Shkruar nga Peter Beaumont
Heshtja e Trump për sulmet ruse ndaj Ukrainës, nxjerr në pah dështimin diplomatik…
Kievi u zgjua sot nën makth. Fillimisht u dëgjua një tingull i shkurtër dhe i përsëritur i mbrojtjes ajrore që qëllonte në periferi të qytetit. Sapo armët pushuan, u dëgjua zhurma e motorëve të dronëve që afroheshin me shpejtësi, pasuar nga një moment i shkurtër heshtjeje dhe më pas një shpërthim i papritur.
Por pas dy ditësh bombardimesh të rënda ruse që goditën ndërtesa civile në mbarë Ukrainën, përgjigjja nga Donald Trump ka qenë heshtje.
Brenda pak ditësh nga momenti kur raundi i parë i bisedimeve direkte mes Rusisë dhe Ukrainës që nga marsi 2022 u mbyll pa ndonjë rezultat dhe pa shenja armëpushimi, dështimi i ndërhyrjes së Trump-it duhet qartë.
Edhe pse u mburr para inaugurimit të tij si president i SHBA-së se do ta përfundonte luftën brenda 24 orëve, në të vërtetë ai i ka dhënë zemër presidentit rus, Vladimir Putin, duke refuzuar të ushtrojë presion për armëpushim të menjëhershëm – i mbështetur nga Evropa – apo të vendosë sanksione domethënëse.
Që nga telefonata dy-orëshe e Trump-it me Putinin të hënën e kaluar, udhëheqësi rus ka treguar qartë përbuzjen e tij, ndërsa vetë Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes së SHBA-së ka parashikuar se Moska do të vazhdojë luftimet përgjatë gjithë këtij viti.
Pas kësaj telefonate, Putin urdhëroi krijimin e një “zone tampon sigurie” përgjatë kufirit lindor të Ukrainës. Sulmet ndaj objektivave civile duket se po intensifikohen, duke kulmuar me dy netë radhazi bombardimesh ajrore, përfshirë natën e së shtunës – që përbënte sulmin më të rëndë ajror të luftës deri tani, me gati 300 dronë dhe afro 70 raketa.
Zyrtarë ukrainas dhe perëndimorë presin që Rusia të përpiqet përsëri për një ofensivë të madhe gjatë verës, edhe pse ka shumë skepticizëm për efektivitetin e saj, për shkak të humbjeve të mëdha të Moskës.
Realiteti është se, me ngërçin në terren, lufta me dronë me rreze të gjatë nga të dyja palët po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme, edhe nëse ajo nuk sjell fitore territoriale.
Me fabrikat ruse dhe ukrainase që po prodhojnë mijëra dronë të rinj, lufta është sofistikuar: Rusia po përdor në masë të madhe mashtrime dhe sisteme për të çorientuar mbrojtjen ajrore.
Ndërsa Ukraina ka sulmuar baza dhe fabrika, përfshirë ato që prodhojnë kabllo optike për brezin e ri të dronëve luftarakë, qëllimi i Rusisë duket të jetë thjesht goditja e popullatës civile. Ditët e fundit, dronët dhe raketat kanë goditur pallate banimi, shtëpi dhe konvikte studentësh.
Të dielën, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky reagoi ashpër duke dënuar “heshtjen e Amerikës… që po inkurajon Putinin”.
Fjalët e tij shtrojnë një pyetje më thelbësore: A e ka braktisur Trump tashmë, siç ka kërcënuar prej kohësh, përpjekjen e tij sipërfaqësore për t’i dhënë fund luftës?
Kur më në fund një zyrtar amerikan reagoi për të dënuar sulmet, ajo që mungonte – çdo referencë se Moska ishte përgjegjëse – ishte po aq domethënëse sa vetë deklarata.
Në një postim në X, i dërguari i Trump-it për Ukrainën, Keith Kellogg, dënoi sulmet nën një foto të zjarreve në kryeqytetin ukrainas: “Ky është Kievi. Vrasja pa kriter e grave dhe fëmijëve natën, nëpër shtëpitë e tyre, është një shkelje flagrante e Protokolleve të Gjenevës të vitit 1977. Këto sulme janë të turpshme. Ndalo vrasjet. Armëpushim tani”, shkroi ai.
Profesori i studimeve strategjike në Universitetin e St Andrews, Phillips O’Brien, shkroi në buletinin e tij mbi luftën se, larg sjelljes së një përparimi, bisedimet e fundit kanë hequr çdo maskë që SHBA-ja po ndërmjetësonte ndershmërisht.
“Të hënën përfundoi farsa që kemi parë për muaj të tërë. Farsa ishte se Trump po përpiqej të negocionte një marrëveshje mes Ukrainës dhe Rusisë që do t’i shkonte për shtat të dyja palëve. Realiteti ka qenë gjithmonë që Trump po përpiqej të detyronte Ukrainën të bënte lëshime të mëdha dhe t’i ndihmonte Putinit të arrijë objektivat e tij strategjikë”, shkroi ai këtë fundjavë.
Nëse Trump është tërhequr tashmë, kjo ngre shumë pikëpyetje të vështira për Kievin: a do të vazhdojë SHBA të furnizojë Ukrainën me ndihmë ushtarake në përmasa të mjaftueshme? Dhe më e rëndësishmja: a mundet Evropa ta mbushë boshllëkun diplomatik dhe ushtarak që po krijon kjo tërheqje?
Çfarë është e qartë për ukrainasit – pavarësisht javëve të fundit me tituj që flasin për përparim në bisedimet e paqes – është se, pa presion nga Uashingtoni dhe pa një ndihmë të përshpejtuar nga Evropa, lufta do të vazhdojë. Dhe netët si ajo e së shtunës do të përsëriten. [The Guardian]