[Presidenti i Francës Emmanuel Macron, kryeministri i Polonisë Donald Tusk dhe kancelari gjerman Olaf Scholz. Foto: Zyra e Kancelarit Olaf Scholz, X]
Nga Aleksandra Krzysztoszek
(EurActiv) — Polonia mund të bëhet lideri politik i Evropës në mes të një kolapsi të afërt të qeverisë në Gjermani dhe një situate të paqëndrueshme politike në Francë, thotë kryetari i Varshavës Rafał Trzaskowski, ndërsa kryeministri Donald Tusk planifikon të takohet me liderët e BE-së dhe shefin e NATO-s për të diskutuar situatën në vijim pas fitores së Donald Trump-it në SHBA.
Trzaskowski, kandidati i mundshëm presidencial i Platformës Qytetare të Tusk (PO, EPP) në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, priti një tubim në Poznań të dielën, ku diskutoi, ndër të tjera, për implikimet e kthimit të Trump-it në Shtëpinë e Bardhë.
“Polonia mund të bëhet një lider politik i Bashkimit Evropian,” tha ai, duke treguar për rënien e afërt të koalicionit qeverisës të Gjermanisë dhe situatën e paqëndrueshme politike në Francë.
Duke komentuar pasojat e një fitoreje të Trump-it dhe duke adresuar shqetësimet se presidenti i ardhshëm i SHBA mund të tërhiqet nga angazhimet evropiane të mbrojtjes, Trzaskowski e quajti Trumpin “një person racional që flet si një biznesmen që merr përgjegjësinë për veten e tij”.
Trzaskowski kujtoi se Polonia është i vetmi anëtar i NATO-s që shpenzon “pothuajse 5% të BPK-së së saj” për mbrojtjen, duke e bërë atë “një model prijës në NATO dhe BE”. Polonia do të shpenzojë më shumë se 4% për objektivat e mbrojtjes në 2024, me perspektivën e shpenzimeve deri në 4.7% në 2025.
Trzaskowski komentoi gjithashtu deklaratën e deputetit të opozitës PiS (ECR), ish-ministri i mbrojtjes Mariusz Błaszczak, i cili më herët tha se qeveria e Tusk-ut duhet të japë dorëheqjen nëse Trump-i fiton zgjedhjet në SHBA, sepse, sipas Błaszczak-ut, ishte PiS-i, ai që qeveris Poloninë deri në 2023, që kishte marrëdhënie më të mira me Trump-in.
“Duhet të jemi pozitivë, është shenjë pjekurie. Për ne, më e rëndësishmja është që të kemi një aleancë me SHBA-në, jo me një apo një tjetër administratë dhe duhet të jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me çdo qeveri”, këmbënguli ai.
Kryebashkiaku i Varshavës vuri në dukje gjithashtu se Polonia është ekonomia e njëzet e njëta më e madhe në botë dhe së shpejti do të kërkojë të bashkohet me G20.
Tusk do të takohet me liderët e NATO-s dhe BE-së
Në të njëjtën kohë, Tusk-u do të takohet me homologët e tij evropianë dhe kreun e NATO-s për të diskutuar për të ardhmen e Evropës pas fitores së Trump-it.
Tusk-u tha se presidenti francez, Emmanuel Macron dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, do të vizitojnë Varshavën së shpejti dhe se ai do të takohet me kryeministrin britanik Keir Starmer ose në Varshavë ose në Londër. Kryeministri polak do të takohet gjithashtu me liderët nordikë dhe baltikë në Stokholm.
“Nuk ka dyshim se ky peizazh i ri politik është një sfidë serioze për të gjithë, veçanërisht në kontekstin e një përfundimi të mundshëm të luftës ruso-ukrainase si rezultat i një marrëveshjeje midis, për shembull, presidentit të Rusisë dhe presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara”, tha ai të shtunën.
Ai shtoi se do të koordinojë “shumë intensivisht” bashkëpunimin me vendet që “kanë një pikëpamje shumë të ngjashme për situatën gjeopolitike dhe transatlantike dhe situatën në Ukrainë”.
“Askush nuk dëshiron që konflikti të përshkallëzohet, dhe në të njëjtën kohë, askush nuk dëshiron që Ukraina të dobësohet apo edhe të kapitullojë; ky do të ishte një kërcënim themelor për Poloninë dhe interesat polake,” argumentoi kryeministri polak.
Tusk nuk specifikoi se kur do të zhvillohet takimi, por sigurisht jo të hënën ose të martën, pasi ai do të jetë jashtë detyrës deri të mërkurën për arsye mjekësore, sipas qendrës së informacionit të qeverisë (Përktheu: ISHGJ]