Irani ka lëshuar raketa drejt Izraelit në kundërpërgjigje ndaj sulmeve intensive të kryera nga Izraeli ndaj objekteve bërthamore dhe bazave ushtarake të Iranit të premten në mbrëmje.
Ushtria izraelite tha se Tehernai ka nisur drejt Izraelit dhjetëra raketa.
“Civilët izraelitë aktualisht janë duke u shënjestruar nga regjimi iranian. Bota nuk mund të rri e heshtur”, shkroi ushtria izraelite në X.
Sirenat për sulme ajrore dhe shpërthime të fuqishme janë dëgjuar në Jerusalem dhe Tel Aviv të premten mbrëma.
Disa minuta më vonë është parë tym mbi qiellin e Tel Avivit. Sipas mediave iraniane, qindra raketa balistike janë lëshuar nga Irani drejt Izraelit, si kundërpërgjigje ndaj sulmeve intensive ajrore të kryera nga Izraeli.
Pas sulmit, lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, tha se Izraeli ka “iniciuar një luftë” dhe nuk do të lejojë që Izraeli të kryejë sulme pa u përballur me pasoja të rënda.
“Izraeli nuk mund të kalojë pa bartur pasoja për krimet e tij. Shteti iranian duhet të sigurohet që përgjigja jonë nuk do të jetë gjysmake”, tha Khamenei përmes një deklarate.
Mediat iraniane thanë se Teherani ka nisur qindra raketa balistike drejt Izraelit, si kundërpërgjigje ndaj sulmeve intensive ajrore izraelite.

Sistemi kundërajror izraelit, Kupola e Hekurt, duke rrëzuar raketat iraniane mbi Tel Aviv më 13 qershor 2025.
Sulmet iraniane drejt Izraelit vijnë pasi ky i fundit kreu valën e dytë të sulmeve gjatë së premtes, duke shënjestruar Teheranin, Komin dhe Karaxhin.
Uzina për pasurimin e uraniumit Fordov gjendet në periferi të Komit, por ende nuk ka konfirmim nëse kjo ndërtesë bërthamore është sulmuar, tha televizioni izraelit, Channel 13.
Sipas reporterëve izraelitë, qëllimi është që të vazhdohen sulmet ndaj bazave ushtarake iraniane, në mënyrë që të shkatërrohen raketat dhe që Iranit të privohet nga çdo aftësi ushtarake për një kundërsulm ndaj Izraelit.
Izraeli nisi sulmet mëngjesin e së premtes, duke shënjestruar objektet bërthamore iraniane dhe në pjesë të tjera në të gjithë Iranin, duke i vrarë gjeneralë e zyrtarë të lartë ushtarakë, dhe duke e rritur mundësinë për një luftë të përgjithshme midis dy vendeve rivale në Lindjen e Mesme.
Irani u përgjigj valës së parë të sulmeve, duke i lëshuar dhjetëra dronë dhe raketa ndaj objekteve izraelite. Ushtria e Jordanisë tha se ka rrëzuar disa prej tyre në hapësirën e vet ajrore.
Ndër objektet e goditura në valën e parë të sulmeve në Iran ishte edhe një komandë e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) në Teheran, sipas televizionit shtetëror iranian. Sulmi vrau komandantin e IRGC-së, gjeneralmajor Hossein Salami, sipas agjencisë iraniane të lajmeve, Tasnim.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se Izraeli kreu një operacion ushtarak, synimi i të cilit ishte “frenimi i kërcënimit të Iranit ndaj vetë mbijetesës së Izraelit”.
Ai tha se sulmi “do të vazhdojë derisa të eliminohet ky kërcënim”.
“Ne goditëm në zemër të programit të Iranit për pasurimin bërthamor. Në shënjestër ishin objekti kryesor i pasurimit të uraniumit i Iranit në Natanz… Gjithashtu goditëm në zemër të programit iranian të raketave balistike”, tha ai në një deklaratë me video.
Ushtria izraelite tha se rreth 200 avionë luftarakë morën pjesë në sulmet masive, dhe televizioni izraelit raportoi se agjencia e inteligjencës, Mossad, mund të ketë ngritur një bazë sekrete brenda Iranit si pjesë e këtij operacioni.
Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, paralajmëroi se Izraeli do të përballet me pasoja të rënda për shkak të këtyre sulmeve.
“Me këtë krim, regjimi sionist i ka përgatitur vetes një fat të hidhur dhe të dhimbshëm dhe do ta marrë atë pa dyshim”, tha Khamenei në një deklaratë. [REL]