Kryeministri britanik Keir Starmer (Laburist).
18.05.2025
Kanë kaluar pesë vjet nga Brexit-i. Tani Londra po synon një fillim të ri me Bashkimin Evropian. Ç’rol luajn në këtë kuadër marrëdhëniet tregtare ashtu edhe kufijtë?
Pak përpara një takimi me krerët e BE-së në Londër javën e ardhshme, qeveria britanike njoftoi për një marrëveshje të re me Brukselin. Qysh këtë të dielë, kryeministri Keir Starmer do të përshkruajë se si mund të duket një “partneritet i forcuar dhe largpamës me Bashkimin Evropian”, nga i cili do të përfitojnë punëtorët britanikë, njoftoi qeveria në Londër. Marrëveshja e re premton gjëra të mira për rritje dhe vende pune.
“Sepse publiku britanik meriton më mirë se marrëveshja e arritur në qeverinë e mëparshme, nga e cila nuk përfiton askush”, vijon deklarata, duke aluduar në marrëveshjen e Brexit-it. Britania e Madhe u largua nga Bashkimi Evropian pesë vjet më parë dhe vazhdon të vuajë pasojat ekonomike.
Marrëveshjet tregtare me Indinë dhe SHBA-të
Kryeministri Starmer do të presë të hënën Presidentin e Këshillit të BE-së, António Costa dhe Presidenten e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen. Ndër të tjera, të dyja palët duan të forcojnë marrëdhëniet e tyre tregtare. Marrëveshja do të përfitojë prodhuesit britanikë që përballen me pengesa dhe kontrolle burokratike kur eksportojnë, u tha në një deklartë. Çmimet pritet të bien edhe për konsumatorët britanikë. Vetëm kohët e fundit, Britania e Madhe ra dakord edhe për marrëveshje tregtare me Indinë dhe SHBA-në.
Sipas një raporti në Times, një marrëveshje e re mund të përfshijë gjithashtu një program shkëmbimi të të rinjve (Skema e lëvizshmërisë së të rinjve) që do t’i lejojë të rinjtë nga BE-ja të punojnë në Britaninë e Madhe deri në dy vjet dhe anasjelltas – por pa rivendosur lirinë e lëvizjes.
“Në këtë kohë pasigurie dhe paqëndrueshmërie të madhe, Mbretëria e Bashkuar nuk do të tërhiqet në vetvete, por me krenari do të zë vendin e saj në skenën botërore, duke forcuar aleancat e saj dhe duke arritur marrëveshje në interes të popullit britanik”, tha Starmer në një deklaratë.[focus.de]