[6 shtator 2024]
Disa orë pasi Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara njoftoi për aktakuzën ndaj ish-këshilltarit të Trump-it, Dimitri Simes, kandidati republikan bëri një premtim mahnitës gjatë një fjalimi në Klubin Ekonomik të Nju Jorkut: Ai premtoi të hiqte sanksionet ndaj Rusisë.
Aktakuza, ku përfshihej edhe gruaja e Simes-it, Anastasia, akuzon çiftin për bashkëpunim me rrjetin televiziv shtetëror rus Prvi Kanal, nga i cili kanë marrë më shumë se një milion dollarë, një makinë dhe një shofer. Simes-i, i përmendur në raportin e Mueller-it për lidhjet e tij me aleatët e Trumpit, si Jared Kushner, ka qenë në qendër të vëmendjes për akuzat për pastrim parash dhe bashkëpunim me mediat ruse, të cilat shkelën sanksionet e SHBA kundër Rusisë.
Gjatë përgjigjes së tij ndaj një pyetjeje në lidhje me sanksionet, Trumpi shprehu pakënaqësinë e tij me politikën aktuale të sanksioneve, duke thënë se do të dëshironte “të përdorte sa më pak sanksione”. Ai theksoi se sanksionet, si ato kundër Rusisë dhe Iranit, sipas tij, dobësojnë monedhën amerikane dhe kërcënojnë dominimin global të dollarit. Ai shtoi se besonte, se Shtetet e Bashkuara mund të humbin ndikimin global nëse vazhdojnë të vendosin sanksione ndaj kaq shumë vendeve.
Të prirur ndaj sanksioneve të shkurtra
Politika e sanksioneve të Trumpit kundër Rusisë gjatë presidencës së tij ka qenë shkaku i shumë polemikave, pasi ai shpesh i është shmangur masave më të ashpra kundër Moskës, edhe kur ligjvënësit e kanë detyruar atë ta bëjë këtë për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane dhe përdorimin e supozuar të armëve kimike. Në fjalimin e tij, ish-presidenti tha se priret të heqë shpejt sanksionet sapo t’i vendosë ato, duke përshkruar se si i përdor ato “me forcë”, por i heq ato sapo i konsideron të panevojshme.
Aktakuza kundër Simes-it dhe gruas së tij është rezultat i një përpjekjeje më të madhe të Departamentit të Drejtësisë për të kundërshtuar ndikimin rus përmes kanaleve mediatike. Një tjetër hetim i Departamentit të Drejtësisë ka akuzuar punonjësit e medias shtetërore ruse për pjesëmarrje në një skemë për përcjelljen e mesazheve të qeverisë ruse tek audienca amerikane përmes kanaleve të fshehta. Disa ndikues pro-Trump-it u përfshinë gjithashtu në skemë, duke e komplikuar më tej mbrojtjen e Trump-it kundër akuzave për lidhje me Rusinë.
Kjo aktakuzë e re dhe deklarata e Trump-it vijnë në një kohë kur gjyqësori amerikan dhe skena politike po rishqyrtojnë marrëdhëniet e Trump-it me Rusinë dhe mënyrën se si administrata e tij ka trajtuar çështjet e sigurisë kombëtare dhe të politikës së jashtme që lidhen me Moskën. Akuzat kundër Simes-it, i cili luajti një rol kyç në fushatën e Trump-it në vitin 2016, vetëm sa shtojnë dyshimet për bashkëpunim të mundshëm midis aleatëve të Trump-it dhe qarqeve që përçojnë interesat ruse.