[I dërguari special i SHBA-së për Ukrainën dhe Rusinë, Keith Kellogg me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Foto: NATO]
(EurActiv) – Pikëpamjet evropiane do të merren parasysh dhe Ukraina nuk do të jetë nën presion për një marrëveshje, i tha i dërguari i SHBA për Ukrainën dhe Rusinë një grupi gazetarësh në selinë e NATO-s.
Vizita dy-ditore e Keith Kellogg në Bruksel vjen në mes të shqetësimit në rritje midis aleatëve evropianë se një marrëveshje e ardhshme paqeje në Ukrainë do të arrihet prapa shpinës së tyre dhe të Kievit, pasi asnjëri prej tyre nuk pritet të marrë pjesë në bisedimet SHBA-Rusi në Riad, Arabi Saudite, nesër.
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy tha gjatë fundjavës se Kievi nuk do të pajtohej me një marrëveshje që do të ishte e dëmshme për vendin e tij ose që do të rezultojë nga negociatat në të cilat ai nuk mori pjesë.
Kellogg tha se “askush” nuk do t’i impononte vendimet Zelensky-t si “udhëheqës i zgjedhur i një kombi sovran” dhe vendimi për arritjen e një marrëveshjeje do të ishte përfundimisht i ukrainasve.
I dërguari i Trump-it për Ukrainën pritet të udhëtojë nesër mbrëma në Kiev për një vizitë tre-ditore, ku është planifikuar të takohet me udhëheqësin ukrainas. Më pas ai do të kthehet në Uashington dhe do të vazhdojë një turne nëpër kryeqytetet e NATO-s në javët e ardhshme.
Në tavolinë
I pyetur nga Euractiv në lidhje me komentet e tij të bëra në skenë në Mynih se “evropianët nuk do të ishin në tryezë”, Kellogg sqaroi se kjo nuk do të thotë se shqetësimet evropiane nuk do të merren parasysh.
“Nëse besoni se do të jenë tridhjetë e tre njerëz të ulur në të njëjtën tryezë – saktësisht e njëjta tryezë – gjatë diskutimit, sipas të gjitha gjasave, përgjigjja është jo, aspak,” tha Kellogg.
“Nëse ‘në tavolinë’ do të thotë që pikëpamjet tuaja dëgjohen, kuptohen, transmetohen, përgjigja është absolutisht,” tha ai.
Uashingtoni dërgoi një pyetësor në kryeqytetet evropiane në fillim të javës së kaluar për të përcaktuar se cilat burime do të ishin gati për të kontribuar në një forcë të mundshme paqeruajtëse në të ardhmen.
“Përpara se të finalizohet çdo lloj diskutimi dhe garancitë e sigurisë, sigurisht, ato diskutime do të zhvillohen”, tha Kellogg.
“Përgjigjet e këtyre pyetjeve do të përcaktohen kur të arrini në procesin përfundimtar”, shtoi ai, duke e hedhur topin përsëri në fushën e evropianëve.
Shqetësimet e statusit
Mungesa e Kellogg-ut nga ekipi negociator i SHBA-së që udhëtonte për në Riad ngriti pikëpyetje mbi ndikimin e tij në përpjekjet e Trump-it për të hartuar një propozim paqeje – dhe se si kontributi evropian do të gjejë rrugën e tij në to.
Duke iu përgjigjur shqetësimeve për statusin e tij në proces, Kellogg tha, “Kjo nuk do të thotë se ekipi nuk është sinkronizuar plotësisht”.
“Ata do të dalin nga Lindja e Mesme, unë do të dal nga Ukraina – do të kthehemi të jemi të sinkronizuar”, tha ai, duke shtuar se kishte një konferencë të përbashkët me ekipin negociator përmes telefonit pas Mynihut.
Ekipi përfshin Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare Mike Waltz dhe të dërguarin për Lindjen e Mesme Steve Witkoff.