Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës gjatë stërvitjes “DEFENDER-Europe 21”, në Gjakovë, më 28 maj 2021.
Rreth 12.000 trupa ushtarake nga Shtetet e Bashkuara dhe nga vendet aleate të saj, përfshirë Kosovën, janë mbledhur në Ballkan, në kuadër të fazës së dytë të stërvitjes “DEFENDER 25”, të udhëhequr nga ushtria amerikane.
Ushtrimi, i quajtur “Immediate Response 25”, që zhvillohet nga 26 maji deri më 9 qershor, ka për qëllim të testojë se “sa shpejt dhe sa efektshëm” mund të dislokohen trupat amerikane në Evropë për ta mbrojtur Krahun Lindor të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) me aleatët dhe me partnerët.
Kosova është një ndër tetë vendet ku do të zhvillohet stërvitja që, sipas Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara, synon të forcojë mbrojtjen kibernetike dhe të demonstrojë kapacitetet e sigurisë të SHBA-së dhe aleatëve.
Pjesë të ushtrimit do të mbahen edhe në Shqipëri, Bullgari, Kroaci, Greqi, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Sllovaki.
Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka thënë se, gjatë periudhës sa do të zgjatë stërvitja ushtarake, në Kosovë “do ketë lëvizje të konvojeve nga vendbazimet e Forcës së Sigurisë së Kosovës në drejtim të rajonit të Gjakovës, saktësisht Aeroportit të Gjakovës dhe poligonit ushtarak në Babaj të Bokës”.
FSK-ja, sipas ministrit në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, “do të tregojë gatishmërinë operacionale dhe shkallën e ndërveprueshmërisë luftarake me vendet partnere dhe të rajonit”.
Ndërkaq, Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë ka thënë se “forcat e NATO-s dhe partnere do të stërviten në Shqipëri dhe Kosovë për mbrojtjen e objekteve kritike, operacione sulmuese dhe mbrojtëse, si dhe për sigurinë në pika kyçe dislokimi”.
Ministri shqiptar i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka pohuar se ky është “një test i ndërveprueshmërisë dhe një mesazh i qartë: NATO është e bashkuar”. [REL]
Ç’është Defender Europe?
“DEFENDER 25” është stërvitja më e madhe e ushtrisë amerikane në Evropë, me përfshirjen e më shumë se 25.000 trupave nga SHBA-ja dhe 25 vende aleate dhe partnere.
Defender Europe 25 është ushtrimi më i madh që Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës realizon në kontinentin e Evropës.
Ushtrimi Defender 25 po shtrihet në tre zona gjeografike të Evropës, në Evropën veriore, Evropën qendrore dhe Evropën juglindore ku hynë edhe vendi ynë. Në tre këto zona në ushtrime po zhvillohen në kuadër të Defender 25 angazhohen 25 000 ushtarakë nga 29 shtete të NATO-s dhe vendeve partnere.
Në zonën e Evropës juglindore ku hynë edhe Kosova po marrin pjesë 12 000 ushtarakë nga 19 shtete.
Republika e Kosovës është vend nikoqir në mesin e 18 vendeve nikoqire dhe Forca e Sigurisë së Kosovës po merr pjesë me përafërsisht 1000 trupa në ushtrimet që do të zhvillohen në Kosovë, Shqipëri, Kroaci dhe Maqedoni të Veriut.
Republika e Kosovës është vendi i përzgjedhur nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku është vendosur komanda e Divizionit 28 të këmbësorisë. Nga baza e FSK-së në Aeroportin e Gjakovës, kjo komandë taktike amerikane po udhëheqë me të gjitha brigadat në regjionin e Evropës Juglindore.
Përveç komandës së Divizionit 28 në Zonën e Trajnimit në Babaj të Bokës njësiteve të FSK i’u bashkëngjiten edhe njësi ushtarake të Gardës së IOWA, njësi dhe personel nga Republika e Shqipërisë, Republika e Kroacisë, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria.
Pjesa e ushtrimit që zhvillohet në Kosovë do të zgjasë deri më 9 qershor dhe do të zhvillohet në pjesën perëndimore të vendit tonë.
Gjatë këtij ushtrimi njësitë e FSK-së po zhvillojnë operacione sulmuese, mbrojtëse dhe të stabilitetit. Në ushtrim përveç tjerash do të ketë edhe qitje me zjarr të vërtetë me sistemet e armëve të blera dhe që po vazhdojnë të blihen nga Qeveria e Kosovës për ushtrinë tonë.
Republika e Kosovës dhe institucionet e saj po dëshmojnë që janë të afta për të mikpritur dhe për të organizuar në territorin e saj ushtrime komplekse që kërkojnë planifikim, organizim dhe mbështetje të nivelit shumë të lartë.
Pamje nga ky trajnim masiv:






