Delegacioni amerikan dhe ai rus në Riad.
Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) ka bërë të ditur se takimi i delegacionit amerikan me atë rus në Riad të Arabisë Saudite, ka përfunduar pas mbi katër orësh.
Një zëdhënës i DASH-it ka thënë se palët janë pajtuar për të vazhduar bashkëpunimin në çështje të interesit të përbashkët gjeopolitik, për mundësi ekonomike dhe mundësi për investime, që dalin nga dhënia fund e luftës së Moskës në Ukrainë.
Yuri Ushakov, këshilltari për politikë të jashtme i presidentit rus, Vladimir Putin, ka thënë të martën se takimi ka qenë i sukseshëm.
Ushakov ka thënë se palët janë pajtuar për kushtet e një takimi mes Putinit dhe presidentit amerikan, Donald Trump.
Ai ka thënë se një takim mes dy liderëve nuk ka mundësi të zhvillohet javën tjetër, dhe se nuk ekziston një datë konkrete për takimin.
Sipas tij, dy palët do t’i formojnë ekipet e tyre negociatore për të pasur kontakt në kohën e duhur.
Pala amerikane – që përbëhej nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, Këshilltari për Siguri Kombëtare, Mike Waltz dhe i dërguari i posaçëm amerikan për Lindje të Mesme, Steve Wikoff – ka thënë paraprakisht se takimi i sotëm nuk ka të bëjë me nisje të negociatave, mirëpo për të parë nëse Rusia është “serioze” në dhënien fund të luftës në Ukrainë.
Pala ruse – e përbërë nga ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe Yury Ushakov, këshilltar për politikë të jashtme i presidentit rus, Vladimir Putin – ka thënë se prioritet do të ketë normalizimi i marrëdhënieve me SHBA-në.

Pamje nga takimi në Riad.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky nuk është ftuar për të marrë pjesë në bisedime dhe ka thënë se Kievi nuk do të njohë asnjë marrëveshje të arritur për Ukrainën, kur Ukraina të mos jetë prezente në tavolinën e negociatave.
Zelensky aktualisht është në një vizitë në Lindje të Mesme, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite dhe Turqinë. [REL]