Nga Edin Subašić (Radio Sarajeva)
“E di nga burime të drejtpërdrejta se Amerika do të kalojë në zbatimin me forcë të pagesës së borxhit nga Serbia, pa mundësi për ndonjë ofertë të re pajtimi,” – deklaron një nga përfaqësuesit ligjorë të viktimave.
Në kohën kur institucionet shtetërore të Bosnje e Hercegovinës përpiqen të manovrojnë për të gjetur rrugën se si të paguajnë borxhin prej 110 milionë markash për shkak të vendimit të arbitrazhit në rastin “Viaduct”, një skandal i ri dhe shumëfish më i kushtueshëm është duke trokitur në derë.
Janë në fazën e ekzekutimit dy vendime të Gjykatës Distriktore të Jugut të Nju-Jorkut në SHBA, përmes të cilave Republika e Serbisë dhe entiteti Republika Serbe (RS) në Bosnje, si dhe Republika e Malit të Zi, mbajnë përgjegjësi për dëmshpërblim që tejkalon shifrën prej 141 miliardë dollarësh amerikanë, për viktimat e gjenocidit.
Një dimension veçanërisht vetëshkatërrues dhe kriminal i sjelljes së liderëve të Serbisë fqinje, Aleksandar Vuçiq, dhe të liderit të entitetit RS, Milorad Dodik, është injorimi i vazhdueshëm dhe refuzimi i ofertave për marrëveshje që do të parashikonin një shumë më të ulët dhe të pranueshme dëmshpërblimi.
Në Serbi dhe në entitetin RS mbretëron një heshtje e vazhdueshme rreth këtyre vendimeve, ndonëse shuma që është rritur me kamatë kërcënon të shkatërrojë ekonomitë e të paktën tre shteteve të rajonit. Para një muaji, përfaqësuesit ligjorë të viktimave u kanë dërguar të gjitha palëve të përfshira një ofertë për marrëveshje… por ende nuk ka asnjë përgjigje.
Si e shiti Karaxhiçi RS-në?
Këtu bëhet fjalë për dy padi të njohura, të ngritura në vitin 1993 nga viktimat e gjenocidit, torturave nëpër kampe, përdhunimeve dhe dëbimeve, ndaj Radovan Karaxhiçit dhe bashkëpunëtorëve të tij, në bazë të juridiksionit universal, në Gjykatën e Distriktit Jugor të Nju-Jorkut.
Proceset njihen si:
“Jane Doe v. Radovan Karadzic”, No. 93-Civ-0878 (PKL), me kërkesë fillestare dëmshpërblimi prej 4.9 miliardë USD, dhe “Kadić et al. v. Karadžić et al.”, No. 1:93-cv-01163(PKL), me një kërkesë fillestare prej 750 milionë USD.
Në fund, gjykata i ka dhënë viktimave shumën e kërkuar, e cila bashkë me kostot gjyqësore dhe avokatore kalon 5.65 miliardë USD.
Karaxhiçi në fillim kishte angazhuar avokatët Ramsey Clark dhe Lawrence W. Schilling, por pas ngritjes së aktakuzës nga Tribunali i Hagës në korrik 1996, nga frika e arrestimit, ai u tërhoq nga procesi. Më në fund, në dhjetor 1997 njoftoi gjykatën se nuk do të merrte më pjesë. Ai ishte i vetëdijshëm për pasojat që pasuan në tetor 2000: Gjykata i dha të drejtë viktimave dhe miratoi të gjitha kërkesat e tyre.
Kësisoj, RS-ja si entitet u bë debitor zyrtar, ndërkohë që përgjegjësia e Serbisë (atëherë ende si Jugosllavi) u përforcua më tej pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në 2007 dhe sidomos pas dënimeve të drejtuesve të Shërbimit të Sigurimit të Shtetit të Serbisë (SDB), Jovica Stanišić dhe Franko Simatović.
Marrëveshje apo konfiskim?
Vendimet janë përfundimtare, të ekzekutueshme dhe tanimë mund të diskutohet vetëm për mënyrat dhe kohëzgjatjen e pagesës. Por lindin disa pyetje logjike: Pse “elitat serbe” vazhdojnë të injorojnë përgjegjësitë dhe ofertat për marrëveshje, kur është e qartë se taktika “nuk kemi para – nuk paguajmë” nuk funksionon më në botën moderne?
Dhe së dyti: si arriti shifra deri në 141 miliardë USD, dhe si mund të inkasohet kjo shumë nëse Serbia, RS-ja dhe Mali i Zi nuk i kanë ato mjete?
“Viktimave dhe neve si përfaqësues ligjorë na është e qartë se Serbia, Mali i Zi dhe RS-ja, përmes Bosnjës, nuk kanë kapacitet të paguajnë shumën e plotë. Prandaj kemi ofruar sërish marrëveshje për shumën më të ulët,” – shpjegon prof. dr. Ramo Atajić, avokat me licencë ndërkombëtare dhe përfaqësues i viktimave.
Sipas tij, klientët janë të gatshëm të pranojnë një marrëveshje që respekton mundësitë reale të palëve, por që gjithashtu ruan dinjitetin e viktimave.
“Në letrën tonë të qëllimit kemi theksuar se nuk synojmë ta destabilizojmë rajonin përmes konfiskimeve të detyruara, por nuk jemi të gatshëm të nëpërkëmbim as të drejtën ligjore, financiare dhe morale të viktimave,” – shton Atajić.
Një dokument i titulluar “Ftesë zyrtare për marrëveshje për zbatimin e vendimeve përfundimtare të gjykatës amerikane në rastet e viktimave të gjenocidit (>140.04 miliardë USD)”, u është dërguar liderëve të Serbisë, Malit të Zi, Bosnje-Hercegovinës, autoriteteve të RS-së, OHR-it dhe disa ambasadave në Sarajevë.
Në të theksohet:
“Duke qenë se shuma e rritur e borxhit është e tillë që konfiskimi i detyruar do të destabilizonte ekonomitë e shteteve përgjegjëse, propozojmë takim me autoritetet kompetente për të diskutuar marrëveshjen dhe modalitetet e pagesës së dëmeve të njohura me vendim përfundimtar. (…) Theksojmë se nuk jemi të gatshëm të diskutojmë më për çështjen e përgjegjësisë, pasi kjo është një çështje ligjore e mbyllur. Oferta për takim vlen për 30 ditë nga pranimi i saj. Nëse nuk përgjigjeni, kjo do të konsiderohet si refuzim.”
Nëse s’ka marrëveshje, pason sekuestrimi ndërkombëtar
Atajić paralajmëron se, pas skadimit të afatit, vendimet përfundimtare do t’ua dorëzojnë agjencive dhe institucioneve ndërkombëtare të SHBA-së që merren me ekzekutimin e borxheve, përmes sekuestrimit të pasurisë, bllokimit të llogarive dhe resurseve shtetërore.
“Ata nuk do të kenë mëshirë – do të mbledhin çdo cent, qoftë edhe nëse shtetet falimentojnë. Vetëm shikoni rastin Viaduct, ky do të ndiqet me të njëjtën procedurë. Dhe kamata po shtohet me më shumë se 1 miliard USD në muaj!” – thekson Atajić.
Kërcënime dhe heshtje
Afati 30-ditor është drejt fundit, dhe asnjë prej palëve të përfshira nuk është përgjigjur. Ndërkohë, avokati Atajić pranon se ka marrë kërcënime serioze, të nënshkruara dhe anonime.
“Asnjë nga udhëheqësit boshnjakë nuk kujdeset për viktimat. Do të ishin të gatshëm të sabotonin edhe këtë proces, siç bënë me revizionin, vetëm për të ruajtur karriget dhe ‘paqen’ me fqinjët,” – shprehet me zemërim Atajić.
Ndërkohë që autoritetet “bëjnë të vdekurin” në të gjitha adresat ku ka mbërritur letra e Atajićit, në Serbi kjo çështje është bërë publike nga kreu i Partisë Republikane, Nikola Sandulović. Ai akuzoi publikisht Vuçiqin për fshehjen e çështjes dhe paralajmëroi pasoja katastrofike:
“E di nga burime të sigurta se SHBA do të kalojë në zbatim me forcë të pagesës pa ofruar më asnjë kompromis. Dhe nëse ndodh kjo, Serbia do të përjetojë kolaps total, pasi do të bllokohen të gjitha llogaritë e saj jashtë vendit dhe pjesa tjetër do të mbulohet me sekuestrim të pasurive shtetërore, nga të cilat nuk ka mbetur shumë pas vjedhjeve dhe shitjeve që ke bërë ti, Aleksandar Vuçiq,” – shkroi Sandulović në profilin e tij në Meta. [Përktheu: Lirim GASHI]