[4 prill, 2025]
Britania dhe Franca akuzuan sot presidentin rus Vladimir Putin për shtyrjen e bisedimeve të armëpushimit dhe kërkuan një përgjigje të shpejtë nga Moska pas disa javësh përpjekjesh të SHBA-së për të siguruar një armëpushim.
Rusia fillimisht hodhi poshtë propozimin e SHBA për një ndërprerje të plotë dhe të menjëhershme 30-ditore të armiqësive. Megjithatë, një zyrtar i Kremlinit tha gjithashtu të hënën se Moska i konsideron përpjekjet për t’i dhënë fund më shumë se tre viteve të luftës me Ukrainën si “një proces që po zvarritet”.
“Vlerësimi ynë është se Putini vazhdon të duket i mjegullt, vazhdon të vonojë,” u tha gazetarëve në selinë e NATO-s Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, duke qëndruar përkrah homologut të tij francez Jean-Noel Barrot në një shenjë simbolike të unitetit.
I dërguari rus: Media dëshiron të prishë marrëdhëniet amerikano-ruse
Një i dërguar i Kremlinit i cili vizitoi Uashingtonin këtë javë për bisedime me zyrtarët e administratës Trump tha të premten se, do të nevojiteshin takime shtesë për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura.
Kiril Dmitriev u tha gazetarëve rusë se “dialogu do të marrë pak kohë, por ai po zhvillohet pozitivisht dhe konstruktivisht”. Ai kritikoi atë që ai e quajti “një fushatë të mirëkoordinuar mediatike dhe përpjekjet e politikanëve të ndryshëm për të prishur marrëdhëniet ruso-amerikane, për të shtrembëruar atë që thotë Rusia dhe për të vlerësuar negativisht Rusinë dhe liderët e saj”. Dmitriev, kreu i fondit të pasurisë sovrane të Rusisë, u sanksionua nga administrata Biden pas pushtimit të Ukrainës dhe SHBA-së iu desh të hiqte përkohësisht kufizimet për ta lejuar atë të udhëtonte në Uashington këtë javë.
Forcat ruse po përgatiten të nisin një ofensivë të re ushtarake në javët e ardhshme për të rritur presionin ndaj Ukrainës dhe për të forcuar pozicionin negociues të Kremlinit në bisedimet e armëpushimit, sipas qeverisë ukrainase dhe analistëve ushtarakë perëndimorë. Rusia, thonë ata, po përgatit një ofensivë të madhe tokësore me shumë drejtime përgjatë vijës së frontit prej 1000 kilometrash, ndërsa balta thahet dhe lejon tanket, automjetet e blinduara dhe pajisjet e tjera të rënda të arrijnë pozicionet kyçe.
Britania dhe Franca po ndihmojnë për të udhëhequr një përpjekje shumëkombëshe të njohur si “koalicioni i të gatshmëve” për të krijuar një forcë që mund të kontrollojë çdo marrëveshje të ardhshme paqeje në Ukrainë në terren. Një zyrtar i lartë ukrainas tha në fillim të kësaj jave se midis 10 dhe 12 vende kanë thënë se janë gati t’i bashkohen koalicionit.
Nuk ka shenja të një armëpushimi në terren
Ndërkohë, lufta e shkatërrimit vazhdoi të merrte jetë civile. Një dron rus Shahed goditi një lagje banimi të Kharkiv të enjten vonë, duke vrarë pesë persona dhe duke plagosur 32, sipas kryebashkiakut Ihor Terekhov. Kharkiv është qyteti i dytë më i madh në Ukrainë. Zonat civile në tre rajone të tjera të Ukrainës u goditën gjithashtu, thanë zyrtarët.
Forcat ajrore të Ukrainës thanë se Rusia lëshoi 78 dronë sulmues dhe mashtrues gjatë natës. Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se mbrojtja ajrore shkatërroi 107 dronë ukrainas.
Ministri britanik Lammy tha se ndërsa Putini duhet të pranojë një armëpushim, “ai vazhdon të bombardojë Ukrainën. Është popullsia civile. Janë furnizimet me energji. Ne të shohim ty, Vladimir Putin. Ne e dimë se çfarë po bën.” Ministri francez Barrot tha se Ukraina pranoi kushtet e armëpushimit tre javë më parë dhe se Rusia tani “i detyrohet një përgjigje Shteteve të Bashkuara”. Ai tha se Rusia nuk tregon asnjë qëllim për të pezulluar fushatën e saj ushtarake, duke vënë në dukje se Putin urdhëroi mobilizimin e 160,000 rekrutëve për një vit shërbimi ushtarak të hënën.
Presidenti i SHBA Donald Trump shprehu zhgënjimin e tij si me Putinin ashtu edhe me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky pasi ai premtoi t’i jepte fund luftës “brenda 24 orëve” vitin e kaluar. [GN/ISHGJ]