[Senatori Marco Rubio]
Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, zgjodhi më 13 nëntor senatorin Marco Rubio si kryediplomat të tij, në kohën kur administrata e ardhshme po përgatitet të navigojë nëpër një botë gjithnjë e më të rrezikshme – me luftëra në Evropë dhe Lindje të Mesme, si dhe me një konkurrencë në rritje të Kinës në Azi-Paqësor.
Me zgjedhjen e Rubios – senator i njohur për qëndrime të ashpra në shumë çështje të politikës së jashtme – Trump kërkoi dikë që ndan kryesisht pikëpamjet e tij për temat më urgjente ndërkombëtare, thotë Behnam Ben Taleblu, analist në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive, me bazë në Uashington.
“Rubio është dikush që ka përafrim ideologjik dhe politik me Trumpin për disa çështje të rëndësishme të sigurisë kombëtare, si konkurrenca e fuqive të mëdha, kundërvënia ndaj Kinës, kundërvënia ndaj Iranit dhe rivendosja e fushatës së presionit maksimal”, thotë Taleblu për Radion Evropa e Lirë.
Në një intervistë dhënë javën e kaluar, përpara se të emërohej në pozitën e sekretarit të Shtetit, Rubio tha se periudha prej dekadash e dominimit të pakundërshtueshëm global të SHBA-së, pas rënies së Bashkimit Sovjetik, ka përfunduar dhe është zëvendësuar me një epokë të re të ngjashme me Luftën e Ftohtë.
Mediat amerikane kanë raportuar të martën se Rubio pritet të emërohej në këtë pozitë.
“Marco është një udhëheqës shumë i respektuar dhe një zë shumë i fuqishëm për lirinë. Ai do të jetë një avokat i fortë për kombin tonë, një mik i vërtetë për aleatët tanë dhe një luftëtar i patrembur që nuk do të tërhiqet kurrë para kundërshtarëve tanë”, ka thënë Trump në një deklaratë.
Senatori nga Florida, Marco Rubio, ka thënë se do të sjellë “paqen përmes forcës”.
“Udhëheqja e Departamentit të Shtetit të SHBA-së është një përgjegjësi e jashtëzakonshme dhe unë jam i nderuar nga besimi që presidenti Trump më ka dhënë”, ka shkruar ai në X, raporton BBC.
Ai ka shtuar se si sekretar i Shtetit do të punojë çdo ditë për ta realizuar agjendën e politikës së jashtme të presidentit Trump.
“Nën udhëheqjen e presidentit Trump, ne do të sjellim paqen përmes forcës dhe do të vendosim gjithmonë interesat e amerikanëve dhe Amerikës mbi gjithçka tjetër. Mezi pres të fitoj mbështetjen e kolegëve të mi në Senatin amerikan, në mënyrë që presidenti të ketë ekipin e tij të sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme në vend kur të marrë detyrën më 20 janar”, ka shtuar ai.
Trumpi ka nominuar edhe Tulsi Gabbard si drejtoreshë të Inteligjencës Kombëtare, ndërkaq kongresistin Matt Gaetz nga Florida si Prokuror të Përgjithshëm.
“Matt do t’i japë fund qeverisë së armatosur, do të mbrojë kufijtë tanë, do të shpërbëjë organizatat kriminale dhe do të rivendosë besimin e shkatërruar keq të amerikanëve në Departamentin e Drejtësisë”, ka shkruar Trump në platformën e tij “Truth Social”.[REL/ Koha/ISHGJ]