Adresimi i djeshëm i Presidentit francez Emanuel Makron, kombit francez, sipas të gjjitha gjasave mund të rezultojë historik .
Fjala e plotë:
“Francezë dhe Franceze, bashkatdhetarët e mi të dashur,
Sonte ju drejtohem për shkak të situatës ndërkombëtare dhe pasojave të saj për Francën dhe Evropën, pas disa javësh veprimi diplomatik.
Ju, me të drejtë, jeni të shqetësuar nga ngjarjet historike që po ndodhin dhe që po tronditin rendin botëror.
Lufta në Ukrainë, e cila ka shkaktuar afro një milion të vdekur dhe të plagosur, vazhdon me të njëjtën ashpërsi.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleati ynë, kanë ndryshuar pozicionin e tyre mbi këtë luftë, mbështesin më pak Ukrainën dhe lënë të kuptohet se nuk dihet se çfarë do të ndodhë më tej. Në të njëjtën kohë, po ata, Shtete të Bashkuara, duan të vendosin tarifa doganore për produktet që vijnë nga Evropa.
Së fundi, bota vazhdon të bëhet gjithnjë e më e dhunshme dhe kërcënimi terrorist mbetet i pandryshuar.
Në përgjithësi, mirëqenia dhe siguria jonë janë bërë më të pasigurta. Duhet ta pranojmë se po hyjmë në një epokë të re.
Lufta në Ukrainë tani ka më shumë se tre vjet që vazhdon. Që në ditën e parë kemi vendosur të mbështesim Ukrainën dhe të sanksionojmë Rusinë, dhe kemi bërë gjënë e duhur. Sepse jo vetëm populli ukrainas po lufton me guxim për lirinë e tij, por edhe siguria jonë është në rrezik.
Nëse një shtet mund të pushtojë një fqinj në Evropë pa asnjë pasojë, atëherë askush nuk mund të ndihet më i sigurt, dhe do të mbizotërojë ligji i më të fortit. Në këtë rast, paqja në kontinentin tonë nuk do të mund të garantohet. Historia na ka mësuar këtë.
Përtej Ukrainës, kërcënimi rus është i pranishëm dhe prek të gjitha vendet e Evropës, përfshirë edhe ne.
Rusia tashmë e ka kthyer konfliktin ukrainas në një konflikt global. Ajo ka sjellë në kontinentin tonë ushtarë nga Koreja e Veriut dhe pajisje iraniane, duke ndihmuar këto vende të armatosen edhe më shumë. Rusia e Presidentit Putin shkel kufijtë tanë për të vrarë kundërshtarët e tij, manipulon zgjedhjet në Rumani dhe Moldavi. Ajo organizon sulme kibernetike ndaj spitaleve tona për të bllokuar funksionimin e tyre. Rusia përpiqet të manipulojë opinionin tonë publik me gënjeshtra të shpërndara në rrjetet sociale. Dhe në thelb, ajo po teston kufijtë tanë në ajër, në det, në hapësirë dhe përmes teknologjisë.
Ky agresivitet nuk ka kufij: dhe ndërkohë, Rusia vazhdon të riarmatoset, duke shpenzuar mbi 40% të buxhetit të saj për këtë qëllim. Deri në vitin 2030, ajo planifikon të shtojë 300,000 ushtarë të tjerë, 3,000 tanke dhe 300 avionë luftarakë.
Kush mund të besojë, në këtë kontekst, se Rusia e sotme do të ndalet në Ukrainë?
Rusia është bërë, në momentin që flas dhe për vitet në vijim, një kërcënim për Francën dhe për Evropën. Më vjen jashtëzakonisht keq për këtë dhe jam i bindur se në një periudhë afatgjatë, paqja do të arrihet me një Rusi që do të jetë e qetësuar dhe paqësore. Por sot, ky është realiteti me të cilin duhet të përballemi.
Në këtë botë të mbushur me rreziqe, të qëndrojmë spektatorë do të ishte çmenduri. Duhet të marrim masa pa vonesë – për Ukrainën, për sigurinë e francezëve dhe për sigurinë e evropianëve.
Për Ukrainën, së pari.
Të gjitha përpjekjet që ndihmojnë paqen janë të mirëpritura dhe dua t’i përgëzoj. Ne duhet të vazhdojmë të ndihmojmë ukrainasit të rezistojnë, derisa ata të mund të negociojnë me Rusinë një paqe të qëndrueshme për ta dhe për ne. Kjo është arsyeja pse rruga drejt paqes nuk mund të kalojë përmes braktisjes së Ukrainës, por përkundrazi, përmes mbështetjes së saj më të madhe.
Paqja nuk mund të arrihet me çdo kusht dhe nën diktatin rus. Nuk mund të jetë kapitullimi i Ukrainës. Nuk mund të jetë kolapsi i saj. Nuk mund të jetë as një armëpushim i brishtë. Historia na ka mësuar tashmë se Rusia nuk respekton marrëveshjet. Prandaj, sot nuk mund të besojmë më premtimet e saj.
Ukraina ka të drejtë të jetojë në paqe dhe siguri, dhe kjo është edhe në interesin tonë. Prandaj, po punojmë me miqtë tanë britanikë, gjermanë dhe shumë vende të tjera evropiane për ta garantuar këtë.
Në javët e fundit, më keni parë të mbledh disa prej tyre në Paris, të takohem me ta në Londër, për të konsoliduar angazhimet tona ndaj Ukrainës. Dhe po, mund të jetë e nevojshme që forcat evropiane të vendosen në Ukrainë për të garantuar respektimin e paqes pas nënshkrimit të saj. Javën e ardhshme, do të mbledhim në Paris shefat e shtabeve të ushtrisë nga vendet që dëshirojnë të marrin këtë përgjegjësi.
Pavarësia jonë ushtarake dhe ekonomike
Nëse paqja në Ukrainë arrihet shpejt apo jo, vendet evropiane, përballë kërcënimit rus, duhet të jenë në gjendje të mbrohen më mirë.
Ne duhet të investojmë më shumë në mbrojtje, të rrisim aftësitë tona dhe të forcojmë pavarësinë tonë ushtarake.
Nesër, në Bruksel, në Këshillin e Jashtëzakonshëm Evropian me 27 liderët e BE-së, do të ndërmarrim hapa të rëndësishëm.
Vendimet e marra do të na lejojnë të rrisim shpenzimet ushtarake pa u llogaritur në deficitin e buxhetit tonë. Do të investojmë për të prodhuar më shumë armë dhe pajisje në tokën evropiane.
Francës i duhet të jetë lider.
Ne kemi ushtrinë më të fuqishme në Evropë dhe kemi aftësinë e frikësimit bërthamor. Kjo na mbron më shumë se shumicën e fqinjëve tanë. Por, përballë kërcënimeve të reja, duhet të bëjmë zgjedhje të reja dhe të investojmë më shumë.
Bashkë do të përballemi me sfidat.
Francezët e mi të dashur, ky është një moment vendimtar. Ne nuk duhet të biem në asnjë ekstrem – as në luftë, as në dorëzim.
Franca do të ndjekë vetëm një rrugë: rrugën e paqes dhe lirisë, në përputhje me historinë dhe vlerat e saj.
Evropa ka fuqinë ekonomike dhe ushtarake për të qenë e denjë për këtë epokë. Duhet të veprojmë të bashkuar, të mbrojmë veten dhe të jemi të vendosur.
Atdheu ka nevojë për ju, për angazhimin tuaj. Siguria jonë nuk mbështetet vetëm në politika apo buxhete, por mbi shpirtin e kombit tonë.
Ne nuk do të përfitojmë më nga ‘dividendët e paqes’ (përfitimet nga paqja). Por nëse veprojmë me vendosmëri, fëmijët tanë do të korrin frytet e angazhimit tonë.
Atëherë, do të përballemi, së bashku.
Rroftë Republika!
Rroftë Franca!
Burimi: https://www.elysee.fr/…/2025/03/05/adresse-aux-francais-6
Përktheu: AM