Rumania ka zgjedhur mjetin e blinduar të Turqisë me katër rrota Cobra II për forcat e saj tokësore, duke porositur deri në 1059 njësi. Sipas planit, 278 automjetet e para do të prodhohen nga prodhuesi Otokar në Turqi, ndërsa pjesa tjetër në një fabrikë në Rumani të operuar nga kompani vendase. Shitja e planifikuar vlerësohet në rreth 4.263 miliardë lei rumune (856 milionë euro), njoftoi kompania turke Otokar.
Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Rumanisë i besoi kompanisë shtetërore të mbrojtjes Romtehnica zbatimin e prokurimit. Zhvillimi i fundit vjen ndërsa Bukureshti ecën përpara me një numër prokurimesh të mëdha për forcat kombëtare tokësore. Kjo përfshin prokurimin e planifikuar të mjeteve të reja luftarake të këmbësorisë, tankeve dhe obuseve vetëlëvizëse me rrota. Rumania zgjodhi obusin vetëlëvizës K9 Thunder 155 mm për ushtrinë e saj qershorin e kaluar, duke blerë 54 obusa nga Hanwha Aerospace e Koresë së Jugut.
Rumania po armatoset
Alexandru Georgescu, një analist i sigurisë dhe mbrojtjes me qendër në Bukuresht, tha për Defense News se, pas kritikave të zgjatura publike, ministria rumune po i jep rëndësi të madhe ofertave nga furnizuesit e huaj për të bashkëpunuar me fabrikat vendase të mbrojtjes. Lufta e vazhdueshme e Rusisë kundër Ukrainës po e shtyn Bukureshtin të forcojë “industrinë e mbrojtjes shumë të vogël dhe përgjithësisht të neglizhuar” të Rumanisë, tha Georgescu.
Cobra II peshon 14.5 ton dhe fuqizohet nga një motor dizel me turbocharged 360 HP. Automjeti mund të transportojë gjithsej 11 persona, duke përfshirë shoferin dhe komandantin, sipas prodhuesit turk.
Varianti i evakuimit mjekësor të Cobra II u pa nga ushtria ukrainase gjatë inkursionit në rajonin Kursk të Rusisë. Në fillim të këtij viti, Maroku ka porositur 200 copë të këtij mjeti të blinduar nga Turqia. [GN/ISHGJ]