[25 prill 2024]
Siguria e Izraelit mund të arrihet vetëm brenda kornizës së një zgjidhjeje me dy shtete që ofron një perspektivë politike për palestinezët, tha presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier. “Pa një perspektivë politike për palestinezët, as për Izraelin nuk mund të garantohet siguria. Kjo perspektivë mund të jetë vetëm një zgjidhje me dy shtete”, tha Steinmeier në një konferencë të përbashkët për shtyp pas bisedimeve në kryeqytetin turk Ankara me homologun e tij Recep Tayyip Erdogan, raporton AA.
Duke theksuar nevojën për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit aktual në rajon, ai tha se Turqia ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në zgjidhjen e situatës humanitare në Gaza. Steinmeier përfundoi një vizitë tre-ditore në Turqi, duke shënuar 100 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike dypalëshe. “Së bashku me Presidentin Erdogan, ne diskutuam për nevojën që të gjithë ne të përdorim kontaktet tona në rajon sa më shumë që të mundemi, veçanërisht për të siguruar lirimin e pengjeve,” tha ai, duke iu referuar më shumë se 130 pengjeve izraelitë të kapur nga grupi palestinez Hamas në një sulm ndërkufitar më 7 tetor 2023.
Kur bëhet fjalë për eksportin e vazhdueshëm të armëve nga Gjermania në Izrael, ai beson se kjo mbështetje nuk “kontribuoi në gjenocid” dhe se Berlini do ta mbrojë këtë qëndrim para gjykatave ndërkombëtare.