[24 tetor, 2024]
Në seancën e tij konstituive të sotme, parlamenti austriak zgjodhi Walter Rosenkranz-n, një politikan nga Partia Populiste e djathtë e Lirisë së Austrisë (FPÖ), për kryetar të parlamentit, raporton Reuters.
100 nga gjithsej 162 përfaqësues në Këshillin Kombëtar (Nationalrat), siç quhet parlamenti në Austri, votuan për Walter Rosenkranz.
Në zgjedhjet në fund të shtatorit, FPÖ fitoi 28.85 për qind të votave, duke dalë kështu përpara Partisë Popullore Austriake (ÖVP) që siguroi vendin e dytë, e cila u zgjodh nga 26.3 për qind e votuesve. Partia Social Demokrate e Austrisë (SPÖ) u radhit në vendin e tretë me 21.1 për qind.
Presidenti i FPÖ-së, Herbert Kickl, tha në debatin para zgjedhjes së Kryetarit të Parlamentit se zgjedhjet nuk duhet të udhëhiqen nga “zakonet parlamentare”, por nga përmbushja e vullnetit të votuesve që treguan besimin e tyre për FPÖ në këto zgjedhje.
Presidenti ia ofroi mandatin partisë së dytë
Presidenti i ÖVP-së dhe kancelari aktual, Karl Nehammer, nuk u rekomandoi përfaqësuesve të Partisë së tij Popullore se për kë duhet të votonin para votimit. Kryetari aktual i fraksionit parlamentar të Popullorëve, August Woeginger, ka bërë të ditur se do të votojë për kandidatin e FPÖ si partia më e fortë në parlament.
Pak ditë më parë, presidenti austriak, Alexander van der Bellen, i besoi Nehammer-it mandatin për të formuar qeverinë, pasi kreu i liberalëve të djathtë, Kickl, nuk arriti të gjente një partner koalicioni. Në seancën konstituive të parlamentit është diskutuar edhe vendimi i Van der Bellen për të mos i besuar mandatin kryetarit të partisë fituese të zgjedhjeve, por partisë së dytë.
Kickl tha se në zgjedhje qytetarët shprehën dëshirën e tyre për ndryshim “si politikisht ashtu edhe në aspektin personel”.
Përfaqësuesit e komunitetit izraelit, Komiteti për Kujtimin e Kampit të Përqendrimit Mauthausen dhe Arkivi Dokumentar i Lëvizjes së Rezistencës Austriake paralajmëruan përpara zgjedhjes së Kryetarit të Parlamentit, i cili sipas Kushtetutës është posti i dytë më i lartë politik në vend, për sfondin politik të Rosenkranz-it dhe anëtarësimin në një shoqatë nacional-konservatore. [GN/ISHGJ]