[Në foto: Një zjarrfikës është në detyrë në një kompleks banimi në Teheran ku ndodhi një shpërthim për shkak të sulmeve izraelite.]
Izraeli dhe Irani u angazhuan sërish në sulme të dhunshme brenda natës. Disa qytetarë u vranë në Teheran dhe qytetet izraelite.
Nga Raphael Schmeller [Berliner Zeitung]
Izraeli dhe Irani janë përfshirë në sulme masive ndaj njëri-tjetrit për të tretën natë radhazi. Të paktën 13 persona u vranë në Izrael, sipas mediave lokale duke cituar punonjësit e shpëtimit. Rreth 370 persona u plagosën. Ndërtesa të goditura u raportuan në disa qytete, duke përfshirë metropolin bregdetar të Tel Avivit, Jerusalemit dhe Bat Yam.
Ndërkohë, forcat ajrore të Izraelit thuhet se bombarduan Ministrinë e Mbrojtjes, “objektet infrastrukturore të projektit të armëve bërthamore iraniane” dhe depot e naftës në kryeqytetin iranian Teheran.
“Teherani po digjet”
Ushtria raportoi se objektivat në Teheran përfshinin selinë e një organizate kërkimore bërthamore shtetërore. Përveç kësaj, sulme u kryen në objektiva të tjerë që synonin të pengonin përpjekjet për të ndërtuar armë bërthamore – këtë qëllim Irani e mohon. Këtu përfshihej vendi i fshehjes së arkivit bërthamor të shtetit.
Irani raportoi se 78 persona u vranë në ditën e parë të fushatës ushtarake izraelite. Për shumë viktima tjera u raportua në ditën e dytë. Midis tyre ishin 60 persona të vrarë, kur një raketë goditi një ndërtesë apartamentesh katërmbëdhjetëkatëshe në Teheran.
Sulme në qendrën komanduese të Ministrisë së Mbrojtjes u raportuan gjithashtu në Iran. Në veriperëndim të Teheranit, pjesë të një depoje nafte morën flakë. Shpërthime të fuqishme janë raportuar edhe në pjesë të tjera të qytetit. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, shkroi në platformën X: “Teherani po digjet”.
Sipas presidentit amerikan Donald Trump, ushtria amerikane nuk ishte e përfshirë në sulmet e fundit të Izraelit. “SHBA nuk kishte asnjë lidhje me sulmin ndaj Iranit sonte”, shkroi Trump në platformën “Truth Social”. Në të njëjtën kohë, ai paralajmëroi udhëheqjen në Teheran kundër sulmeve ndaj objekteve amerikane. Nëse SHBA-të do të sulmoheshin nga Irani, forcat amerikane do të sulmonin në një shkallë të paprecedentë.
Trumpi përsëri i bëri thirrje Iranit të përfundojë një marrëveshje për programin e tij bërthamor. “Megjithatë, ne mund të arrijmë lehtësisht një marrëveshje midis Iranit dhe Izraelit dhe t’i japim fund këtij konflikti të përgjakshëm!” ka shkruar Trumpi. SHBA është aleati më i rëndësishëm i Izraelit dhe mban bazat në rajon. Sipas faqes amerikane të lajmeve Axios, Izraeli i ka kërkuar administratës Trump në 48 orët e fundit që t’i bashkohet luftës kundër Iranit. Axios citon dy zyrtarë izraelitë.
Izraeli pretendon se sulmet kanë për qëllim të pengojnë Iranin të ndërtojë bombën bërthamore. Teherani, megjithatë, thekson se programi i tij bërthamor shërben ekskluzivisht për qëllime civile.
Ndërkohë, Irani kërcënoi aleatët e Izraelit. Vendet që marrin pjesë në zmbrapsjen e sulmeve iraniane duhet të presin vetë sulme, raportuan mediat iraniane. Si objektiva të mundshëm u përmendën bazat dhe anijet ushtarake rajonale në Gjirin Persik dhe në Detin e Kuq.
Sipas rrjetit televiziv amerikan CNN, fushata ushtarake e Izraelit kundër Iranit pritet të zgjasë “me javë, jo me ditë”. Këtë e thanë zyrtarë në Shtëpinë e Bardhë dhe Izrael. Republika Islamike i interpretoi sulmet ajrore si një shpallje lufte dhe gjuajti qindra raketa dhe drone në Izrael në disa valë sulmesh.
Anulohen bisedimet mes Iranit dhe SHBA-së
Bisedimet midis delegacioneve iraniane dhe amerikane mbi programin bërthamor iranian ishin planifikuar të mbaheshin në Oman të dielën – por ky raund në kryeqytet, Muscat, u anulua për shkak të përshkallëzimit ushtarak. Diplomacia dhe dialogu janë gjithsesi “e vetmja rrugë drejt paqes së qëndrueshme,” tha ministri i jashtëm i Omanit, Badr al-Bussaidi në X. Sulltanati po vepron si ndërmjetës.
Negociatat midis Uashingtonit dhe Teheranit mbi programin bërthamor, të cilat kanë vazhduar për rreth dy muaj, kohët e fundit nuk kanë bërë përparim. Pas anulimit, është e diskutueshme nëse do të ketë edhe një raund tjetër. [Përktheu: ISHGJ]