[Në foto: Presidenti i SHBA Donald Trump, homologu i tij francez Emmanuel Macron dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në Paris më 7 dhjetor.]
Askush nuk ka paralajmëruar më shumë për skenarin e një tërheqjeje amerikane nga Evropa sesa Presidenti francez. A do të marrë vendi i tij tani drejtimin në ruajtjen e paqes?
Nga Daniel Steinvorth [nzz]
Për një gjë që nuk mund t’i fajësohet Emmanuel Macron është se presidenti francez nuk është përpjekur vazhdimisht të inkurajojë homologët e tij evropianë që të bëhen më të pavarur në politikën e sigurisë dhe të rrisin kapacitetin e tyre ushtarak. Macron-i ka kërkuar prej vitesh që vendet evropiane duhet të shpenzojnë më shumë para për armatimet e tyre, se nuk duhet të kapen pas SHBA-së në “bindje të verbër” dhe se duhet të bëhen “ strategjikisht autonom”.
Evropianët e tronditur
Pas njoftimit të presidentit amerikan Donald Trump se do të zhvillonte bisedime dypalëshe me liderin rus Vladimir Putin për paqen në Ukrainë, kreu i shtetit francez ka të ngjarë të ndihet i justifikuar. As Ukraina dhe as qeveritë më të rëndësishme evropiane nuk ishin informuar paraprakisht për lëvizjen e Trump-it. Në një takim të Ukrainës në Paris, të mërkurën, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas dhe ministrat e jashtëm të Gjermanisë, Francës, Polonisë, Italisë, Spanjës, Britanisë së Madhe dhe Ukrainës u ndjenë të ofenduar.
Diplomatët kishin pohuar në një deklaratë se ata do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën derisa të arrihet një “paqe e drejtë, gjithëpërfshirëse dhe e qëndrueshme”. Ata gjithashtu njoftuan se do të “diskutojnë për veprime të mëtejshme së bashku me aleatët tanë amerikanë”. Por më pas lajmi i telefonatës mes Trump-it dhe Putin-it shpërtheu dhe ishte edhe objekt në bisedimet e Parisit. Aty u bë e qartë se amerikanët ishin relativisht indiferentë ndaj qasjes evropiane. Administrata Trump dëshiron t’i bëjë lëshime të gjera Putinit në negociatat e paqes. Ukraina duhet të heqë dorë nga territori dhe të mos anëtarësohet në NATO.
Në Paris, raundi i ministrave të jashtëm u nda i zhgënjyer, ndërsa Macron paralajmëroi në një intervistë me Financial Times për pasojat e rënda të një paqeje të diktuar për Ukrainën. Një paqe që do të përbënte kapitullim do të ishte “lajm i keq për të gjithë”, përfshirë Shtetet e Bashkuara, tha presidenti francez. Për të, pyetja e vetme në këtë pikë është nëse Putini është në të vërtetë i përgatitur për të rënë dakord për një armëpushim mbi këtë bazë. Megjithatë, Macron-i tha se, ai pranoi se Evropa ishte përgjegjëse për sigurinë e Ukrainës: “Ajo që Trump-i po i thotë Evropës është se, ju takon ju të mbani barrën. Dhe unë them se na takon ne ta marrim përsipër.”
Macron-i përdori gjithashtu intervistën për t’i bërë thirrje edhe një herë ndërgjegjes së evropianëve që më në fund të marrin në duart e tyre sigurinë në kontinent. Ai e quajti njoftimin e Trump-it një “goditje shoku elektrik”, por me efekte shëruese. Nuk është asgjë e re që SHBA po tërhiqet nga Evropa dhe po e drejton fokusin e politikës së saj të sigurisë në Azi dhe se modeli – gazi i lirë rus për ekonominë, një ombrellë e politikës së sigurisë nga Uashingtoni dhe një treg i madh shitjesh në Kinë – nuk funksionon më.
Paqeruajtësit francezë?
Megjithatë, rekordi diplomatik i vetë Francës në konfliktin e Ukrainës duket më se modest. Macron kishte folur me Putinin në telefon disa herë në prag të luftës dhe, edhe pas pushtimit rus të Ukrainës, u kërkoi aleatëve të mos “poshtëronin Rusinë”. Ai më vonë u shndërrua në një skifter, madje duke sugjeruar vendosjen e trupave tokësore perëndimore në Ukrainë. Në fillim të dhjetorit, Macron-i ftoi të sapozgjedhurit Trump dhe Volodymyr Zelensky në rihapjen e Katedrales Notre Dame në Paris. Por as Trumpi dhe as Putin-i nuk e shohin francezin si një aktor të rëndësishëm.
Megjithatë, Parisi e sheh veten si duke luajtur një rol kyç. Ka bisedime me Londrën dhe Varshavën për dërgimin e trupave paqeruajtëse evropiane – megjithëse sipas presidentit ukrainas Selensky, të paktën 200,000 ushtarë do të nevojiteshin për të siguruar një armëpushim në vendin e tij. Eksperti francez i sigurisë, Majid Golpour, beson se Franca tashmë e ka hapur rrugën për këtë duke furnizuar avionë luftarakë Mirage dhe duke trajnuar forcat ukrainase.
Sipas Golpour-it, kapaciteti për këtë ekziston edhe sepse Franca tashmë e ka tërhequr pothuajse plotësisht praninë e saj ushtarake nga Afrika. Megjithatë, popullsia franceze do të ishte mjaft kritike për përfshirjen e drejtpërdrejtë të vendit të tyre në luftën në Ukrainë: kur Macron-i së fundmi paraqiti mundësinë e përdorimit të trupave tokësore, 76 për qind e të anketuarve ishin kundër saj.
Për presidentin francez, siguria e Ukrainës shkon paralelisht me zhvillimin e një industrie të pavarur evropiane të mbrojtjes. Ai ka mbrojtur prej kohësh projekte të përbashkëta për armatim dhe u bëri thirrje evropianëve që të blejnë më pak armë amerikane dhe në vend të kësaj të mbështeten në sistemet e tyre, siç është sistemi i mbrojtjes ajrore francezo-italiane SAMP/T. Për të financuar investimet, Franca, e cila vetë po përballet me borxhin e lartë kombëtar, po kërkon një borxh të përbashkët, i cili, megjithatë, po has në rezistencë të konsiderueshme në vendet e tjera evropiane. [Përktheu: ISHGJ]