Një rafineri nafte në rajonin jugor rus të Volgogradit mori flakë pas një sulmi të natës nga një dron ukrainas, por zjarri është shuar, tha të premten guvernatori rajonal, raporton Reuters.
Guvernatori rus Andrei Bocharov tha në një deklaratë në aplikacionin e mesazheve Telegram se mbrojtja ajrore ruse kishte zmbrapsur një sulm nga tetë dronë në rajonin e tij. “Si pasojë e rënies së pjesëve të njërit prej dronëve, në zonën e rafinerisë së naftës ka rënë zjarr, i cili është shuar menjëherë. Punonjësi i dëmtuar i rafinerisë është shtruar në spital”, tha ai.
Sulmet sistematike
Andriy Kovalenko, kreu i Qendrës së Ukrainës për Kundër Dezinformimit, tha në Telegram se një rafineri nafte në Volgograd, të cilën ai e përshkroi si një nga më të mëdhatë në Rusi, ishte goditur.
SHOT, një gazetë ruse me kontakte në shërbimet e sigurisë, tha se katër dronë ukrainas u shkatërruan mbi një rafineri tjetër në Yaroslavl, në verilindje të Moskës.
Ukraina ka kryer sulme të shpeshta ajrore në rafineritë ruse, objektet e depozitimit të naftës dhe vendet industriale në një përpjekje për të gjymtuar infrastrukturën kryesore që mbështet përpjekjet e Rusisë për luftë. Këtë javë ajo pretendon se ka sulmuar dhe djegur rafinerinë Lukoil, e katërta më e madhe në Rusi, në rajonin e Nizhny Novgorod, në lindje të Moskës. Burime në Lukoil mohuan që rafineria NORSI të jetë goditur. Kompania petrokimike Sibur njoftoi se kishte pasur një sulm me dron dhe një zjarr në fabrikën e saj aty pranë.

Foto: Guliver (AP Photo/Evgeniy Maloletka)
Paketa e re e sanksioneve
Rusia aktualisht po përpunon më shumë naftë bruto në rafineritë e saj me shpresën për të rritur eksportet e karburantit pasi sanksionet e reja të SHBA-së e bënë më të vështirë për cisternat dhe tregtarët rusë eksportin e naftës së papërpunuar, thanë burimet për Reuters këtë javë.
Për shkak të një sulmi me dron ukrainas javën e kaluar, rafinerisë në Ryazan, në juglindje të Moskës, iu desh të pezullonte funksionimin.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha në një deklaratë të premten se 49 dronë ukrainas u rrëzuan mbi vend gjatë natës, duke përfshirë 25 në rajonin jugor të Rostovit dhe tetë në rajonin e Volgogradit. Dronët u zbuluan dhe u shkatërruan gjithashtu në rajonet Kursk, Yaroslavl, Belgorod, Voronezh dhe Krasnodar, tha ai. [GN/ISHGJ]