Forcat Ajrore Turke nisën një sulm në shkallë të gjerë kundër pozicioneve të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) në veri të Sirisë dhe Irakut të mërkurën mbrëma, në përgjigje të një sulmi vdekjeprurës më herët gjatë ditës në selinë e Industrisë Turke të Hapësirës Ajrore (TUSAŞ) pranë Ankarasë.
Sulmet ajrore turke shkatërruan 32 objektiva të lidhur me PKK-në, sipas raporteve nga agjencia shtetërore e Turqisë, Anadolu. Ministria e Mbrojtjes konfirmoi se operacionet do të vazhdojnë dhe theksoi se Turqia “do të vazhdojë luftën kundër terrorizmit me vendosmëri të plotë deri në eliminimin e terroristit të fundit”.
Vetëm pak orë para sulmit, ministri i Brendshëm turk, Ali Yerlikaya tha se PKK ishte “ndoshta” përgjegjëse për sulmin në objektin e Industrisë Turke të Hapësirës Ajrore, në të cilin pesë persona vdiqën dhe 22 persona u plagosën – raporton POLITICO. TUSAŞ, si një kompani qenësor në kompleksin ushtarako-industrial turk, është përgjegjëse për prodhimin e avionëve ushtarakë dhe civilë.
Vazhdimi i fushatës ushtarake
Megjithëse askush zyrtarisht nuk mori përgjegjësinë për sulmin, autoritetet turke drejtuan menjëherë akuzat ndaj PKK-së, një organizatë militante që Ankaraja dhe disa vende perëndimore, përfshirë SHBA-të, e konsiderojnë si grup terrorist.
Këto ngjarje të fundit përfaqësojnë një përshkallëzim në konfliktin e gjatë midis Turqisë dhe PKK-së, i cili ka vazhduar për disa dekada. Përplasjet midis forcave turke dhe militantëve kurdë janë intensifikuar vitet e fundit dhe sulmet ajrore ndaj objektivave në vendet fqinje janë bërë një praktikë e rregullt e ushtrisë turke.
Turqia ka theksuar në disa raste se nuk do të tolerojë sulmet në territorin e saj dhe ka premtuar se do të vazhdojë fushatën ushtarake derisa kërcënimi i PKK të neutralizohet plotësisht. [GN/ISHGJ]