[22 ma, 2024]
Asambleja Parlamentare e NATO-s, në punimet e sesionit pranveror që do të mbahen këtë fundjavë në Sofje, pritet që të diskutojë dhe të miratojë kërkesën e Kuvendit të Kosovës për avancimin e statusit nga vëzhgues parlamentar në anëtar të asocuar. Nga ana tjetër, Serbia ka nisur fushatë kundërlobuese duke iu drejtuar anëtarëve të kësaj asambleje me një letër për të mos e pranuar Kosovën
Kosova do të jetë në agjendën e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e cila do të nisë punimet më 25 maj në Sofje të Bullgarisë. Me këtë rast, Kuvendi i Kosovës e synon finalizimin e avancimit të statusit në anëtar të asocuar në këtë organizatë.
“Në takimin e tyre në Sofje, deputetët e vendeve anëtare të NATO-s do të diskutojnë dhe do të miratojnë vendime për kërkesat e Maltës dhe të Kuvendit të Kosovës për t’u bërë delegacione të anëtarëve të asocuar. Ndër temat e forumit do të jenë sfidat në vendet e Ballkanit Perëndimor, së bashku me strategjitë për të mbështetur partnerët në rrezik. Këto diskutime do të nënvizojnë përkushtimin e Asamblesë për stabilitet në rajonet kyçe me interes strategjik, si dhe për të nxitur dialog më të gjerë mbi sfidat globale”, thuhet në komunikatën për media të Asamblesë Parlamentare të NATO-s.
Pjesëmarrës në sesionin pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s do të jetë edhe një delegacion nga Kuvendi i Kosovës.
Kosova është përfshirë në agjendë me rekomandimin e Komitetit të Përhershëm të Asamblesë Parlamentare të NATO-s për dhënien e statusit nga vëzhgues parlamentar në anëtar të asocuar për Kuvendin të Kosovës, më 24 mars të këtij viti.
Për shumë vjet Kosova ka pasur statusin e anëtarit vëzhgues dhe avancimi i statusit është niveli më i lartë i prezencës në Asamble deri në anëtarësimin e plotë të Kosovës në Aleancën Veriatlantike.
Me ngritjen e nivelit të përfaqësimit do të zgjerohet delegacioni pjesëmarrës i Kosovës, do të ketë përfshirje më të madhe në vendimet e Asamblesë dhe Kosova mund të kontribuojë në adresimin e amendamenteve dhe komenteve lidhur me dokumentet të cilat i trajton Asambleja.
E në Serbi kanë nisur përpjekje për ta penguar avancimin e statusit të Kosovës në këtë organizatë.
Instituti Ndërkombëtar për Siguri, me seli në Beograd, i është drejtuar me një letër Asamblesë Parlamentare të NATO-s për të mos ia dhënë Kosovës statusin e anëtarit të asocuar. Dokumenti është nënshkruar edhe nga Zoran Dragishiq, i cili është deputet dhe anëtar i Delegacionit të Përhershëm të Parlamentit të Serbisë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.
Asambleja Parlamentare vepron institucionalisht e ndarë dhe e pavarur nga NATO-ja, e cila ka rol konsultativ mes parlamenteve të vendeve anëtare për aleancën veriatlantike.
Organi drejtues i Kuvendit është Komisioni i Përhershëm, i cili përbëhet nga kryesuesi i çdo delegacioni anëtar, presidenti, zëvendëskryetarët, dhe kryetarët e komisioneve të Kuvendit dhe të Grupit Special të Mesdheut dhe Lindjes së Mesme.
Por organizata me seli në Beograd ka kërkuar që në rastin e Kosovës të merret parasysh fakti se Asambleja e mbështet organizimin e saj të brendshëm në parimet dhe traktatet e NATO-s.
Sipas kësaj organizate, katër nga gjithsej 32 vendet anëtare të NATO-s nuk ia njohin shtetësinë Kosovës, “që do të thotë se Aleanca nuk ka konsensus për statusin juridik ndërkombëtar të Kosovës”.
Në organizatën serbe kanë ngritur edhe dyshime për funksionimin e demokracisë në Kosovë, duke përmendur “mungesën e të drejtave për komunitetin serb në Kosovë”.
Në këtë institut kanë thënë se nëntë anëtarët aktualë të Asamblesë Parlamentare të NATO-s janë nga vende të pavarura dhe të njohura ndërkombëtarisht si dhe se “dhënia e të njëjtit status për Parlamentin e Kosovës do të ishte një precedent i rrezikshëm dhe padyshim do të kërcënonte integritetin dhe rolin e Asamblesë Parlamentare e NATO-s, duke përfshirë rrezikun e hapjes së mosmarrëveshjeve brenda organizatave”.
Afro 400 deputetë nga 32 vendet anëtare të NATO-s dhe nga 25 vende partnere e organizata parlamentare do të marrin pjesë në sesionin pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, nga 24 deri më 27 maj në Sofje. Forumi organizohet nga Asambleja Kombëtare e Republikës së Bullgarisë.
Pjesëmarrësit do të diskutojnë temat që lidhen me agjendën e mbrojtjes dhe të sigurisë euroatlantike, me fokus në mbështetjen për Ukrainën dhe prioritetet e samitit të ardhshëm të NATO-s, i cili do të mbahet në korrik të këtij viti në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).
“Gjatë seancës, Asambleja pritet të përforcojë qëndrimin e saj të vendosur për luftën e pajustifikuar, të paprovokuar dhe brutale të Rusisë kundër Ukrainës, të diskutojë ofrimin e ndihmës së menjëhershme dhe afatgjatë për Ukrainën dhe të miratojë një deklaratë për mbështetjen e Ukrainës deri në fitore. Në hapje të seancës plenare, ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Rustem Umerov, pritet t’u drejtohet me një mesazh parlamentarëve përmes video-konferencës”, është bërë e ditur në njoftimin e Asamblesë Parlamentare.
Është planifikuar gjithashtu që në hapjen e seancës, pjesëmarrësit të priten nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Michal Shcherba, zëvendëskryetarja e Kuvendit të Bullgarisë, Rositsa Kirova, si dhe nga kryeministri bullgar në detyrë, Dimitar Glavçev.
Parlamentarët suedezë do të marrin pjesë në punimet e sesionit pranveror për herë të parë, pasi Suedia edhe zyrtarisht është bërë anëtare e plotë e Aleancës.
Asambleja do të marrë gjithashtu në konsideratë zbatimin e planeve të reja të mbrojtjes të NATO-s, përmbushjen e detyrimeve të shpenzimeve të mbrojtjes dhe ndarjen e barrës buxhetore për shtetet anëtare. [Rruga Press]