për eksportuesit vjen kryesisht nga katër faktorë që janë; shkalla shumë e lartë e euroizimit të ekonomisë shqiptare dhe dështimi i paketës së deeurozimit; norma e lartë e parasë jashtë sistemi bankar; niveli i lartë i ekonomisë informale dhe rreziku i rritur i parasë kriminale.
Këta faktorë të përhershëm me efekt negativ nuk mund të përmirësohen apo të luftohen nga individët, nga bizneset, dhe aq më pak nga eksportuesit. Ata do të jenë përherë të ekspozuar nga risqet e luhatjeve të larta të kursve të këmbimit. Prandaj, nga kjo krizë e rëndë për eksportuesit lind nevoja e një angazhimi më të drejtpërdrejtë të studiuesve nga qarqet akademike dhe shoqatat e grupeve të interesit për të debatuar mbi sistemin e kursit të këmbimit që mund apo duhet të aplikojë Shqipëria dhe nëse mundet apo duhen ndërmarrë hapa konkretë për përdorimin e njëanshem të euros si monedhë kombëtare.
Të gjitha përvojat e vendeve të tjera që kanë kaluar kriza të kursit të këmbimit çojnë në përfundimin se për të zbutur goditjet e luhatjeve të një kursi fleksibël plotësisht të lirë, kërkohet harmonizimi i politikave monetare, politikave fiskale dhe reformave strukturore. Integrimi monetar nuk do të jetë një proces i lehtë dhe as i shkurtër. Lidhur me opsionin e shpalljes së njëanshme të euros si monedhë kombëtare, ligjërisht nevojitet miratimi paraprak nga KE dhe BQE. Procesi i thellimit të integrimit monetarë të Shqipërisë duhet të mos vonohet. Gjykojmë që debati mbi adoptimin e euros në mënyrë të njëanshme duhet ti japë përgjigje të paktën gjashtë pyetjeve.
1. Çfarë efekti do të kishte adoptimi i euros në mënyrë të njëanshme te stabiliteti makroekonomik? Humbja e rolit të politikës monetare si stabilizuese e makroekonomisë është një nga problemet themelore, në rast se Shqipëria adopton euron në mënyre të njëanshme. Politika monetare do ti pershtatej Eurozonës. BSH do te ishte vëzhguese pasive.
2. Cfarë implikimesh fiskale do të kishte adoptimi i euros në mënyre të njëanshme? Mund të ndodhë që ky skenar të shpjerë në përdorimin e diskrecionit fiskal në mënyrë më intensive me efekte anësore të padëshiruara. Cilat strukturash institucionale duhen ngritur a forcuar për të reduktuar këtë rrezik dhe minimizuar kostot nëse më e keqja (papërgjegjshmeria fiskale) ndodh? Sa i mundur është funksionimi efektiv i këtyre institucioneve?
3. A mund dhe si të ruhen funksioneve operacionale të Bankës së Shqipërisë?
Nëse Shqipëria adopton euron në mënyrë të njëashme, a do të kishte arsye dhe cilat do të ishin ato, për të mbajtur një bankë qëndrore të mirë-organizuar? Një bankë qëndrore pa funksionet dhe përgjegjësitë e veta elementare do të humbiste aftësitë dhe njohuritë e veta për të ndërvepruar me tregjet. Kjo do të kishte pasoja thellësisht negative për zhvillimin e tregjeve vendase të kapitalit dhe do t’u krijonte avantazhe të padrejta bankave të nivelit të dytë, të medha e të vjetra, e do të ngrinte barriera për hyrjen e bankave dhe firmave të tjera financiare të reja në treg. Adoptimi i njëanshëm dhe reduktimi i kapaciteteve të BSH do të shpinte gjithashtu në humbjen e njohurive dhe aftësive në politikat ekonomike.
4. Si do të funksiononte kreditori i “skalionit” të fundit? Nëse Shqiperia adopton euron në mënyrë të njëanshme, kapaciteti i BSH për të ofruar asistencë likuiditeti emergjent limitohet tek volumi i rezervave që ajo mban në valutë. Duke pasur parasysh mundësite e kufizuara të BSH për të mbajtur rezerva në valutë, kjo do të sillte një reduktim të kapacitetit të BSH për të vepruar si kreditor i skalionit të fundit. Humbja e rolit të kreditorit të skalionit të fundit, në këtë rast do të krijonte probleme kur adoptimi shoqërohet me flukse të larta hyrëse dhe ulje të vigjilencës financiare, që nga ana e tyre do të shpinin në kredi dhënie të tepruar nga bankat shqiptare.
5. Si do të kompensoheshin humbjet e buxhetit që rrjedhin nga “seigniorage” – fitimi që rrjedh nga diferenca mes vlerës së monedhës dhe kostos së prodhimit të saj? Humbja e këtij fitimi do të kishte një kosto jo të vogël për tu përballuar nga taksapaguesit shqiptar. Si do të kompensohej kjo humbje?
6. Në rast se Shqipëria adopton euron në mënyrë të njëanshme, sa rezistente do të ishte ekonomia ndaj stresit? Fakti që adoptimi i euros do të ishte i njëanshem nënkupton rrezikun e humbjes së mbështetjes politike. Në rast dështimi të adoptimit të euros në mënyrë të njëanshme, kostot e ri-hedhjes në treg të lekut do të ishin të larta. Sa do të ishin këto kosto dhe si do të kompensoheshin ato?
Ftesa për një debat për këtë çështje ofrohet vetëm si një këndvshtrim alternativ për debat profesional dhe të pa mbingarkuar politikisht. Studimet e thelluara dhe diskutimet profesionale për plotësimin e kushteve dhe ndjekjen e hapave të integrimit monetar në Europë, nuk duhen vonuar. [Panorama]