Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, po shqyrton opsionet për të parandaluar Iranin nga zhvillimi i armëve bërthamore, duke përfshirë mundësinë e sulmeve ajrore parandaluese, raportoi The Wall Street Journal. Masa vjen ndërsa Izraeli përgatit plane për një sulm të mundshëm ndaj objekteve bërthamore të Iranit, mes frikës në rritje se Republika Islamike po përshpejton zhvillimin e një bombe bërthamore.
Administrata Trump thuhet se po punon për një plan të quajtur “Presioni maksimal 2.0”, i cili përfshin sanksione agresive, forcimin e mëtejshëm të pranisë ushtarake të SHBA-ve në rajon dhe rritjen e aftësive sulmuese të Izraelit duke i shitur bomba të sofistikuara për shkatërrimin e bunkerëve. Qëllimi është të ndalojë Iranin pa filluar një luftë të re që përfshin trupat amerikane.
Në një intervistë me Time Magazine, Trump deklaroi se “të gjitha opsionet mbeten të hapura” në lidhje me Iranin, duke vënë në dukje situatën e paqëndrueshme të sigurisë në rajon.
Programi civil
Zyrtarët ushtarakë izraelitë kanë intensifikuar përgatitjet për sulme të mundshme ndaj objekteve bërthamore të Iranit, të inkurajuar nga rënia e regjimit të Bashar al-Assad në Siri, një aleat kyç iranian, dhe dobësimit të Hezbollahut në Liban. Forcat Ajrore izraelite tashmë kanë kryer sulme precize në infrastrukturën ushtarake iraniane, duke përfshirë objektet kërkimore të lidhura me zhvillimin bërthamor.
Kryeministri Benjamin Netanyahu iu drejtua drejtpërdrejt popullit të Iranit përmes një një video-mesazhi, duke thënë se regjimi në Teheran është “i tmerruar nga populli i tij” dhe shprehu shpresën për ndryshimin e regjimit dhe lirinë e Iranit në të ardhmen.
Irani pohon se programi i tij bërthamor ka qëllime thjesht civile, ndërsa agjencitë ndërkombëtare të inteligjencës, përfshirë IAEA, paralajmërojnë për aspektet ushtarake të programit. Izraeli, nga ana tjetër, këmbëngul se Republika Islamike kurrë nuk ka hequr dorë plotësisht nga zhvillimi i armëve bërthamore dhe se është e angazhuar për shkatërrimin e shtetit hebre. [GN/ISHGJ]