Patriarku Porfirije: “Qëndrimi ynë, sa i përket Kosovës, Republikës Serbe dhe Malit të Zi, mendoj dhe ndiej që varet edhe nga qëndrimi i Federatës Ruse në nivel global. Dëshira ime dhe e shumicës në kishën tonë është që nëse ndodh ndonjë ndarje e re gjeopolitike, TË JEMI SA MË AFËR NË ATË MJEDIS RUS.”
Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe (KOS), Porfirije, i cili ndodhet në një vizitë disa ditore në Moskë të Rusisë, u takua më 22 prill me presidentin rus, Vladimir Putin, njoftoi Kisha Ortodokse Serbe dhe shërbimi për shtyp i presidentit rus.
Në takim, sipas njoftimit, morën pjesë edhe peshkopo i Baçkës, Irinej, dhe peshkopi i Volokolamskut, kryetar i Departamentit për Marrëdhënie të Jashtme të Kishës, Antonie.
“E di që Kisha Ortodokse Serbe jep një kontribut të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet popujve tanë, të cilët tradicionalisht ruajnë marrëdhënie të ngrohta, të afërta dhe aleate të mbushura me besim”, i tha Putin patriarkut Porfirije, sipas deklaratës së shërbimit rus për shtyp.

[Foto: Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, me patriarkun e Kishës Ortodokse Ruse, Kiril, në Moskë, 22 prill 2025.]
Më poshtë po sjellim pjesë nga transkripti i takimit.
V. Putin: Shenjtëria Juaj!
Më lejoni t’ju përshëndes përzemërsisht në Moskë, si edhe në këto ndejtore –, ku ka një atmosferë të veçantë.
Jemi shumë të gëzuar që ju shohim.
E di që Kisha Ortodokse Serbe jep një kontribut të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve midis popujve tanë, të cilët tradicionalisht kultivojnë marrëdhëniet aleate më të ngrohta, më të afërta dhe më të besueshme.
Më lejoni t’ju uroj festën e Ngjalljes së Shenjtë. Kjo është një festë e përbashkët e ndritshme për ne.
E kam thënë tashmë se marrëdhëniet ruso-serbe gjithmonë kanë një karakter të veçantë, kështu është edhe sot. Kjo është, ndër të tjera, sepse na lidhin rrënjë të forta, të thella, shpirtërore të përbashkëta.
Gjithmonë jemi të gëzuar kur ju shohim. Më 9 maj presim presidentin e Serbisë [Aleksandar Vuçiç] në Moskë, në ceremonitë kushtuar Fitores në Luftën e Madhe Patriotike.
E dimë që situata në Ballkan nuk është e lehtë, dhe e dimë për përpjekjet tuaja në forcimin e pozitës së Serbisë, përfshirë edhe rëndësinë e Kuvendit Gjithëserb që keni mbajtur.
Jemi gjithmonë të gëzuar kur ju shohim. Mirë se erdhët!
Patriarku Porfirije: Zotëri President, më falni, do të them disa fjalë – nuk flas aq mirë rusisht, por e kuptoj gjithçka. Me mua është edhe Imzot Irinej, i cili flet shumë mirë rusisht.
…
Ju e dini dhe vetë e thatë që në të kaluarën marrëdhëniet ndërmjet kishave tona kanë qenë gjithmonë marrëdhënie dashurie dhe bashkëpunimi …
Patriarku Kiril: Ashtu është!
Patriarku Porfirije: Pararendësit e mi – patriarkët e Kishës Serbe – në të kaluarën kanë qenë gjithmonë të lidhur me patriarkët e Kishës Ruse.
Edhe pararendësi im, Shenjtëria e Tij, Patriku Irinej, thoshte që varka jonë e vogël, duke lundruar në det të trazuar, gjithmonë duhet të jetë e lidhur me anijen e madhe ruse.
…
Duhet të them, që ta dini – edhe pse ju tashmë e dini – por duhet ta themi përsëri, që populli serb e sheh popullin rus si një të vetëm. Ndonjëherë ndodh që shpresa e serbëve është e madhe, një shpresë që varet më shumë nga Rusia, nga politika ruse, sesa nga ajo serbe.
Ndoshta është paradoks. Para dy javësh isha në Jeruzalem dhe bisedova me patriarkun jeruzalemas, folëm gjatë. Nuk e dinte që do të vija në Moskë. Dhe kur folëm për ortodoksinë në nivel global, më tha: ne, ortodoksët, kemi një avantazh.
E pyeta: cili?
Më tha: Vladimir Putin. Këto fjalë thonë gjithçka.
Ju lutem që të mbani atë qëndrim dhe të bëni gjithçka që është e mundur. Sepse – pavarësisht nga politika, nga njerëzit, nga lajmet që kemi – PA KOSOVËN, MUND TË THEM, DHE PA REPUBLIKËN SERBE, POPULLI SERB ËSHTË PA PERSPEKTIVË.
Duhet të theksoj se u jemi mirënjohës për gjithçka që lidhet me mbështetjen dhe qëndrimin tuaj PËR KOSOVËN DHE REPUBLIKËN SERBE, DHE NATYRISHT PËR MALIN E ZI – sepse atje është populli ynë, kisha jonë.
Ju e dini shumë mirë që pa mbështetjen tuaj dhe të Kinës, nuk e di se çfarë do të ndodhte me Kosovën.
Natyrisht, kemi marrëdhënie shumë të mira me presidentin, dhe ai ju ka dërguar përshëndetje dhe më tha që më 9 maj do të jetë këtu, pavarësisht nga rrethanat në Evropë e kështu me radhë.
Qëndrimi ynë, sa i përket Kosovës, Republikës Serbe dhe Malit të Zi, mendoj dhe ndiej që varet edhe nga qëndrimi i Federatës Ruse në nivel global. Dëshira ime dhe e shumicës në kishën tonë është që nëse ndodh ndonjë ndarje e re gjeopolitike, TË JEMI SA MË AFËR NË ATË MJEDIS RUS.
Mitropoliti Irinej: Në botën ruse.
Patriarku Porfirije: Po, në botën ruse, në botën ortodokse. Për ortodoksinë kemi biseduar me Shenjtërinë e Tij patriarkun, kjo ishte, për të thënë thjesht. Edhe tek ne këto ditë ka revolucion. Si i thonë?
Mitropoliti Irinej: I ngjyrosur.
Patriarku Porfirije: Revolucion i ngjyrosur, ju e dini këtë. Shpresoj që do ta kalojmë këtë sprovë, siç thuhet. Sepse e dimë dhe e ndiejmë që qendrat e fuqisë nga Perëndimi nuk duan të zhvillojnë identitetin dhe kulturën e popullit serb.
Faleminderit juve, dhe Zoti ju dhëntë forcë e mençuri. Lutjet tona janë gjithmonë me ju dhe shpresoj se Zoti ju ndihmon.
V. Putin: Shenjtëria Juaj, folët për identitetin. Me këtë merret kisha në përgjithësi, dhe Kisha Ortodokse Ruse nën udhëheqjen e Shenjtërisë së Tij, Patriarkut të Moskës dhe të gjithë Rusisë. Shenjtëria e Tij Patriarku bën shumë përpjekje për të forcuar vlerat tona tradicionale, parimet tona shpirtërore.
Dhe gjithmonë, kur takohemi, përmendim dhe flasim për vëllezërit tanë të fesë ortodokse, dhe ky është qëndrimi i Shenjtërisë së Tij. Jemi të bindur që edhe në bisedat me ju ai gjithmonë flet për këtë.
…
Patriarku Kiril: I shumënderuari Vladimir Vladimiroviq!
Jam shumë i gëzuar që ky takim u mbajt dhe që do të mbahet.
Nga të gjitha kishat ortodokse autoqefale, Kisha Serbe është më afër Kishës Ruse – për nga kultura, për nga gjuha. Edhe kur flasim për historinë: vendet tona kurrë nuk kanë luftuar kundër njëra-tjetrës, dhe nëse kanë luftuar, e kanë bërë krah për krah kundër një armiku të përbashkët.
… kjo dashuri ndaj rusëve, ndaj popullit rus, ndaj Kishës Ruse, është e rrënjosur organikisht në kulturën e Serbisë, të popullit serb. Prandaj, ata janë për ne miqtë më të afërt, vëllezërit tanë – për nga shpirti dhe filozofia e jetës.
Kjo ka një rëndësi të madhe: si kur flasim së bashku për probleme, ashtu edhe kur takohemi në platforma ndër-ortodokse. Kisha Serbe është kisha më e afërt me ne. Dhe këtë nuk e them vetëm sepse është këtu Patriarku Serb…
Dhe po të marrim historinë, populli serb dhe Kisha Serbe kurrë nuk e kanë tradhtuar Rusinë. Disa vende sllave, nuk do t’i përmendim, nën ndikimin e fuqive ushtarake perëndimore e kanë ndryshuar orientimin e tyre për një periudhë, më vonë janë penduar, por e kanë ndryshuar.
Serbët nuk e kanë bërë kurrë këtë. AJO DASHURI NDAJ RUSISË, NDOSHTA, ËSHTË RRËNJOSUR NE GJENET E POPULLI SERB.