[27 shtator 2024]
Jo shumë kohë pas fjalimit dramatik të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, autorizoi personalisht përmes telefonit një sulm ajror të fuqishëm në Dahieh, një periferi jugore të Bejrutit.
Një re e dendur tymi u ngrit mbi kryeqytetin libanez, ndërsa mediat raportuan gjashtë shpërthime të fuqishme që u dëgjuan në të gjithë qytetin. Sipas raportimeve, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) konfirmuan se objektivi i sulmit ishte selia ushtarake e Hezbollahut në zonë. Ky është bombardimi më i madh i Bejrutit që nga fillimi i armiqësive midis Izraelit dhe Hezbollahut, dhe kjo ishte hera e pestë në një javë që Izraeli sulmoi kryeqytetin libanez.
Pavarësisht raporteve fillestare se lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah ishte objektivi i një sulmi izraelit, Reuters dhe AFP tani po raportojnë, duke cituar burime pranë Hezbollahut, se ai është gjallë dhe i padëmtuar. Forcat izraelite të mbrojtjes (IDF) pretendojnë se kanë kryer një goditje të saktë në selinë e Hezbollahut, por lëvizja e rezistencës libaneze pretendon se asnjë nga drejtuesit e lartë të organizatës nuk u vra në këtë sulm.
Burime pranë Hezbollahut konfirmuan për AFP se sulmi rrafshoi gjashtë ndërtesa në Dahieh. Sipas zëdhënësit të IDF, Daniel Hagari, selia e Hezbollahut u vendos qëllimisht nën ndërtesa rezidenciale civile, gjë që ai pretendon se është pjesë e strategjisë së organizatës militante për të përdorur civilët si mburoja njerëzore. “Izraeli po bën atë që do të bënte çdo shtet sovran nëse do të kishte një organizatë terroriste në kufirin e tij që kërcënon ta shkatërrojë atë”, tha Hagari, duke theksuar se këto sulme janë të nevojshme për të mbrojtur popullsinë izraelite dhe për të garantuar sigurinë e familjeve izraelite. [GN/ISHGJ]