[Në foto: Vuçiç-Xi Jinping]
Ai po vë SHBA-në dhe Kinën kundër njëra-tjetrës, duke i joshur të dyja. Kjo qasje mund t’i shërbejë tani për tani interesave të Serbisë. Por shumë shpejt Serbia duhet të vendosë nëse interesat e saj afatgjata janë me Perëndimin apo Euroazinë…
[21 maj,2024]
Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë përfshirë në një luftë tregtare në përshkallëzim e sipër mbi furnizimet me litium, të cilat janë thelbësore për biznesin e makinave elektrike që po lulëzon në mbarë botën. Serbia po vendos njërën palë kundër tjetrës, duke u përpjekur të përfitojë nga të dyja.
Sepse në këtë vend gjenden depozitat më të mëdha të litiumit në Evropë, të cilat mund të garantojnë një industri vjetore prej 6.5 miliardë dollarësh. Tesla, Google dhe Apple, janë që të gjithë në pritje për të investuar në nxjerrjen e këtij minerali. Lufta tregtare midis SHBA-së dhe Kinës është e mbushur me shumë degëzime gjeopolitike, të cilat kanë ndikim në marrëdhëniet SHBA-Kinë, por edhe tek industritë evropiane.
Gjatë vizitës së tij të fundit në Beograd, udhëheqësi kinez Xi Jinping, loboi tek presidenti serb Aleksander Vuçiç për të pasur qasje në rezervat me litium. Vuçiç është i hapur për çdo ofertë, duke pasur përfitime nga investimet kineze, ndërsa mban raporte të mira me SHBA-në dhe institucionet euro-atlantike.
Ai po vë SHBA-në dhe Kinën kundër njëra-tjetrës, duke i joshur të dyja. Kjo qasje mund t’i shërbejë tani për tani interesave të Serbisë. Por shumë shpejt Serbia duhet të vendosë nëse interesat e saj afatgjata janë me Perëndimin apo Euroazinë.
Sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së, Serbia ka 118 milionë tonë oksid litiumi, një lëndë e parë thelbësore shumë e lakmuar për bateritë elektrike nga Tesla dhe kompani të tjera. Vucic e quan litiumin “një nga shpresat më të mëdha për Serbinë”. Sasia më e madh e litiumit në Evropë, gjendet në rajonin e Serbisë Perëndimore, Macva, ku depozitat e litiumit mbajnë deri në 2 për qind të depozitave të Evropës.
Rio Tinto, kompania e madhe australiane e minierave, është e interesuar të menaxhojë Macva-n. Gazeta kineze “South China Morning Post”, raporton se Vuçiç dhe Xi u takuan në Beograd më 8 maj për të diskutuar një gamë të gjerë bashkëpunimi në industri të ndryshme. Ata diskutuan mbi investimet e Kinës në shkencë dhe teknologjinë hapësinore, si dhe për shitjen e armëve kineze tek Serbia. Litiumi ishte në qendër të diskutimit për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik. Administrata Biden e ka marrë parasysh këtë fakt. Këtë javë, SHBA-ja njoftoi vendosjen e tarifave të reja për makinat elektrike të prodhimit kinez, panelet diellore, çelikun dhe mallrat e tjera, duke përmendur si justifikim politikat e padrejta tregtare të Kinës.
Tarifat, që synojnë të mbrojnë vendet e punës në SHBA në një vit zgjedhor, përfshijnë një taksë kufitare prej 100 për qind për automjetet elektrike që vijnë nga Kina. Kësti fillestar i tarifave të propozuara amerikane, do të prekte 18 miliardë dollarë mallra kineze.
Po ashtu, rregulloret e reja të tregtisë synojnë të kufizojnë tregtinë e tërthortë të automjeteve elektrike kineze përmes Meksikës, të cilat po rrisin çmimet dhe po prekin direkt konsumatorët amerikanë. Sipas zyrtarëve amerikanë, kontrolli kinez i tregut të automjeteve elektrike përbën një rrezik për sigurinë kombëtare të SHBA-së.
Departamenti i Tregtisë, raporton se prodhuesi më i madh kinez i automjeteve, BYD, po fiton me shpejtësi një pjesë të tregut. BYD prodhon një makinë elektrike me çmim të ulët të quajtur Seagull (Pulëbardha), që shitet për rreth 12.000 dollarë dhe i drejtohet tregut masiv.
Makinat e krahasueshme me të, të prodhuara në SHBA kushtojnë 3 herë më shumë. BYD përdor bateri të gjeneratës së fundit të prodhuara nga fosfati i hekurit dhe litiumit. Ndërsa aktualisht prodhon 3 milionë automjete në vit, ky numër do të rritet kur Kina të marrë furnizime shtesë me litium.
Përveç ekonomisë, synimet e politikave janë një prioritet kryesor për Xi Jinping. Vuçiç e pranon kërkesën e Kinës që Serbia të refuzojë të njohë pavarësinë e Tajvanit dhe të kundërshtojë shitjet e armëve nga SHBA-ja për vendin ishullor.
Ndërkohë Xi ia kthen favorin duke mbështeture sovranitetin shtetëror të Serbisë, dhe refuzuar pavarësisë së Kosovës, e cila njihet nga rreth 100 vende të botës, përfshirë të gjithë anëtarët e G7-ës. Në këtë rast, pikëpamjet e Kinës ndikohen edhe bombardimi aksidental i NATO-s ndaj ambasadës së saj në Beograd në vitin 1999, ku mbetën të vrarë 3 shtetas kinezë.
Vizita e fundit e Xi në Beograd ishte e mbushur plot me simbolika, dhe përkonte me 25 vjetorin e bombardimit të ambasadës kineze, një ngjarje që shumë njerëz në Kinë dhe Serbi dyshojnë nëse ishte aksidentale. Zgjerimi i ndikimit nga Kina përfshin gjithmonë një element ekonomik.
Gjatë vizitë së vitit të kaluar në Pekin, Vuçiç nënshkroi 18 marrëveshje me Xi, përfshirë një marrëveshje të tregtisë së lirë që hyn në fuqi më 1 korrik të këtij viti. Marrëveshjet e tjera promovojnë bashkëpunimin ligjor, rregullator dhe atë në fushën ekonomike.
Kina zotëron miniera dhe fabrika në të gjithë Serbinë, dhe ka dhënë miliarda huanë për rrugë, ura dhe objekte të reja përmes iniciativës së saj të Brezit dhe Rrugës, e cila financon zhvillimin e infrastrukturës. Gjatë vizitës së tij, Xi vlerësoi marrëdhëniet me Serbinë, duke thënë: “Kina dhe Serbia janë miq të vërtetë dhe partnerë të mirë. Besimi i ndërsjellë politik midis dy vendeve është shumë i fortë. Bashkëpunimi pragmatik, përmirësimi institucional dhe koordinimi shumëpalësh janë të ngushtë, dhe miqësia jonë e fortë është e përjetshme.”
Në Kinë janë të forta ndjenjat anti-amerikane, duke e afruar më tej Pekinin me Moskën. Po kështu, Serbia ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë për shkak të pushtimit të saj në Ukrainë. Xi e sheh mbështetjen për Rusinë si një ekuilibër gjeostrategjik kundër ndikimit të SHBA-së.
Të dyja vendet dyshohet se janë përfshirë në fushata të gjera keq-informuese, që synojnë të ndikojnë mbi opinionin publik të SHBA-së. Vucic po manipulon aleancat në një përpjekje për të balancuar ndikimin e SHBA-së, teksa forcon lidhjet e Serbisë me shtetet autokratike si Kina dhe Rusia.
Si një protagonist i ndërhyrjes së dikurshme ushtarake të NATO-s, Uashingtoni është një nga mbështetësit kryesorë të pavarësisë dhe shtet-ndërtimit të Kosovës. Zotërimi i rezervave të mëdha tek një mineral kaq i rëndësishëm, po i jep që tani përfitime të mëdha Serbisë.
SHBA-ja po tregon një respekt më të madh ndaj Serbisë në dialogun e sponsorizuar nga BE-ja për normalizimin e raporteve me Kosovën. Ndërkohë Vuçiç po përfiton jo pak politikisht përmes qasjes më të barabartë të administratës Biden. Një shprehje e vjetër kineze thotë: ”Duhet pasur shumë durim për të kapur peshkun e madh”.
Kështu, Kina po luan një lojë të gjatë, duke investuar në Serbi përmes Nismës së Brezit dhe Rrugës, dhe duke e ushtruar ndikimin e saj ekonomik. Edhe Rusia po përgatitet për një luftë të gjatë në Ukrainë, duke pritur kohën e saj për të përfituar nga ndryshimi i aleancave. Serbia po argëtohet duke joshur të gjithë të interesuarit, derisa të bëhen produktive minierat e saj të litiumit. Litiumi është pika kyçe e dinamikës së ndryshimit të tregut të energjisë në Evropën Juglindore. [Përshtati “Pamfleti” nga “The Hill”