[13 shtator 2024]
Kundërsulmi rus kundër forcave ukrainase në rajonin e Kurskut, i cili filloi më 6 gusht pas inkursionit ukrainas përtej kufirit, në këtë fazë vlerësohet si “margjinal”, tha zëdhënësi i Pentagonit, gjeneralmajor Pat Ryder në një konferencë për shtyp të enjten, siç raportohet nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes.
Edhe pse Rusia ka nisur një kundërsulm për të rimarrë kontrollin e territorit të kërcënuar, Ryder theksoi se situata ende kërkon analizë të afërt.
Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, deri më 12 shtator forcat ruse kishin rifituar kontrollin e 10 vendbanimeve, por këto pretendime nuk mund të konfirmoheshin në mënyrë të pavarur, raportoi Kyiv Independent. Ryder shtoi: “Ne po shohim përpjekje nga njësitë ruse për të kryer një lloj kundërofensivë në rajonin e Kurskut, por aktualisht ndikimi i këtyre veprimeve është minimal. Megjithatë, ne jemi duke monitoruar nga afër zhvillimin e ngjarjeve”.
Zelensky është i bindur për suksesin e strategjisë ukrainase
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky vuri në dukje se situata po shkon sipas planit të Kievit dhe se ushtria ukrainase ka mbajtur kontrollin mbi më shumë se 1300 kilometra katrorë dhe rreth 100 vendbanime brenda rajonit të Kurskut që nga 6 shtatori.
Sipas burimeve ukrainase, qëllimi i operacionit ishte shpërqendrimi i forcave ruse nga Donbasi dhe parandalimi i sulmeve të mëtejshme ndërkufitare nga rajoni i Kurskut. Ryder theksoi rëndësinë e sigurimit të burimeve të nevojshme për ushtrinë ukrainase në vijat e frontit. Sipas tij, nevojat kryesore përfshijnë automjete të blinduara dhe municione artilerie, të cilat do të ndihmonin forcat ukrainase të mbajnë iniciativën dhe të parandalojnë operacionet ruse, përfshirë ato në rajonin e Kurskut.
Në të njëjtën kohë, Ryder theksoi se SHBA do të vazhdojë të monitorojë nga afër situatën dhe të përgjigjet sipas nevojës për të mbështetur përpjekjet e Ukrainës. “Pra, në fund do të varet nga mënyra se si ukrainasit i angazhojnë këto forca teksa hartojnë planet e tyre të fushatës. Por sigurisht, fokusi ynë është të sigurohemi që ata të fitojnë dhe të kenë një avantazh kurdo që vendosin e duan të shkojnë në tryezën e negociatave”, tha Ryder. [GN/ISHGJ]