Screenshot nga videoja e ndarë nga zëvendësministrja e Jashtme izraelite në X
Një Spital në Beersheba në Izraelin jugor është goditur drejtpërdrejt nga një raketë iraniane. Spitali “Soroka” është dëmtuar rëndë – ka thënë një zëdhënës, ndërsa Shërbimi i Urgjencës së Izraelit thotë se më shumë se 30 persona janë plagosur – raporton të enjten, më 19.05.2025, BBC.
Në Iran Ushtria izraelite thotë se sulmoi reaktorin e ujit të rëndë “Arak”, pasi paralajmëroi më parë banorët në qytetet përreth që të evakuoheshin.
Në një postim në X kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka shkruar: “Këtë mëngjes tiranët terroristë të Iranit hodhën raketa në Spitalin ‘Soroka’ në Beersheba dhe mbi një popullsi civile në qendër të vendit”.
Ai ka paralajmëruar se do të hakmerret ndaj regjimit iranian për sulmin në Spital.
Ndërkohë, Zëvendësministrja e Jashtme e Izraelit e ka quajtur sulmin në Spitalin “Soroka” “të qëllimshëm” dhe “kriminal”.
Sharren Haskel, duke postuar në platformën X, ka thënë se vendi që u godit “nuk është bazë ushtarake”, por Spital, duke shtuar se kjo është Qendra kryesore Mjekësore për të gjithë rajonin Negev. Ajo ka ndarë gjithashtu një video që duket se tregon dëmet shkaktuar brenda Spitalit.
“Bota duhet të flasë.” – thotë Haskel.
Në një Njoftim të veçantë Ushtria izraelite ka bërë të ditur se forcat ajrore sulmuan mbrëmë një vend në Natanz të Iranit, që thuhet se përdoret për të zhvilluar armë bërthamore.
“Lokacioni përmban komponent dhe pajisje unike të përdorura për të zhvilluar armë bërthamore dhe atje po zhvillohen Projekte që mundësojnë përshpejtimin e Programit të armëve bërthamore.” – thuhet në Njoftimin e Forcave Mbrojtëse të Izraelit (IDF). [Kallxo.com]