Ministri gjerman i Mbrojtjes në largim, Boris Pistorius (SPD), dje ishte jashtëzakonisht i ashpër ndaj Rusisë, duke deklaruar se Gjermania është kthyer në shënjestër të sulmeve hibride ruse. “Putini po merret me sulme hibride dhe Gjermania është veçanërisht në fokus. Ai na njeh mirë, Putini di se si të na godasë,” i tha Pistorius një media gjermane, duke shtuar se “është një kombinim i operacioneve klasike ushtarake, presionit ekonomik, sulmeve kompjuterike dhe propagandës në media dhe rrjetet sociale”, dhe se qëllimi i sulmuesve është destabilizimi i shoqërisë.
“Duhet të përgatitemi në mënyrë që të përballemi me siguri me kërcënimin e Putinit. “Nëse ne injorojmë një kërcënim sepse nuk jemi rehat, ai nuk do të bëhet më i vogël, do të bëhet më i madh.” Shefi gjerman i mbrojtjes shtoi se ata duhet të bëjnë gjithçka në fuqinë e tyre për të parandaluar strategjinë e Putinit.
Nga ana tjetër, sot ambasadori rus në Gjermani, Sergej Nechaev, i ka dhënë një lloj përgjigje deklaratave të Pistorius. Në një intervistë me agjencinë shtetërore ruse TASS, ai tha se pala ruse ia bën të qartë Berlinit se çdo veprim armiqësor kundër Rusisë nuk do të mbetet pa përgjigje – kjo vlen edhe për dërgesat e mundshme të raketave Taurus në Kiev dhe planet për vendosjen të raketave amerikane me rreze të mesme dhe të shkurtër (INF) në Gjermani.
Diplomati rus theksoi se “edhe rusofobët më të ngurtësuar pranojnë se Wunderwaffe (arma mrekullibërse) nuk ekziston dhe se Taurus nuk do ta ndryshojë situatën në fushën e betejës”. Ai kujtoi se kancelari Olaf Scholz refuzon t’i dorëzojë këto sisteme luftarake Kievit, duke konsideruar se një hap i tillë do të nënkuptonte përfshirjen e drejtpërdrejtë të Gjermanisë në konflikt.
“Socialdemokratët po diskutojnë mundësinë e rregullimit të këtij ndalimi në marrëveshjen e re të koalicionit, nëse ndodh që të marrin pjesë në marrëveshjen në fjalë,” vuri në dukje Neçajev. Megjithatë, sipas tij, “kjo linjë (SPD) ka shumë kundërshtarë”, të cilët, përkundrazi, do të mirëprisnin dorëzimin e Taurus-it për Kievin.
“Ne nuk marrim pjesë në këtë debat të brendshëm gjerman, nuk ndërhyjmë në debatet zgjedhore, por e bëjmë të qartë se çdo veprim armiqësor i Berlinit ndaj Rusisë nuk do të mbetet pa përgjigje”, tha ambasadori. “Kjo i referohet edhe përdorimit të mundshëm të Taurus-it dhe planeve për vendosjen e raketave amerikane INF në territorin gjerman”, – tha Neçajev dhe shtoi se “është i sigurt se gjermanët e kuptojnë këtë”.
Duke komentuar deklaratat e disa politikanëve perëndimorë për dërgimin e “paqeruajtësve” në Ukrainë në rast të një armëpushimi, Neçajev kujtoi se udhëheqja ruse ka deklaruar vazhdimisht se prania e trupave të huaja atje, veçanërisht trupave të NATO-s, është “e papranueshme dhe jo objekt diskutimi”.
“Në disa kryeqytete evropiane flitet gjithnjë e më shumë për “paqeruajtësit” dhe “ngrirjen” e konfliktit, gjë që, për mendimin tim, pasqyron vetëdijen për sukseset e dukshme të forcave të armatosura ruse në vijën e parë dhe përkeqësimin e pozicionieve të regjimit të Zelenskit. theksoi Neçajev.
Kujtojmë se së fundmi ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock, nuk përjashtoi dërgimin e forcave paqeruajtëse nga Gjermania në Ukrainë në rast të armëpushimit, në takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s në Bruksel. [GN/ISHGJ]