Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u takua me presidentin e sapozgjedhur të SHBA-ve, Donald Trump në Palm Beach, Florida, tha të shtunën një zëdhënëse e aleancës ushtarake transatlantike.
“Ata diskutuan për një sërë çështjesh të sigurisë globale me të cilat përballet Aleanca,” tha zëdhënësja Farah Dakhlallah. Rutte u pa nga shumë njerëz si një nga udhëheqësit më të mirë evropianë për të ndërtuar një marrëdhënie të mirë biznesi me Trump-in gjatë mandatit të tij të parë si president në 2017-2021.
Fitorja e Trump mund të ndryshojë dinamikën brenda NATO-s
Në mandatin e tij të parë, Trump-i e shtyu Evropën të rriste shpenzimet e mbrojtjes dhe vuri në pikëpyetje drejtësinë e aleancës transatlantike të NATO-s. Fitorja e Trump-it ka alarmuar disa liderë evropianë që mendojnë se ai mund t’i japë fund ndihmës thelbësore ushtarake të Uashingtonit për Ukrainën. “Ajo që shohim gjithnjë e më shumë është se Koreja e Veriut, Irani, Kina dhe sigurisht Rusia po punojnë së bashku, duke punuar së bashku kundër Ukrainës”, tha Rutte së fundmi në një takim të liderëve evropianë në Budapest. “Në të njëjtën kohë, Rusia duhet të paguajë për këtë, dhe një nga gjërat që po bëjnë është furnizimi me teknologji për Korenë e Veriut”, të cilën ai paralajmëroi se kërcënon “kontinentin e SHBA-së (dhe) Evropën kontinentale”. “Mezi pres të ulem me Donald Trump për të diskutuar se si mund t’i përballojmë këto kërcënime së bashku,” tha Rutte, sipas AFP.
Trump-i emëroi Matthew Whitaker për ambasadorin e SHBA në NATO. Whitaker-i pritet të ndjekë axhendën e Trump-it “Amerika së pari” gjatë bisedimeve me aleatët e NATO-s. Disa analistë parashikojnë se Trump do të kërkojë një prag prej 3% të alokimeve të BPK-së së anëtarëve për mbrojtjen në mandatin e ardhshëm. [GN/ISHGJ]