[Urimi për Putinin]
20 mars 2024
Në zgjedhjet qpresidenciale në Rusi, të cilat u mbajtën nga 15 deri më 18 mars, Vladimir Putin fitoi 87.28 për qind të votave bazuar në 100 për qind të votave të përpunuara. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ishte në mesin e numrit të vogël të liderëve botërorë që i dërguan urime liderit rus.
Analisti i politikës së jashtme, Boshko Jakshiq, në një intervistë për “Vreme” ka vlerësuar se Vuçiq, duke i dërguar një mesazh urimi Vladimir Putinit pas zgjedhjeve në Rusi, ka konfirmuar se “mbetet konsistent në sfidën e tij ndaj Perëndimit”.
“Ai iu bashkua numrit të vogël të liderëve botërorë që i dërguan urime Putinit për fitoren e zgjedhjeve, të cilat, sipas të gjitha standardeve demokratike, ishin një farsë e pastër. Në këtë mënyrë Vuçiqi tregon qëndrueshmëri në politikën e tij, në të cilën nominalisht e udhëheq Serbinë drejt Bashkimit Evropian, por në fakt e largon gjithnjë e më shumë nga Perëndimi. Ai po përpiqet të mbajë marrëdhënie me Rusinë dhe Kinën, duke pretenduar se nuk ka afrim shumë të ngushtë, por në praktikë është krejtësisht e kundërta”, thotë Jakshiq.
Ai shton se urimi i Vuçiqit për Putinin duhet parë si konfirmim formal-ceremonial i rrymave të diplomacisë serbe.
Vuçiqi nuk ka frikë të glorifikojë Lindjen, edhe pse është i vetëdijshëm se ajo është gisht në syrin e Perëndimit. Kjo është një tjetër nga ato lëvizje që sigurisht vërehet në Perëndim, por nuk ka shkallën për të shkaktuar një reagim të menjëhershëm. Megjithatë, nuk duhet të harrojmë se politika është një disiplinë kumulative dhe se situata të tilla incidentesh aty shtohen. Çështja është se kur do të mbushet rezervuari i durimit të Perëndimit. “Ajo në të cilën Vuçiqi po mbështet dhe pse një pjesë e madhe e publikut në Serbi është e zhgënjyer, është fakti se ky rezervuar është papritur dhe çuditërisht i madh”, thotë Jakshiq.
Takimi me Bocan-Harçenko
Kujtojmë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka takuar ambasadorin e Federatës Ruse, Aleksandar Bocan-Harçenko, të cilit i ka dorëzuar një letër për presidentin e Rusisë, Vladimir Putin-in, ku e ka uruar për rizgjedhjen dhe duke shpjeguar gjendjen e vështirë me të cilën përballet populli serb në Kosovë e Metohi.
“Shfrytëzova bisedën me ambasadorin Bocan-Harçenko për t’i dorëzuar atij një letër për Presidentin e Federatës Ruse, Putinin, në të cilën, përveç urimit për fitoren e zgjedhjeve, i shpjegova edhe peshën e situatës me të cilën po përballet populli serb në Kosovë dhe Metohia, sfidat e rëndësishme politike me të cilat përballet Serbia, me falënderim Federatën Ruse për mbështetjen që i jep integritetit territorial të Serbisë”, ka shkruar Vuçiq në faqen e tij në Instagram „buducnostsrbijeav“.
Reagimet nga BE
Zyrtarë të Bashkimit Evropian dhe vendeve evropiane i vlerësuan zgjedhjet presidenciale ruse si jodemokratike, sepse ato u zhvilluan nën represion dhe pa zgjedhje të vërteta.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Jozep Borel, tha se zgjedhjet nuk ishin të drejta dhe të lira, por nën represion dhe frikësim dhe bëri publike një deklaratë të përbashkët nga të 27 vendet e BE-së me këtë rast, transmeton Reuters.
Ministria e Punëve të Jashtme franceze njoftoi se kishte represion ndaj shoqërisë civile dhe se nuk respektoheshin kushtet për zgjedhje demokratike, dhe nga ana tjetër vlerësoi guximin e “qytetarëve rusë që protestuan në mënyrë paqësore kundër sulmit ndaj të drejtave të tyre themelore politike”.
Franca dënoi gjithashtu mbajtjen e zgjedhjeve në territoret e Ukrainës nën kontrollin rus dhe theksoi se “nuk e njeh dhe nuk do ta njohë kurrë mbajtjen e këtyre të ashtuquajturave zgjedhje”, transmeton Tanjug.
Ministrja e Jashtme gjermane, Analena Berbok, tha se në Rusi janë mbajtur “zgjedhje pa zgjedhje” dhe shtoi se BE-ja do t’i hapë rrugën sanksioneve të reja kundër Rusisë.
Borko Stefanoviq: Vuçiq po e distancon Serbinë nga BE-ja duke uruar Putinin
Kanë mbërritur edhe reagimet e përfaqësuesve të opozitës.
Nënkryetari i Partisë për Liri dhe Drejtësi, Borko Stefanoviç, tha se urimi i Vuçiqit për Putinin për fitoren e tij në zgjedhje është një kthim i borxhit ndaj presidentit rus, i cili, së bashku me Orbanin dhe Erdoganin, ishte i vetmi që uroi SNS-së fitoren në zgjedhjet e dhjetorit.
Ai shton se në mesazhin e urimit të Vuçiqit, të cilin e ka dërguar përmes ambasadorit rus në Beograd, janë dërguar de fakto dy mesazhe: “I pari, është mesazhi që dëshmon atë nuk e shqetëson faktin që zgjedhjet në Rusi organizohen nën hijen e të vdekurit Aleksei Navalny dhe luftës në Ukraina dhe i dyti, është mesazhi se për të persekutimi dhe arrestimi i kundërshtarëve politikë, gazetarëve dhe kujtdo që guxon të kritikojë mënyrën autokratike të qeverisjes, për të cilën Vuçiq ëndërron dhe e kthen në një realitet të trishtuar me dhunë”. [ Vreme; Përkthyeu: ISHGJ]