[3 qershor, 2024]
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti po vazhdon vizitën në Turqi duke u takuar me personalitetet më të larta të këtoj vendi, përfshirë edhe presidentin turk Erdogan.
Gjatë ditës së sotme kryeministri Kurti ka vizituar fabrikën për prodhimin e dronëve “Bayraktar”, të cilët tashmë janë në posedim edhe të Ushtrisë së Kosovës.
“Baykar është kompani pionere turke në industrinë e mbrojtjes dhe aviacionit. Ajo është kompania e parë turke që ka prodhuar fluturake ushtarake pa pilot apo dronë, siç njihen. Deri tani është e njohur ndërkombëtarisht për prodhimin e dronëve Bayraktar TB-2, të cilët i ka në arsenalin e saj edhe ushtria e jonë”, ka thënë Kurti në faqen e tij zyrtare në facebook.
Kurti është mirëpritur nga pronarët e kompanisë vëllezërit Bayraktar, Haluk dhe Selçuk; ai është njoftuar edhe me prototipin e fluturakes luftarake pa pilot të kësaj kompanie, Kizilelma, i cili është teknologjia më e fundit e avionëve pa pilot që ka bërë senzacion në të gjithë botën.
“Sot, në ambientet e kompanisë, u mirëprita nga vëllezërit, Bayraktar, Haluk dhe Selçuk. Haluk mban medaljen “Shërbim të Shquar”, që njëherësh është edhe mirënjohja më e lartë ushtarake në vendin tonë, për vullnetin, gatishmërinë dhe bashkëpunimin me Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Aty pashë nga afër dhe prototipin e fluturakes luftarake pa pilot të kësaj kompanie, Kizilelma”, ka thënë Kurti.