Franca po shkon drejt një krize ekonomike dhe duhet të marrë financat e saj nën kontroll për ta ndaluar atë, ka thënë një nga ekonomistët më të shquar në botë. Olivier Blanchard, ish kryeekonomist në Fondin Monetar Ndërkombëtar, i tha Politico se qeveritë e njëpasnjëshme e kanë sjellë Francën në një pikë të rrezikshme duke dështuar në marrjen e vendimeve të nevojshme, por politikisht jopopullore, për të balancuar buxhetin e saj.
“Ne absolutisht nuk po bëjmë atë që është e nevojshme, kjo është e sigurt,” tha Blanchard.
Blanchard, i cili u kthye në Francë pas një karriere 50-vjeçare në Institutin e Teknologjisë të Massachusetts (MIT), tha se ndërsa një përplasje tregu nuk është ende e afërt, ai e sheh atë në horizont. Franca hyri në vitin e ri pa një buxhet real për herë të parë në historinë e saj moderne, pasi ligjvënësit rrëzuan kryeministrin Michel Barnier për planet e tij për të reduktuar deficitin e madh buxhetor të vendit, i cili vitin e kaluar arriti në 6.2 për qind të prodhimit të brendshëm bruto. Pasardhësi i Barnier-it, François Bayrou, gjithashtu ka prioritet reduktimin e deficitit, por ka paraqitur rritje pak më pak ambicioze të taksave dhe shkurtime të shpenzimeve për të fituar më shumë ligjvënës.
Nuk mjafton…
Blanchard tha se qeveria e Bayrou -së “bëri pak a shumë më të mirën që mundi, por më e mira e saj nuk është shumë dhe nuk mjafton.” Ai shtoi se ngërçi aktual, në të cilin asnjë grup politik nuk ka shumicën në parlament, nuk po ndihmon. “Për momentin, partitë franceze nuk janë të gatshme të pranojnë diçka që është e nevojshme,” tha Blanchard. “Do të duhet një krizë buxhetore, ndoshta një krizë financiare, që palët të ulen dhe të thonë se do të bëjnë diçka”.
Blanchard shtoi se ai nuk mendon se Brukseli, i cili e vendosi Francën nën një procedurë të deficitit të tepruar për shpenzime të tepërta në vitin 2023, ka fuqinë për ta shtyrë vendin në drejtimin e duhur. “Brukseli nuk ka mjete praktike për ta detyruar Francën të bëjë një përpjekje më të madhe, vetëm tregjet mund ta bëjnë këtë,” tha ai. [GN/ISHGJ]