Libani u godit përsëri nga një seri shpërthimesh, të cilat shuan tri jetë dhe plagosën dhjetëra njerëz të mërkurën pasdite, pasi radiot e dorës të përdorura nga grupi militant Hezbollah u shpërthyen – raporton Reuters.
Shpërthime të reja dyshohet se kanë ndodhur në telefona, laptop, radio dhe pajisje të zakonshme, ndërsa në rrjetet sociale po përhapen video që tregojnë se ka rënë zjarr edhe në disa ndërtesa banimi. Këto incidente erdhën një ditë pas një serie të madhe shpërthimesh të sirenave.
Një nga shpërthimet ndodhi pranë një funerali për viktimat e vrara në shpërthimet e mëparshme. Shpërthimet goditën pjesën jugore të Libanit, si dhe periferitë jugore të Bejrutit, konfirmuan burimet e sigurisë dhe dëshmitarët okularë.
Izraeli nën akuzën për një sulm të sofistikuar
Sipas burimeve pranë shërbimit libanez të sigurisë, agjencia izraelite e inteligjencës Mossad qëndron pas vendosjes së eksplozivëve brenda sinjalizuesve të importuar nga Hezbollahu disa muaj më parë – shkruan BBC. Këto shpërthime të sofistikuara kanë shkaktuar kaos në të gjithë vendin dhe zyrtarët libanezë besojnë se është një operacion strategjik që synon destabilizimin e grupit.
Hezbollahu iu përgjigj sulmeve të mërkurën, duke pretenduar se kishte lëshuar raketa në pozicionet e artilerisë izraelite. Masa tregon një përshkallëzim të konfliktit, me numrin e viktimave në sulmet e së martës që u rrit në 12, duke përfshirë dy fëmijë, konfirmoi ministri libanez i Shëndetësisë, Firass Abiad. [GN/ISHGJ]