[ 26 shtator 2024]
Pentagoni ka rekomanduar që Shtëpia e Bardhë të fillojë furnizimin e Kievit me municione me fosfor të bardhë, raportoi NBC, duke cituar zyrtarë amerikanë. Sipas burimeve, zyrtarë të lartë të Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-së kanë propozuar dërgimin e predhave të fosforit të bardhë si pjesë e paketave të fundit të ndihmës ushtarake në Ukrainë. Pavarësisht rekomandimeve, Shtëpia e Bardhë thuhet se e ka hedhur poshtë vazhdimisht këtë ide.
Fosfori i bardhë përdoret në një sërë aplikimesh ushtarake, duke përfshirë bomba ajrore, predha artilerie dhe mina. Edhe pse konsiderohet një armë konvencionale, përdorimi i saj rregullohet nga Protokolli 3 i Konventës së OKB-së mbi Disa Armë Konvencionale të vitit 1980, i cili ndalon përdorimin e mjeteve ndezëse kundër civilëve dhe objekteve civile, si dhe kundër objektivave ushtarake në zonat civile.
Për vite të tëra, organizatat e të drejtave të njeriut kanë kërkuar që municionet me fosfor të bardhë të klasifikohen si armë kimike për shkak të efekteve të tyre potencialisht të tmerrshme mbi njerëzit dhe mjedisin. Rekomandimi i Pentagonit vjen në një kohë kur Ukraina kërkon të forcojë aftësitë e saj ushtarake në konfliktin me Rusinë, ndërsa SHBA përballet me çështje komplekse të etikës dhe ligjit ndërkombëtar në kontekstin e ofrimit të ndihmës ushtarake. [GN/ISHGJ]