[21 qershor, 2024]
Të 32 vendet anëtarë të NATO-s kanë rënë dakord për kandidaturën e kryeministrit holandez, Mark Rutte, për të qenë Sekretari i ardhshëm i Përgjithshëm i NATO-s për të pasuar Jens Stoltenberg-un e Norvegjisë, raportoi Politico, duke shtuar se Rutte do të emërohet zyrtarisht gjatë një samiti në Uashington, në korrik.
“Mark Rutte do të jetë Sekretari i Përgjithshëm i ardhshëm i NATO-s pasi të 32 anëtarët e aleancës ranë dakord që kryeministri holandez në largim do të pasojë Jens Stoltenberg. Pas konfirmimeve të Hungarisë dhe Sllovakisë të martën, Rumania konfirmoi mbështetjen e saj për Rutte të enjten dhe presidenti rumun Klaus Iohannis tërhoqi kandidaturën e tij për postin drejtues të NATO-s”, shkruan portali.
Rutte do të pasojë Stoltenberg më 2 tetor për një mandat 5-vjeçar. Politico vë në dukje se një nga qëllimet kryesore të Rutte-s do të jetë rritja e shpenzimeve ushtarake të të gjitha vendeve anëtare në 2 për qind të PBB-së, ndërkohë që ai nuk arriti t’i sjellë shpenzimet ushtarake holandeze në atë shifër kur ishte kryeministër. Sipas të dhënave të NATO-s, Holanda këtë vit do të arrijë vetëm shifrën prej 2%. Në përgjithësi, 23 nga 32 shtete anëtarë do të arrijnë këtë prag këtë vit.
Politikanët evropianë i frikësohen më pak ndihmës së SHBA-së për anëtarët evropianë nëse Trump bëhet president. Megjithatë, Rutte u takua me Trump-in në disa raste në pozicionet e tij të mëparshme. Gordon Sondland, i cili shërbeu si ambasador i Trump-it në Bashkimin Evropian, i tha Politico-s se, Rutte “kishte një histori kundërpërgjigjeje, kur mendonte se Trump e kishte gabim dhe ai e bënte atë në fytyrë. Mendoj se është një rifreskim i madh për Trump-in”, shtoi ai. [GN/ISHGJ]